Kurti: Nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog, as dialog me harta dhe as marrëveshje ku presidentët qëndrojnë sipër hartave

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me anëtaren e kryesisë, Fitore Pacolli, ka pritur sot në takim bashkëpunëtorin e programit për Politikë të Jashtme në Institutin Brookings, njëherit anëtarin e Bordit Këshillimor të Nivelit të Lartë për Ndërmjetësim pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Jean-Marie Guehenno, të shoqëruar nga Mark Baskin dhe Cristian Bobocea nga Qendra Humanitare për Dialog (HD).

Në njoftimin e bërë nga Vetëvendosje thuhet se, Guehenno ka uruar Kurtin për procesin dhe rezultatin zgjedhor.

“Ai shprehu interesimin për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, dhe për prioritetet e qeverisë së re, pjesën që ka të bëjë me dialogun me Serbinë për të cilën edhe tha se do ta ofroj mbështetjen përbrenda qasjes që do e ndërtoj qeveria e re e vendit”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Tutje në njoftim thuhet se kryetari Kurti e ka falënderuar Guehenno për vizitën dhe urimin.

“Ai e njoftoi atë se rreth 80 për qind e programit qeverisës tashmë është harmonizuar me Lidhjen Demokratike dhe që tani ka mbetur vetëm ndarja e përgjegjësive, funksioneve e pozitave që pritet të ndodhë shumë shpejtë. Ai tha se prioritet i qeverisë do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës dhe drejtësia ku aktivisht luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta shtetërore”, vijon njoftimi.

Tutje LVV njofton se në takim Kurti ka folur për krijimin e Gjykatës Komerciale, Bankën Zhvillimore dhe Fondit Sovran që së bashku me investimet nga jashtë, e para së gjithash nga diaspora do e shtrojnë rrugën e zhvillimit që sjellë punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit.

Kurse sa i përket dialogut, LVV bën të ditur se Kurti ka përsëritur qëndrimin se nuk mund të ketë marrëveshje pa dialog, as dialog me harta dhe as marrëveshje ku presidentët qëndrojnë sipër hartave në tryezë.

“Vetëm një dialog i përgatitur mirë dhe parimor ku qytetarët dhe shoqëria janë përfituesit kryesorë sjell një marrëveshje të qëndrueshme”, ka thënë Kurti në takim.

Në fund të këtij takimi, palët shprehen gatishmërinë dhe interesimin e tyre për ta vazhduar komunikimin në të ardhmen. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).