Kurti paralajmëron ndërprerje të tregtimit te energjisë me kompani serbe, arsye bllokada e linjave të interkoneksionit nga Beogradi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar tri vendime të rëndësishme në sektorin e energjisë, të cilat pritet të miratohen në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Kurti ka bërë të ditur se njëra nga masat parasheh ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompani serbe.
“Së pari do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe si masë e parë ndaj Serbisë për ndalimin e linjave ndërkufitare për tregim, që mund të përshkallëzohet nëse s’ka reflektim”, ka thënë Kurti.
Si masë tjetër, Qeveria do t’i vendosë Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) obligim që të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, me qëllim të përballimit të sfidave në furnizimin me energji elektrike.
Ndërkaq, masa e tretë emergjente lidhet me ndërmarrjen publike Ibër-Lepenc, së cilës do t’i mundësohet shitja e energjisë elektrike për furnizimin e shërbimit publik.
Këto masa, sipas Kurtit, synojnë të adresojnë sfidat në sektorin e energjisë dhe të sigurojnë furnizim të qëndrueshëm gjatë muajve të ardhshëm.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka folur edhe për vizitat e javës së kaluar në Francë dhe Irlandë, ku tha se ishte pritur nga zyrtarë të lartë shtetërorë.
Ai përmendi pjesëmarrjen në Forumin e Paqes në Paris, si dhe takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kurti theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet një prioritet strategjik i Kosovës, duke shtuar se është thelbësore që Këshilli i NATO-s të kërkojë opinion nga Komisioni për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

