RCCOLA

Kurti në Kralan kujton civilët e vrarë: Përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Në 25 vjetorin e masakrave të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kralan të Gjakovës përkujtoi të vrarët në masakrën ndaj popullsisë civile në këtë fshat.

Duke bërë homazhe fillimisht të varrezat e dëshmorëve në afërsi të shkollës së emëruar “8 Dëshmorët”, Kurti theksoi se shumica dërrmuese e të vrarëve nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Serbi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishin civilë të pambrojtur dhe janë po ata çmimi ynë i paguar për lirinë që sot e gëzojmë.

“Më vjen shumë mirë që shkolla e mban emrin “8 Dëshmorët”, sepse duhet t’ua kujtojmë të gjithë brezave, edhe atyre aktualë edhe atyre që vijnë pas nesh, edhe fëmijëve që nuk kanë lindur ende, do të bëhen nxënës në këtë shkollë një ditë, se liria të cilën ne e gëzojmë, shteti të cilin e ndërtojmë dhe e zhvillojmë i ka rrënjët pikërisht te ky çmim i lartë që e kemi paguar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, tha kryeministri.

Kurti vendosi lule te lapidari në të cilën janë të shkruar 88 emra të shqiptarëve, të cilët siç tha, u vranë sepse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në “tokën e tyre stërgjyshore”.

“Nga mijëra banorë nga rajoni të grumbulluar në Kralan, të ndarë burrat prej grave dhunshëm nga forcat serbe, u vranë 86 civilë të paarmatosur, derisa rrugës për deportim në Shqipëri u vranë dy të tjerë. 11 nga viktimat e këtij krimi kanë qenë fëmijë, ndërkaq 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë. Fakti që kriminelët i kanë vrarë shqiptarët dhe ua kanë rrëmbyer kufomat, tregon se sa shumë ata janë përgjegjës për këtë krim të dyfishtë, andaj Kryeministri theksoi se përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar të cilët duhet t’i kthejnë mbi 1600 trupat e më të dashurve tanë, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë”.

Ai i ka bërë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjë trysni mbi Beogradin, në mënyrë “që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre”.

Dëshmitarët kanë rrëfyer se si mes 2 dhe 4 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, torturuan qindra burra dhe djem shqiptarë, të rrethuar me tanke në një fushë në Kralan. Pas dy ditësh rrahje e keqtrajtimi, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave, të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë, njofton ZKM.

Në këto homazhe, kryeministri shoqërohej nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, deputët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Agon Batusha, si dhe zyrtarë të nivelit qendror e lokal.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti te varrezat e dëshmorëve:

Eco Higjiena

Ne jemi të nderuar që ndodhemi këtu në mesin tuaj në këtë kohë kaq të rëndësishme kur i evokoni kujtimet për 25 vjetorin edhe të betejave të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të krimeve mizore të forcave serbe ndaj popullsisë civile dhe më vjen shumë mirë që shkolla e mban emrin “8 Dëshmorët”. Sepse duhet t’ua kujtojmë të gjithë brezave, edhe atyre aktual edhe atyre që vijnë pas nesh, edhe fëmijëve që nuk kanë lindur ende, do të bëhen nxënës në këtë shkollë një ditë, se liria të cilën ne e gëzojmë, shteti të cilin e ndërtojmë dhe e zhvillojmë i ka rrënjët pikërisht te ky çmim i lartë që e kemi paguar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

Më këtë rast është e rëndësishme që të theksohet gjithmonë se shumica dërrmuese e të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin civil të pambrojtur dhe për këtë janë edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Serbi. Ka pasur procese në Tribunalin e Hagës me ç’rast për shembull Vllastimir Gjorgjeviq është dënuar me 18 vjet burg. Vitin 2019 atij iu patë refuzuar kërkesa për lirim të parakohshëm dhe shumë prej krimeve që janë zhvilluar nga operacioni “Patkoi” i Serbisë në Dukagjin praktikisht janë përfshirë në aktakuzën ndaj tij, mirëpo ai nuk ka ardhur vet këtu që t’i ekzekutoj krimet. Ekzekutorët janë me qindra gjithandej Kosovës dhe do të duhej që të përballeshin me drejtësinë. Nga viti 2019 është mundësuar në Republikën tonë edhe gjykimi e dënimi në mungesë, prandaj Prokuroria e Shtetit do të duhej që si vazhdimësi e dënimit të urdhërdhënësve në Hagë, ku fatkeqësisht krye urdhërdhënësi, kasapi i Ballkanit, Millosheviq, vdiq atje pa e marrë dënimin e merituar, do të duhej të përcjelleshin tash këtu në Kosovë me dënimet e këtyre ekzekutorëve, aq më tepër pra që në Tribunalin e Hagës ekziston gjykimi dhe dënimi për urdhërdhënësit. Tash për të tjerët që kanë kryer këto krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe të gjenocidit në terren, të ketë procese gjyqësore në Kosovë.

Jemi bashkë me ministra, zëvendësministra me deputetë kolegë, përfaqësues të popullit, në mënyrë që të theksojmë edhe njëherë nderimin tonë, obligimin tonë për dëshmorët dhe martirët e kombit, për veteranët dhe invalidët e luftës, për familjet e dëshmorëve, por gjithashtu të bëjmë thirrje për drejtësi institucionale meqenëse plagët ngelen të hapura atëherë kur nuk i mbyll drejtësia për viktimat.

Lavdi gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

Deklarimi i kryeministrit Kurti te lapidari i dëshmorëve:

Jemi këtu në Kralan të Gjakovës te lapidari në të cilën janë të shkruar 88 emra të shqiptarëve të cilët u vranë sepse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Në Kralan, mijëra banorë nga gjithë ky rajon janë grumbulluar, civilë të pambrojtur, të paarmatosur dhe pasi që janë ndarë burrat prej grave shumë prej tyre janë deportuar në Shqipëri, edhe gjatë deportimit ka pasur vrasje dhe 86 janë vrarë këtu edhe dy të tjerë gjatë rrugës, që të gjithë emrat i kanë në këtë lapidari. Dëshmi ka, dëshmitarë ka, por drejtësia ende mungon meqenëse nevojiten aktakuzat, gjykimet dhe dënimet, për kriminelët kudo që janë ata, qofshin edhe në mungesë. 11 kanë qenë fëmijë dhe përveç kësaj 18 prej këtyre që u vranë janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë, ku Serbia u përpoq që ta varrosë të vërtetën pasi i zhvarrosi kufomat e i rrëmbeu ato.

Fakti që kriminelët i kanë vrarë shqiptarët dhe ua kanë rrëmbyer kufomat, tregon se sa shumë ata janë përgjegjës për këtë krim të dyfishtë.

Andaj, ju bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë, e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre.

Pra, përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar dhe prej andej ne do të duhej që të mësojmë dhe të na kthehen edhe trupat e më të dashurve tanë, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë. Mbi 1600 të pagjetur janë ende në Kosovë.