Eko Higjiena

Kurti: PDK-ja po humb, por LDK-ja nuk është zgjidhja

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Lëvizja po prin në sondazhe për këto zgjedhje, por treguesi i vërtetë për fitoren është pjesëmarrja dhe mbështetja e madhe nëpër tubime e takime të atyre që po vendosin çdo ditë e më shumë që të jenë me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Në tubimin në Burim, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka prezantuar kandidatët e kësaj komune Agron Hajzeraj dhe Azem Zeka. Gjatë tubimit është thënë se fitorja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! po afrohet.

Kryetari Albin Kurti i ka ftuar qytetarët e Burimit që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje, pasi ndryshimin që do ta bëjë Lëvizja është Ndryshim i madh. “Pas fitores së 8 qershorit, qeverisja e re nuk do të jetë sundim e zullum, por do të jetë shërbim, nuk do të jetë mbi qytetarin, por bashkë me qytetarin”, ka thënë ai.

Kurti është shprehur se jemi lodhur prej regjimeve të deritashme, por jemi të palodhshëm në marshimin tonë të pandalshëm të fitores. Ai ka shtuar se qeverisja e VETËVENDOSJE!-s do ta ndihmojë prodhimin bujqësor e atë industrial. Po ashtu, VETËVENDOSJE! angazhohet për shtet social e përmes tij, merr fund mjerimi social e pabarazia.

“PDK-ja është problemi, PDK-ja është korrupsioni, PDK-ja po humb, por LDK-ja nuk është zgjidhja, LDK-ja është e lodhur, dhe duhet të dalë në pension”, ka thënë Kurti, duke shtuar se pensionet e VETËVENDOSJE!-s do t’i leverdisin atyre që dalin në pension, sepse VETËVENDOSJE! parasheh rritje të tyre.

Eco Higjiena

Kurti shtoi se me qeverisjen e re, pensionet do të jenë të dinjitetshme, arsimi do të jetë falas, punësimi i sigurtë e po ashtu shëndetësia falas. “Të gjithë më 8 qershor jemi të barabartë, sistemi më 8 qershor hapet për popullin e populli duhet të marshojë drejt qendrave të votimit që të sigurojë fitoren e vet përmes fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, ka thënë Kurti.

Kurse deputeti i legjislaturës së fundit, Florin Krasniqi tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta luftojë korrupsionin e krimin. “Ne jemi bërë të parët, sepse jemi të drejtë, e kemi guximin dhe e kemi organizatën politike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ta ndryshojmë vendin me qeverisjen e re të Albin Kurtit”, ka thënë Krasniqi. Ai është shprehur i bindur në fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kandidati Agron Hajzeraj e ka quajtur Kosovën një vend ku nuk ekziston drejtësia, por që Lëvizja VETËVENDOSJE! është e përcaktuar që ta kthejë në një shtet të së drejtës. Ndërkaq, Azem Zeka ka thënë se tashmë Lëvizja VETËVENDOSJE! është fuqia më e madhe në vend dhe tash më të ka zgjidhje.