Fundamenti

Kurti: PDK-ja kërkon zgjidhje të “Zanzi barit”

/ 2 minuta lexim

Lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, e ka konfirmuar se zgjedhjet janë vlerësuar nga Jahjaga si një opsion i mundshëm për tejkalimin e krizës. “Është e qartë se po qarkullojnë dy lloj mundësish që u përmendën edhe nga presidentja. Pra, mundësia e zgjedhjeve të reja është njëra prej tyre.

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka sërish qëndrimin e njëjtë. Jemi të gatshëm për zgjedhje, mirëpo jemi të interesuar që shumica parlamentare ta formojë Qeverinë e re dhe ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike dhe socio-ekonomike”, ka deklaruar Kurti.

Ai më tej ka thënë se po tentohet të gjendet zgjidhja, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet, mirëpo, sipas tij, PDK-ja po kërkon të gjejë zgjidhje të tipit të “kafehaneve”.

“Janë dy mënyra sesi kohëve të fundit po propozohet të dilet nga kriza. Njëra është Kuvendi i Republikës, tjetra është “Zanzi bari”. Por, unë mendoj fuqishëm se vetëm Kuvendi ofron dhe garanton zgjidhje ligjore, demokratike dhe institucionale. Zonja presidente tha se së shpejti mund të japë një afat deri kur mund të pritet për të dalë nga kjo krizë institucionale”, ka shtuar Kurti

Mobi Casa

Kurse, lideri i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, ka kundërshtuar idenë e zgjedhjeve të reja, mirëpo as Limaj nuk ka treguar se si do të mundë të tejkalohet kriza politike. “Vendi nuk ka nevojë që të shkojë në zgjedhje. Në zgjedhje të jashtëzakonshme zakonisht shkohet kur nuk ka zgjidhje tjetër. Por, ne kemi zgjidhje”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka thënë se të gjitha subjektet politike duhet të reflektojnë mbi situatën politike në vend, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje. “Momenti është gjithkush të reflektojë dhe të gjejë zgjidhje, jo vetëm sot, por besoj angazhimi i të gjithëve është që në çdo moment të reflektojë dhe të gjejë zgjidhje në kuptimin pozitiv, që zgjidhja të jetë në kornizat e dispozitave kushtetuese dhe duke respektuar shumicën parlamentare dhe besoj këtë po e reflektojnë të gjithë”, ka përfunduar Limaj.

Me presidenten, Atifete Jahjaga, nuk u takua lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, për shkak të angazhimeve të tij, megjithatë mësohet se ai ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidenten./zëri/