Kurti: Mitrovica është trekëndëshi i krimit të organizuar

Mitrovicë – Në një takim zgjedhor të Vetëvendosjes së u mbajt sot në Mitrovicë Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka përmendur varfërinë dhe papunësinë në qytetin e Mitrovicës, për të cilat tha se janë në shkallën më të lartë sesa në çdo vend tjetër të Kosovës, si pasojë e keqpërdorimeve nga ana e pushtetarëve. Sipas tij, Mitrovica është qyteti më i vlefshëm në vend, sepse pa të nuk mund të ketë as Kosovë sovrane.
“Qyteti i Mitrovicës është trekëndëshi i krimit të organizuar, i agjenturës së SHIK-ut, dhe i korrupsionit institucional, trekëndësh në të cilën po fundoset perspektiva e Mitrovicës”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ai ka potencuar shtetin e së drejtës për drejtësi, pastaj shtetin zhvillimor për prodhim, si dhe shtetin social për mirëqenie të të gjithë qytetarëve, si tre shtyllat kryesore të konceptit të Vetëvendosjes, dhe alternativë për qeverisje të mirë.
“Në vend se të jetë Komuna më e zhvilluar për shkak të potencialit, Mitrovica është bërë Komuna më e varfër për shkak të keqpërdorimeve” tha Kurti, duke shtuar se pa ujin e Liqenin e Ujmanit dhe pa Trepçën, nuk mund të flasim as për Kosovë sovrane e as për Kosovë të zhvilluar. “Trepça është trajtuar nga të gjitha instancat e pushtetit në Kosovë, vendor e ndërkombëtar, sikur barrë e jo pasuri. Ajo që dikur ishte krenaria ekonomike e industriale e Kosovës, e që kishte qenë po ashtu objekti më tërheqës për pushtim e kolonizim të vendit tonë, që prej çlirimit filloi të konsiderohej si fatkeqësi. Të gjithë e dimë se një vend punë nën tokë tek xehet, i hap 4 vende të punës mbi tokë në prodhim, përpunim, shpërndarje dhe shitje. Në vitin 1983 Trepça punëson më shumë se 23.000 punëtorë, ishte një prej dhjetë kompanive më të suksesshme në Jugosllavi”, theksoi Kurti, duke shtuar se Trepça duhet të trajtohet me qasje zhvillimore, dhe se beteja për Trepçën është betejë për gjithë Kosovën, ngase e gjithë Kosova varet nga Mitrovica dhe nga Trepça, njofton Vetëvendosje përmes një kumtese.
Spastrimi etnik që u bë në veri të Mitrovicës, nuk ka ndodhur vetëm gjatë luftës por është vazhduar edhe pas luftës. Ndonëse për këtë gjë fajtor është Serbia, gjithsesi përgjegjësi mbanë edhe KFOR-i e sidomos Qeveria e Kosovës dhe institucionet lokale të cilat nuk janë angazhuar asnjëherë për njëmend për bashkimin e qytetit e madje as për pengimin e ndarjes së tij. “Për t’u bërë edhe më keq se kaq u kujdes Qeveria aktuale e cila në bisedime në Bruksel vendosi që veriu i Kosovës të ketë një rajon të veçantë policor dhe një fond të posaçëm për zhvillim, përderisa dihet sipas studimeve të organizatave ndërkombëtare se standardi i serbëve në veri është dy herë e gjysmë më i lartë sesa i shqiptarëve në jug të Mitrovicës”, theksoi Kurti.