UBT

Kurti: Nuk duam pazare postesh, por shtet të mirë

/ 3 minuta lexim

Lëvizja “Vetëvendosje”, ishte e para që u bëri thirrje partive opozitare për t’i thonë “Jo” koalicionit me partinë fituese PDK-në, në mënyrë që kreut të saj Hashim Thaçit të mos i lejohej marrja edhe e një mandati.

Për të parën herë opozita, LDK, AAK dhe Nisma, u bënë bashkë dhe i thanë “Po” idesë së kreut të VV-së, Albin Kurtit.
Por edhe pse Kurti e nisi iniciativën, ai nuk mori pjesë në ndarjen e posteve që bën tre liderët opozitarë, të cilët nënshkruan të martën një marrëveshje përmes së cilës i thanë “Jo” koalicionit me PDK-në, por të njëjtën kohë i caktuan postet për vete, ku Haradinajt iu la posti i kryeministrit, Isa Mustafës posti i kryeparlamentarit, ndërsa Limajt, ai i zëvendëskryeministrit.

Në një konferencë për media, Albin Kurti shprehi gëzimin për bashkimin e opozitës për të mos lejuar themelimin e qeverisë Thaçi 3, ndërsa ndarja e posteve tha se nuk është prioritet i VV-së.

“Ne nuk jemi pjesë e një marrëveshjeje të tillë për ndarjen e posteve. “Vetëvendosja” e ka me rëndësi konceptin dhe programin qeverisës. “Vetëvendosja” ka qenë pjesë vetëm e negociatave për të mos e lejuar qeverisjen e Thaçit 3”, tha Kurti.
Ai tha se hapi i parë ka qenë bashkimi i opozitës për t’i thonë “Jo” Thaçit, faza e dytë thotë se do të jetë ajo se çka nuk duhet të bëjë kjo qeveri e re, për shkak se nuk ka kuptim të vazhdojë punën e njëjtë të Thaçit.

Eco Higjiena

“E ajo që nuk duhet të bëjë kjo qeveri e re është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, themelimi i asociacionit të komunave serbe dhe privatizimi i “Trepçës”, KEK-ut e Postës”, tha Kurti, i cili shtoi se nuk ka kuptim të ndërrohet Thaçi për të vazhduar punën e tij.
“Duhet të ketë një ndërprerje jo vetëm të keqqeverisjes por edhe të proceseve negative si bisedimet me Serbinë, e privatizimi i dëmshëm”, shtoi Kurti.

I pyetur nëse do të jetë apo jo pjesë përbërëse e qeverisë së re, ai tha se “Vetëvendosja” i ka dy opsione, e para: ta mbështesë qeverisjen e re pa pjesëmarrje, apo ta mbështesë me pjesëmarrje në të, por siç u shpreh ai “ende nuk kanë ardhur te kjo fazë”.

Kurti shtoi se për VV-në, por edhe për gjithë Kosovën duhet të jetë gëzim rrëzimi i Thaçit, e jo ndarja e posteve.
”Jam i lumtur që fazën e parë e kemi përfunduar me sukses të plotë ku më pak se për 24 orë prej se kërkuam si VV, nga partitë opozitare për të mos bërë koalicion me PDK-në, mund të themi se nuk ka qeverisje Thaçi 3”, u shpreh ndër të tjerash Kurti./zeri/