UBT

Kurti: Nuk është koha për festime të rrejshme

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Ju do të prisnit që do të na gjente të kënaqur fakti që një nga katër misionet ndërkombëtare në Kosovë, me fuqi ekzekutive, i cili ishte edhe misioni i vetëm që ka njohur zyrtarisht pavarësinë tonë, është duke u larguar.

Megjithatë, largimi i tij zyrtar ka pak rëndësi kur mandati i tij – zbatimi i Planit të Ahtisaarit – ka pasur efekte të përhershme dhe të dëmshme për vendin tonë, thuhet në letrën që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ua ka dërguar ambasadorëve të Kuintit.

“Duke na parë vetëm nëpërmjet prizmit etnik, Plani i Ahtisaarit e ka institucionalizuar ndarjen etnike në vendin tim. Ai ka krijuar autonomi territoriale për minoritetin serb në Kosovë, që përbën 5 për qind të popullsisë, në 20 për qind të territorit tonë. Ai ka krijuar kufij të tjerë autonomë përreth zonave të shumta ortodokse, të cilat i ka definuar si pronë të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd.

Pra, ai i ka instrumentalizuar këto vende kulturore politikisht, në vend që t’i respektojë ato si trashëgimi të gjithë popullit të Kosovës, dhe duke u dhënë besimtarëve të saj të sotëm lirinë për ta përcaktuar vetveten. Së treti, ky Plan ka dashur të transformojë identitetin e Kosovës duke e imponuar përkufizimin e tij për ne si ‘shoqëri multietnike’, pa pëlqimin tonë, dhe duke e mohuar realitetin se mbi 90 për qind e popullsisë sonë është shqiptare”.

Kurti shton se nuk ka shumë arsye për të festuar largimin e ICO-së, kur “tentakulat e saj do të mbeten”.

“Ligje me rëndësi të madhe për vendin na janë imponuar, me udhëzime të lëshuara nga zyrtarë ndërkombëtarë për mënyrën si duhet të votojnë deputetët. Këto ligje kanë rrënjosur praninë e përhershme të zyrtarëve ndërkombëtarë në institucionet e Kosovës, ashtu siç parashihet me Planin e Ahtisaarit. Është e paqartë se kush do t’i emërojë këta zyrtarë dhe para kujt do të jenë përgjegjës. Prania e tyre e vazhdueshme e dobëson demokracinë tonë tashmë të brishtë”.

HIDROMORAVA

Lideri i VV-së i konsideron si mashtrim të paturpshëm deklaratat se pavarësia e mbikëqyrur ka përfunduar.

“Përveç rolit ekzekutiv të NATO-s në sigurinë dhe menaxhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe institucioneve të mbetura të UNMIK-ut në Prishtinë dhe Mitrovicë, EULEX-i është ende në Kosovë. Sipas një marrëveshjeje të re ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, misioni i EULEX-it do të jetë këtu së paku deri në vitin 2015, me mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në preambulën dhe klauzolat përkatëse të dokumentit themelues të EULEX-it, Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së 5928/08, i cili e bazon misionin e EULEX-it në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe që përcakton një seri kompetencash ekzekutive mbi institucionet e Kosovës. Për më tepër, BE-ja ende nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e nëntorit 2008 me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së lidhur me ‘neutralitetin ndaj statusit’ të misionit të saj”.

Pas 10 shtatorit 2012, thekson Kurti, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të varura nga misionet ndërkombëtare me kompetenca ekzekutive, mbi ato që u jepen Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë nëpërmjet procesit demokratik. Kosova

“do të vazhdojë të strehojë brenda kufijve të saj misione ndërkombëtare të bazuara në Rezolutën e OKB-së që njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, dhe në rastin më të mirë është e definuar si ‘neutrale ndaj statusit’. Përveç kësaj, ne përballemi me kërcënime të vazhdueshme ndaj sovranitetit tonë politik nga Serbia dhe me një kërcënim shumë shqetësues ndaj sovranitetit tonë ekonomik nga një proces i korruptuar i privatizimit”.

Sipas tij, vendi ynë ndodhet në një pikë kritike në mbijetesën e shtetësisë së tij.

“Nuk është koha për festime të rreme, të cilat janë duke u përdorur nga elita jonë politike e korruptuar dhe e diskredituar për të zgjatur jetën e tyre në pushtet dhe për të mashtruar mizorisht popullin tonë”, thekson ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/