RCCOLA

Kurti-opozitës: Qeveria mund ta vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa marrëveshjet ndërkombëtare

/ 2 minuta lexim

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pasi opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare, për ratifikimin e të cilave nevojiten votat e së paku 80 deputetëve.

Kurti ka thënë se me mosvotim, opozita po ua vështirëson punën, por se qeveria e tij mund ta çojë mandatin deri në fund edhe pa këto marrëveshje, raporton Express.

Nga mosvotimi i tyre, Kurti ka deklaruar se po humbin qytetarët dhe se Kosova duket joserioze para partnerëve ndërkombëtarë.

UBT

“Që marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve, për këtë pajtohet edhe opozita, megjithatë ata nuk po i votojnë. Cila është arsyeja? Të bllokohet Qeveria? E vërtetë që na e bëni punën më të vështirë dhe e bëni shtetin të duket joserioz para partnerëve ndërkombëtarë, por megjithatë Qeveria mund të vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa marrëveshje ndërkombëtare. Por, me këtë mosvotim nga opozita, humbin qytetarët”, ka deklaruar Kurti, gjatë seancës së Kuvendit.

Ai tha se marrëveshjet që po presin ratifikimin, nuk janë as të dëmshme e as nuk shkaktojnë obligime që rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të vendit. Tha se bëhet fjalë për mbi 360 milionë euro, që ose janë kredi të buta ose grante.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë që për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duhen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit, pra 80 vota së paku. Kjo është bërë si masë parandaluese që qeveritë e papërgjegjshme të mos nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme apo të hyjnë në obligime financiare që rrezikojnë qëndrueshmërinë e shtetit. Tani Marrëveshjet që po presin ratifikimin nuk janë as të dëmshme e as nuk shkaktojnë obligime që rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të Kosovës. Përkundrazi kemi të bëjmë me mbi 360 milionë euro që ose janë kredi të buta me kushte koncensionale ose janë grante, para falë që nuk duhet të kthehen fare dhe të investohen në projekte zhvillimore që janë aq të nevojshme”, tha Kurti./Express