Mobi Casa

Kurti nga Estonia flet për targat: Jam optimist, por qasja e Beogradit ishte shumë destruktive

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhet për një vizitë në Estoni, ndërkaq nga atje duke folur për çështjen e targave tha se Qeveria e Kosovës është duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit.

Kurti në një konferencë për media me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas ka thënë se është optimist megjithëse qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive.

“…Jemi duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në këto negociata të reja. Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke”, është shprehur Kurti.

Ai tha më tej se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është në komunikime të rregullta dhe intensive me Brukselin lidhur me këtë çështje.

“Janë rreth 9 mijë vetura me targa ilegale serbe. Kjo është më pak se 10 për qind të veturave që serbët në Kosovë kanë dhe është një pakicë ekstreme brenda shumicës serbe që po refuzojnë këto targa”, ka theksuar ai.

Kryeministri Kurti është pyetur edhe rreth asaj se sa është i kënaqur me punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kreu i ekzekutivit të vendit tha se në ish-Jugosllavi janë vrarë rreth 150 mijë joserbë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, ndërkaq për fat të keq në Serbi as 150 njerëz për këtë nuk kanë shkuar prapa grilave.

UBT

Sipas tij, vendet demokratike nuk mund të mbështeten vetëm në gjykatat e një vendi të vetëm dhe për këtë arsye tribunalet ndërkombëtare janë të nevojshme.

“Vetëm në vendin tim, në Kosovë 10 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë. Prej tyre 10 për qind fëmijë, janë dhunuar shumë femra, 120 mijë shtëpi janë shkatërruar ose djegur. 860 mijë refugjatë është dashur të ikin për shkak të gjenocidit të Serbisë dhe nuk ndjejmë që drejtësia është përmbushur”, ka thënë Kurti.

Ai tha se pajtimi dhe paqja e qëndrueshme pa drejtësi nuk mund të arrihen, ndërsa shtoi se duhet të ketë një Tribunal ndërkombëtar edhe për viktimat e invazionit rus.

Ndërkaq, kryeministrja estoneze Kaja Kallas ka përgëzuar shtetin e Kosovës për qëndrimin e saj në raport me agresionin rus në Ukrainë.

Ajo tha se marrëdhëniet mes Estonisë dhe Kosovës janë shumë të mira dhe më të ngushta se që kanë qenë.

Kryeministrja estoneze shtoi më tej se Kosova ka mbështetjen e plotë të shtetit të saj në proceset euroatlantike. /Telegrafi/