Uji Dea

Kurti: Nuk e kam ditur se do të ketë rregullore për dinarin

/ 2 minuta lexim

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Gjermani, ku u mbajt Konferenca e Sigurisë, ka thënë se nuk ka pasur asnjë ide për përgatitjen e rregullores së re të Bankës Qendrore, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Këto komente Kurti ka bërë në një intervistë për radion “Monocle”, e cila është transmetuar sot, derisa ka shtuar se kritikat e aleatëve filluan pas kundërshtimit që i bëri presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, këtij vendimi.

“Më 27 dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim për këtë rregullore të re, për t’i luftuar aktivitetet e paligjshme…dhe bëri mirë. Nuk kisha ide se do ta sjellin këtë vendim, apo se do ta hartojnë këtë rregullore (për ndalimin e dinarit)”, është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar.

“Gjithsesi, gjithçka po shkonte mirë. Në mes të janarit, pikërisht sepse përgatitjet po shkonin mirë, Vuçiq alarmoi rajonin dhe Evropën se prej 1 shkurtit do të ndodhte katastrofa, kur do të përjashtohej dinari. Atëherë nisi presioni”.

Mobi Casa

Ai ka bërë me dije se qytetarët serbë mund të mbajnë dinarë, por jo të paguajnë me të, pasi që, duke u referuar në Kushtetutë, ka thënë se valuta e vetme në Kosovë është euro.

“Nuk po e ndalim dinarin, por mjet pagese duhet të jetë euro sipas Kushtetutës. Janë 33 mijë pensionistë që marrin pensione nga qeveria jonë”.

Kurti ka shpjeguar se vendimi i BQK-së ka për qëllim ndalimin e aktiviteteve të paligjshme, dhe treguar se nëse Serbia dëshiron të dërgojë para për serbët në Kosovë, atë mund ta bëjë përmes bankave komerciale që janë në vend.

“Nëse ata dëshirojnë që të dërgojnë para për edukimin, shëndetësinë, nëse duan… dhe ne do të pranojmë, duhet që të bëhet përmes bankave, 10 bankave komerciale në Kosovë, në ndonjërën prej tyre”, ka shtuar kryeministri. /Telegrafi/