Kurti për takimin në Bruksel: Kemi qenë të hapur për biseda, por pala tjetër ka dalë nga ndërtesa

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Kosova ka qenë e hapur për bisedime në takimin e Brukselit, por siç tha ai pala tjetër nuk ka qenë e interesuar dhe ka dalë nga ndërtesa.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se nëse marrëveshja ka qendër njohjen reciproke, atëherë reciprociteti është fryma.

“Ende kemi qenë të hapur për biseda, por nga ndërtesa ka dalë pala tjetër. Nëse ka njëra anë letra ngjitëse do të ketë dhe nga ana tjetër. Kemi hedh dhe idenë që të njihen të gjitha dokumentet. Pse të mos njihen. Nëse marrëveshja ka qendër njohjen reciproke, atëherë reciprociteti është fryma”, tha ai.

Tutje Kurti u shpreh se janë duke zbatuar elementet e pranuara nga Serbia të vitit 2011 dhe 2016.

“Pavarësia e vendit nuk mund të promovoj një rend juridik për një pjesë të territorit. Më lejoni të adresoj disa të pavërteta që kanë qarkulluar ditëve të fundit. S’kemi pas propozim konkret nga pala serbe. Marrëveshja e lirisë së lëvizjes nuk bazohet në liri e etni, por në bazë të vendit. Nëse një qytetar prezanton letërnjoftim të Kosovës ai preferon të njihet si qytetar nga Kosova apo anasjelltas edhe qytetari i Serbisë nëse paraqitet me letërnjoftim të Serbisë preferon të njihet si qytetar i Serbisë. Rrjedhimisht nuk mund të marr etni diskriminuese”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu foli edhe për kërcënimin e Listës Serbe se do të largohet nga institucionet e Kosovës nëse “nuk arrihet një zgjidhje kompromisi për targat dhe dokumentin e hyrje-daljes të Kosovës”.

“Qytetarët serb më së paku do të duhej të shtyjnë përpara narrativa që promovojnë krimin e organizuar. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e pakicës serbe, qeveria është e interesuar për integrim të këtij minoriteti”, tha ai, duke i lutur qytetarët e komunitetit serb se “Pala serbe është duke eskaluar si retoriken ashtu sikurse fushën e sigurisë. “Ju lus që mos të ndiqni retorikën dhe luftën nxitëse nga mediat e kontrolluara”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu deklaroi se ka pasur dakordim të brendshëm që të mos prononcohen rreth takimit në Bruksel për të mos tensionuar situatën, por sipas tij, jo të gjithë i janë përmbajtur këtij dakordimi. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS