UBT

Kurti pas takimit me kancelarin austriak: Vjena ka qenë dëshmitar i negociatave të vështira dhe kompromiseve të dhimbshme

/ 4 minuta lexim

Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në shtetin austriak pas takimit që zhvilloi me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer ka folur për marrëdhëniet e ngushta që ka Kosova dhe Austria si dhe mbështetjen që i ka dhënë ky shtet Kosovës atëherë kur ka pasur nevojë.

Kurti në një konferencë për media ka thënë se gjatë bisedës me kancelarin austriak ka folur edhe agresionin rus ndaj Ukrainës si dhe ndikimeve keqdashëse të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
“Kemi folur po ashtu edhe për agresionin rus ndaj Ukrainës dhe i shpjegova kancelarit disa prej ndikimeve keqdashëse të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, përmes aktorëve të ndryshëm aty. Kosova menjëherë ka dënuar invadimin rus dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe i është bashkuar sanksioneve të BE-sa ndaj Rusisë. Kemi strehuar 12 gazetarë të Ukrainës të cilët janë bërë banorë të Prishtinës dhe kemi ofruar kushte pune për ta, po ashtu kemi ofruar që të strehojmë deri në 5 mijë refugjatë Ukrainës”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu tha se e ka njoftuar kancelarin austriak edhe për punën e qeverisë së Kosovës si dhe për fuqinë punëtore.

“Po ashtu e njoftova dhe me qeverinë tonë llogaridhënëse, transparente, dhe me fuqinë tonë punëtore që është e re dhe e talentuar. Ka dhe më shumë hapësirë për bashkëpunim, investime ekonomike, shkëmbime tregtare. Pra folëm për atë se si të avancojmë marrëdhëniet tona bilaterale midis Kosovës dhe Austrisë në politikë, administratë e kulturë. Po ashtu e ftova që t’i bashkohet shumë delegacioneve ekonomike austriake në Kosovë këtë vit ”, u shpreh ai.

Fidanishtja

Kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij gjithashtu u shpreh se kjo është vizita e parë jashtë vendit për këtë vit.

“Kjo është vizita ime e parë zyrtare këtë vit dhe ku më mirë të fillohet se në qytetin e bukur të Vjenës. Austria është mike e afërt dhe partnere e afërt me Kosovën. Jemi të kënaqur që të qëndrojmë në këtë shteg të zgjerimit të marrëdhënieve tona në çdo aspekt tjetër. Megjithatë më pak se dy dekada më parë, ky qytet ka qenë dëshmitar i negociatave të vështira dhe kompromiseve të dhimbshme që përfundimisht çuan në Pavarësinë e Kosovës si dhe për një muaj do të shënojmë 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës sonë. Diplomatë dhe aktivistët e kanë mbështetur Kosovën në kohë nevoje dhe sot janë zëri i arsyes në institucionet evropiane. Jemi shumë mirënjohës dhe është dëshmi e marrëdhënieve tona duke qenë se Austria është partnere në krahun tonë dhe jemi të sigurt që do të arrijmë qëllimin tonë si Kosovë”, tha ai.

Kurti theksoi po ashtu se: “Ne do të vazhdojmë me agjendën tonë të reformave duke shtruar rrugën për anëtarësimin në BE, për të cilin kemi aplikuar para një muaji, e vlerësojmë mbështetjen austriake për aplikimin tonë. Në bazë të vlerësimeve të pavarura, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi ynë është që të jemi pjesë plotësisht e integruar e BE-së, pa përshpejtim e pa dyer anësore, por duke ndërtuar BE-në brenda vendit tonë, me popullin tonë. Dhe me një BE me të cilin ndajmë jo vetëm kontinentin por edhe vlerat e sundimit të së drejtës, demokracisë, pluralizmit politikë, paqes dhe prosperitetit. Po ashtu aspirojmë anëtarësim në Këshillin e Evropës”. /Telegrafi/