RCCOLA

Kurti: Negociatat me Serbinë po e dërgojnë Kosovën drejt dështimit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë prezantimin e 881 kandidatëve për asambleistë në të gjitha komunat e vendit dhe 28 kandidatët për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka thënë se janë dy momente të veçanta të rritjes së tyre. Sipas tij, momenti i parë në vitin 2010 kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe tash në vitin 2013 kur do të mbahen zgjedhjet lokale.

Kurti ka thënë se ata janë të gatshëm të fitojnë me 3 nëntor. Sipas tij, Kosova është shpallur shtet multi-etnik, por në vend se të kenë integritet territorial, tash po ngjan territorializimi i multietnicitetit, apo federalizimi i Kosovës.

“Bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me Serbinë po e normalizon entitetin e Serbisë brenda Kosovës, që më tej e kthen Kosovën në një shtet të dobët, gjithnjë e më të dobët, drejt dështimit të plotë të tij. Kjo e ka gjymtuar edhe idenë e nocionin e komunës në Republikën e Kosovës. Nuk është e rastësishme që entiteti i Serbisë në Kosovë po quhet Asociacion a Bashkësi e komunave me shumicë serbe. Në vend se të kemi bashkësi të qytetarëve brenda komunave po sajohet Bashkësia e komunave që i ndajnë njerëzit mbi baza etnike dhe privilegjojnë njërën përkatësi”, ka thënë Kurti.

Kurti me tutje ka shtuar se Komuna është marrëdhënia e afërt e qytetarëve, interesi dhe përgjegjësia e përbashkët, është intersubjektiviteti i institucionalizuar i qytetarëve, Komuna nuk privilegjon dhe komuna nuk diskriminon prandaj, quhet komunë dhe është komunë.

“Punëtorë e studentë, mjekë e arsimtarë, ndërmarrës prodhues e të papunë, zejtarë e tregtarë, bujq e minatorë, artistë e sportistë, gra e burra, pleq e të rinj, janë bashkë në komunë sepse secili banon e jeton aty. Komunë do të thotë: bashkë për secilin. Jo një komunë që punëson brenda vetes fitimtarët, por një komunë që jashtë vetes hap mundësi për qytetarët. E, mundësitë janë midis qytetarëve. Komuna i gjen ato dhe ribëhet prej tyre sepse, komuna duhet të jetë e qytetarëve dhe qytetarët duhen bërë komunitet”, u shpreh Kurti, transmeton KP.

Mobi Casa

Ndërsa, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti në shoqërinë kosovare ka ende nevojë për hedhjen e disa hapave të rëndësishëm, përveç këtyre që kanë ndodhur globalisht.

“Hapi i parë në këtë drejtim është ndryshimi i perceptimit mbi gruan. Secili prej nesh, qoftë burrë apo grua, ka para vetes detyrën për të vepruar në zhbërjen e kësaj padrejtësie. Pra, në shoqëri gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë. Gratë pra nuk janë aparati i riprodhimit të kombit. Gratë janë gjysma e potencialitetit intelektual e shpirtëror të kombit. Janë gjysma e potencialit tonë shoqëror për zhvillim. Mungesa e aktivizimit të këtij potenciali nënkupton ngecje serioze për shoqërinë. Lufta e fundit theu përfundimisht mitin tradicional mbi eksluzivitetin e binomit trimëri-burrëri. Pamë burra dhe gra duke luftuar krah për krah, siç pamë gra e vajza të afta për ta mbrojtur familjen. Kjo na dëshmoi guximi dhe sakrifica janë virtyte të njeriut, pa dallim gjinie”, ka thënë Dërguti në fjalën e saj.

Sipas saj, tash është koha që gratë të dëshmohen dhe në hapat e ndërtimit të Republikës së Kosovës. Ajo është shprehur se është lumtur që kemi edhe tri gra kandidate për kryetare komunash, të cilave iu është dhënë besimi përmes një procesi të brendshëm zgjedhor, që të shtyjnë përpara konceptin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, Elvis Hoxha, ka thënë se aktivisti i lëvizjes Vetëvendosje e di mirë se marrëdhënia e tij me të tjerët është vetëm politike dhe historike, se komuna ka të drejtën të mendojë veten si histori dhe si politikë, dhe jo të bëhet objekt harrese. Sipas tij, me këto dy përmasa, tashmë jo më vetëm aktivisti por, në përgjithësi, kandidati i VV ndërton ditë për ditë marrëdhënien politike me të tjerët.

VV-ja do të garojë me 881 kandidatë për asamblistë në 32 komuna të Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit, ndërsa, me 28 kandidat për kryetarë komune, ndër to edhe tri gra kandidate. /Telegrafi/