UBT

Kurti: Nuk do të lejojmë prekjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës – lufta e UÇK-së ishte e drejtë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejohet kurrë që të preket pavarësia, sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës.

Kurti ka shtuar se menduam që me përfundimin e luftërave që i shkaktoi Serbia në Ballkan, erdhi një paqe e qëndrueshme në Evropë, por ja që siç veproi Serbia dje po vepron Rusia sot.

“Këto dy shtete kanë një lidhje historike e kulturore me njëra-tjetrën, në linjat e autokracisë e despotizmit, agresionit dhe gjenocidit. Kosova në aspektin ndërkombëtar po e bën detyrën e vet, duke u rreshtuar menjëherë e pa asnjë kusht në radhën e vendeve që dënuan Rusinë e që mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Natyrisht, le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës”, u shpreh Kurti, duke shtuar se këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë.

Kurti këto komente i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa përmendi edhe disa nga të arriturat e kësaj lëvizje gjatë katër viteve të kaluara.

“Gjatë katër viteve të shkuara kemi pasur disa momente kulmore. Në shtator të vitit 2018 u mbajt protesta më e madhe në Kosovën e pasluftës, në sloganin “Një popull si nënshtrohet një njeriu”. Në pranverën e vitit 2019 e kemi pasur fushatën masive gjithë Kosovën kundër PAN hajnisë, në tetor të 2019 dolëm të parët në zgjedhje dhe në shkurt të vitit 2020 e krijuam qeverinë e parë të udhëhequr nga LVV, Qeveria Kurti1 siç po e quajnë ata që kanë qejf të numërojnë”, tha Kurti.

Uji Dea

Kurti shtoi se kjo qeveri nuk zgjati shumë sepse na qëlloj partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore dhe kombëtare.

“Në shkurt të vitit 2021, fituam sërish zgjedhjet, kësaj radhe me një rezultat historik, që nuk ka precedent në Kosovë. E sot e kemi qeverinë sërish nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje, në aleancë me Guxo e Alternativën, që po e quajnë qeveria Kurti2, ata që kanë qejf të numërojnë. Nuk do t´ua prishim qejfin, nuk do t´ua ndalim numërimin”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri ka folur edhe për Rexhep Selimin i cili ndodhet në paraburgim në Hagë së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, derisa tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe është e drejtë.

“Rexhep Selimi, aktivisti ynë, deputeti në kuvendin e Kosovës, gjenerali i UCK që e kishim anëtar kryesie e kryetar të Grupit Parlamentar për të cilin kemi shumë krenari e mall, por jam i sigurt që shpejt do ta kemi sërish teksa urojmë që të lirohet nga ato akuza të pabaza që janë bërë ndaj tij dhe të tjerëve. UÇK ishte dhe është e drejtë, andaj ajo do të dal e pastër edhe nga gjyqe të imponuara padrejtësisht nga politikanë të cilëve u mungonte largpamësia”, tha Kurti. /Telegrafi/