RCCOLA

Kurti: Pavarësia vetëm në letër, se vendimet i marrin të huajt

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Pavarësia e Kosovës nuk është as e plotë e as e vërtetë. Kosova është e pavarur vetëm në letër, por jo edhe në realitet, thotë lideri në largim i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në një intervistë përballë politologut Janusz Bugajski, realizuar në Prishtinë, Kurti shprehet: “Ne kemi shpallur pavarësinë para shtatë vjetëve, por pavarësisë sonë i mungon në njërën anë sovraniteti dhe integriteti territorial, e në anën tjetër zhvillimi ekonomik që to të sillte mirëqenie për qytetarët”.

Sipas Kurtit, sfida të pazgjidhura nga asnjë qeveri e deritanishme në Kosovë mbeten papunësia shumë e madhe por edhe qyteti i ndarë i Mitrovicës.

Fundamenti

“Kur t’i zgjidhim këto dy probleme”, thekson Albin Kurti, “kjo do të jetë më e rëndësishme se sa vetë shpallja e pavarësisë”, transmeton koha.net.

Pyetjes së Bugajskit mbi vendimmarrjen në politikën e brendshme dhe të jashtme të shtetit të Kosovës, Kurti i përgjigjet: “Nuk është e plotë sepse EULEX-i ka zëvendësuar UNMIK-un, siç ndikimi i BE-së ka zëvendësuar ndikimin e UN-it, por ne vazhdojmë të mbesim në paradigmën e njëjtë të stabilitetit afatshkurtër politik, në vend të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”.

“Njerëzit nga EULEX-i kanë imunitet nga ndjekja penale, kanë kompetenca ekzekutive, nuk e njohin pavarësinë tonë. Ne nuk kemi asnjë rast të vetëm kur një zyrtar i EULEX-it i raporton institucioneve të Kosovës. Nuk i raportojnë Parlamentit, përfaqësuesve të zgjedhur të popullit. Dhe sërish, si UNMIK-u, kanë kujdes që në Kosovë të kemi paqe dhe siguri, por jo edhe aq drejtësi dhe demokraci. Kjo është vërtetë e pikëllueshme, pas 16 vjetëve të çlirimit, të duket sikur kanë kaluar 16 javë dhe jo 16 vjet”, ka theksuar mes tjerash Kurti.