RCCOLA

Kurti: Lirinë e prisja nga UÇK-ja, jo nga NATO-ja

/ 13 minuta lexim
Hidromorava

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për kohën sa ka qenë në burg, ku ka treguar perceptimin e tij për luftën gjatë asaj kohe. Ai në një intervistë për gazetën Shekulli, ka deklaruar se Lirinë e priste nga UÇK-ja e jo nga NATO, sepse siç thotë ai ‘Liria s’vjen prej jashtë, ashtu qysh demokracia s’vjen prej lart.

Misioni i NATO-s ishte paqja në Kosovë, jo liria e pavarësia e Kosovës. NATO bënte luftë kundër luftës së Milosheviqit. Intervenimi i NATO-s nuk kishte mandat politik por humanitar: të shpëtojë popullsinë e Kosovës nga gjenocidi i Serbisë. Në anën tjetër, ishte intervenim i kufizuar me sulme nga ajri pa trupa tokësore. Në këtë kuptim, intervenimi ishte i mangët ndonëse gjithsesi i drejtë, i rëndësishëm dhe i dobishëm.

Për mua, liria është liri politike që konsiston tek e drejta e vetëvendosjes. Para lirisë së zgjedhjes duhet ta kemi zgjedhjen e lirisë. Përndryshe përfundon te liberalizmi pa liri’. Kurti gjithashtu ka folur për bashkimin e Trojeve Shqiptare, opozitën e Shqipërisë si dhe Trazirat e 21 janarit.
Më poshtë po ju sjellin intervistën e plotë të Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Ju jeni arrestuar dhe keni vuajtur në burgjet serbe. Si e shihnit të ardhmen e Kosovës gjatë vuajtjes së dënimit? A kishit shpresa në atë kohë për një Kosovë të pavarur, d.m.th. a e dinit fatin e luftës?

Gjatë bombardimeve të NATO-s, pra në pranverën e vitit 1999, shumëçka ishte e paqartë. E për mua që isha i izoluar në burg, ishte dyfish e paqartë. Kur gardianët e burgut dëgjonin lajmet me zë më të lartë mundohesha të marr vesh ndonjë gjë, ndonëse asisoj e kisha veçse negativin e fotografisë: lajmet që i transmetonte Beogradi në funksion të politikës së Milosheviqit. Në anën tjetër, sa herë që na e sillnin në qeli ndonjë të burgosur të ri shqiptar, teksa i ndihmonim të shtrihej pas lëndimeve që i kishte pësuar prej rrahjeve, çdo herë e pyesnim për të rejat nga lufta e politika. Atëbotë, fuqitë e mëdha perëndimore negocionin ndërmjet veti e karshi Rusisë për një zgjidhje për Kosovën e cila do t’i jepte fund luftës.

Një gjë e dija: nëse NATO-ja e përmbyll luftën nuk do të kemi pavarësi, e nëse luftën e përmbyll UÇK-ja atëherë do të mund të kemi edhe më shumë se pavarësi. Më vonë, gjatë vuajtjes së dënimit, kam qenë më shumë i informuar për shkak të qarkullimit shumë më të madh të të burgosurve dhe një radioje që e mbanim tinëz në qeli. Pra, e kam ditur që jemi nën administrimin e UNMIK-ut, që KFOR-i është forca ndërkombëtare paqeruajtëse, që janë tërhequr policia dhe ushtria e Serbisë, që janë kthyer refugjatët shqiptarë, që Mitrovica ka mbetur e ndarë, që UÇK-ja u demilitarizua, që nisi privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore etj.

Nga kush e prisnit lirinë, nga UÇK apo NATO?

Nga UÇK-ja, natyrisht. Liria s’vjen prej jashtë, ashtu qysh demokracia s’vjen prej lart. Misioni i NATO-s ishte paqja në Kosovë, jo liria e pavarësia e Kosovës. NATO bënte luftë kundër luftës së Milosheviqit. Intervenimi i NATO-s nuk kishte mandat politik por humanitar: të shpëtojë popullsinë e Kosovës nga gjenocidi i Serbisë. Në anën tjetër, ishte intervenim i kufizuar me sulme nga ajri pa trupa tokësore. Në këtë kuptim, intervenimi ishte i mangët ndonëse gjithsesi i drejtë, i rëndësishëm dhe i dobishëm. Për mua, liria është liri politike që konsiston tek e drejta e vetëvendosjes. Para lirisë së zgjedhjes duhet ta kemi zgjedhjen e lirisë. Përndryshe përfundon te liberalizmi pa liri.

Z. Kurti, u bënë 8 vite që prej themelimit të Vetëvendosjes dhe ju jeni në opozitë. Pse e shihni këtë nismë si një histori suksesi?

Ne jemi opozitë që përbën rezistencën. Përderisa Kosova është në këso gjendje të rëndë, ne s’mund të ishim diku tjetër përveçse në opozitë. E kur ne do të jemi në pozitë, atëherë dhe tashmë gjendja nuk do të jetë kështu e rëndë por krejtësisht ndryshe. Në përgjithësi, nuk mendoj që suksesi paraqet legjitimitet. Por, para se të vijmë këtu, nuk mendoj që ardhja në pushtet është suksesi. E, para se të vijmë edhe këtu, një lëvizje politike që synon transformim socio-politik të shtetit dhe shoqërisë si puna jonë, nuk shprehet me terme biznesi çfarë janë suksesi-dështimi, oferta-kërkesa etj.

Si e shihni rolin e faktorëve shqiptarë në rajon? Roli i politikanëve shqiptarë në Maqedoni dhe Mal të Zi? Çfarë mund të bëjnë më shumë?

Tepër shumë faktorë për të qenë faktorë. Partitë e shumta shqiptare fillimisht përvetësojnë identitete ideo-politike të posaçme por mandej i karikaturojnë diferencat që i kanë me njëra-tjetrën për t’i shndërruar më pas ato diferenca në elemente konstituive të atyre identiteteve që kësisoj depolitizohen duke u kulturalizuar e personalizuar. Vullneti i shqiptarëve gjithandej kufijve është për bashkim, e ne të gjithë duhet të udhëhiqemi në radhë të parë nga ky vullnet. Së pari, shqiptarët jashtë Shqipërisë e Kosovës dhe subjektet e tyre politike duhet të jenë radikal brenda institucioneve të sistemit por edhe të bëjnë aktivitete jashtinstitucionale të padhunshme. Së dyti, ata duhet ta kultivojnë dhe forcojnë idenë e kombit dhe kombin si formacion socio-historik të modernitetit: kombi është, përveçse vlerë, edhe armë e fuqishme që dikur na ka emancipuar në raport me feudalizmin e religjionin, e sot na mbron edhe karshi neoliberalizmit. Dhe, së treti, shqiptarët jashtë Kosovës edhe Shqipërisë duhet ta studiojnë diskriminimin që u bëhet, ta dokumentojnë dhunën që ushtrohet mbi ta, të kritikojnë dhe të ankohen për çdo ditë te Tirana dhe Prishtina zyrtare, duke kërkuar përkrahjen dhe ndihmën e tyre.

Me cilat parti politike shqiptare në rajon, Vetëvendosje ndan të njëjtat parime?

Më shumë se të lidhemi me parti politike ne preferojmë të bashkëpunojmë për çështje të caktuara: të drejtat e shqiptarëve kudo që ata janë, manifestimet për datat, ngjarjet e figurat kombëtare, çështja çame etj. Këto jo patjetër prezantohen nga parti politike, por edhe nga organizata shoqërore e grupe qytetarësh. Pra, nuk orientohemi duke ndërtuar qëndrime ndaj subjekteve por ka nisma të tyre që i mbështesim dhe nisma që nuk i mbështesim.

RCCOLA

Si e shihni rolin e Tiranës zyrtare për çështjet e shqiptarëve?

Tirana zyrtare si në politikën e jashtme në arenën ndërkombëtare po ashtu edhe në politikën e brendshme kombëtare mund të bëjë shumë më tepër seç po bën dhe ka obligime më të mëdha seç po përmbush sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Neni 8, Pika 1, e kësaj Kushtetute thotë që “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Kjo pikë do të duhej të realizohej nëpërmjet një morie aktivitetesh e reagimesh qeveritare që përgjithësisht mungojnë. Shqiptarët e Shqipërisë e duan shumë më tepër Kosovën sesa serbët e Serbisë. Kjo duhet të përkthehet edhe në angazhimet dhe punën shtetërore të shtetit shqiptar. Nuk duhet lejuar që te ndërkombëtarët të krijohet përshtypja që Qeveria e Serbisë e do Kosovën më shumë se Qeveria e Shqipërisë.

A po e kryen opozita e Shqipërisë rolin e saj?

Nëse flasim për rolin në lidhje me çështjen kombëtare, sigurisht që ende mbeten shumë veprimtari të cilat opozita mund t’i kryente. Opozita në Shqipëri ka një grup parlamentar të madh në numër dhe nismat që do të mund t’i ndërmerrte në Kuvend në lidhje me të drejtat e shqiptarëve si dhe me bashkëpunimin me Kosovën janë të shumta. Deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Kombi është shumë i rëndësishëm meqë kontribuon shumë për idenë e komunitetit e shoqërisë, për ndjenjën e përkatësisë dhe përgjegjësisë. Socialja dhe solidariteti nuk ka të bëjë vetëm me institucionet e sistemit dhe ridistribuimin e tyre por edhe me marrëdhëniet ndërnjerëzore që janë marrëdhënie në gjuhë e në kulturë kombëtare.

Ne shqiptarët duhet të bëhemi politikisht kombëtarë pa u bërë kulturalisht provincialë. Edhe Kosova edhe Shqipëria janë provinca të kombit. Kauza e bashkimit kombëtar e politizon kombin. Duke i dhënë theks ekonomisë kombëtare e jo vetëm kulturës kombëtare, opozita në Shqipëri do të mund të kontribuonte aq shumë këtu. Bashkimi kombëtar ka efekt social – ai do ta ndihmonte çlirimin social të shqiptarëve. Bashkimi kombëtar do të rriste resurset natyrore e lëndët e para, fuqinë punëtore, madhësinë e tregut, kapacitetet zhvillimore, administrative, menaxhuese e intelektuale të shqiptarëve. Te ne bashkimin kombëtar shumë më tepër e duan të varfrit sesa të pasurit, sepse këta të fundit nuk i kemi prodhues por tregtarë që mirëmbajnë importin e lartë në Shqipëri e Kosovë. Jo vetëm që prodhimi shqiptar vazhdon të mbetet i varfër, por edhe vetë prodhuesit shqiptar janë më parë të varfër sesa të pasur.

Si i përjetuat trazirat e 21 Janarit, duke qenë se Vetëvendosja ka lënë martirët e saj në protesta?

Protestat tona janë më ndryshe, si për nga objektivi po ashtu edhe për nga konteksti e mënyra. Me 21 janar 2011 të gjithë ne ndjenim dhembje e pikëllim të thellë për qytetarët që u vranë. Ato vrasje nuk ishin të domosdoshme dhe ishin të panevojshme. Besoj që ato vrasje ishin edhe të shmangshme. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë dhe arsye të protestojnë e demonstrojnë kudo që janë në Ballkan, përfshirë këtu edhe Republikën e Shqipërisë, për shkak të mungesës së perspektivës, shtypjes politike dhe shfrytëzimit ekonomik. Në mbrëmjen e 21 janarit, VETËVENDOSJE! pat deklaruar: “Politikanët shqiptarë janë më të pasur se gjithë kolegët e tyre në Evropë krahasuar me buxhetin e shteteve përkatëse. Në institucionet e shtetit shqiptar zakonisht i shohim partitë pa popull kurse sot e pamë popullin pa parti, të zemëruar me pozitën dhe të braktisur nga opozita. Kjo demonstratë tregoi hendekun midis qytetarëve të pakënaqur dhe qeveritarëve të vetëkënaqur, por edhe konfirmoi hendekun tjetër midis popullit dhe opozitës.”

Si do ta komentonit Paktin me Ujërat Territoriale me Greqinë?

Ashtu siç e ka komentuar dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë – antikushtetues. Shpesh është thënë se bashkimi kombëtar do të rrezikonte humbjen e territoreve te reja, duke nënkuptuar veriun e Kosovës, kështu që bashkimin e kemi vetëm në BE. Atëherë pse po e rrezikojmë atë që na takon dhe e kemi?! Kufijtë dhe territori i Shqipërisë duhen parë nga perspektiva kombëtare edhe në veprimtarinë e përditshme të çdo qeverie, e sidomos të politikës së jashtme.

A është në rrugën e duhur bashkimi kombëtar? Si mund të vijë ai dhe çfarë duhet bërë? Pritet nga politika apo nga qytetarët?

Për çdo çështje të kombit të veprojmë si komb. Kriza e identitetit kombëtar dhe jo vetëm kombëtar, i bën njerëzit më kollaj të robërueshëm. Kriza e identitetit është një hap në drejtim të skllavërisë. Puna dhe veprimet tona duhet të jenë në shërbim të bashkimit kombëtar shqiptar. Ky bashkim do të ndodhë edhe nëse nuk bëhet. E unë them ta bëjmë para se të ndodhë. Sepse, edhe nëse ne shqiptarët nuk e duam bashkimin kombëtar dhe heqim dorë prej tij, janë hegjemonistët dhe shovinistët në fqinjësi ata që nuk do të ndalen e nuk do të heqin dorë deri në bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Porse, asisoj ne tkurremi e zvogëlohemi edhe më tej se ç’jemi tkurrur e zvogëluar që prej fundit të shekullit XIX e këtej. Prandaj, le ta duam Shqipërinë prej vullnetit e interesit para se ta duam atë prej zorit. Në njërën anë, gjuha, kultura dhe historia, kurse në anën tjetër, ekonomia, siguria e demokracia, që të gjitha këto na duan të bashkuar. Bashkimi kombëtar duhet të shihet jetik edhe sa i përket demokratizimit të vendit. Në një shtet me shtatë a tetë milionë banorë potencialisht ka më pak mundësi që të lulëzojnë lidhjet nepotiste e klanore. Aty duhet të ketë garë për vlera e meritokraci. Po ashtu, Kosova bashkë me Shqipërinë mund t’i bëj ballë më lehtë hegjemonizmit që vjen nga Serbia. E njëjta gjë vlen edhe për pretendimet e qarqeve të caktuara greke për ‘vorioepirin’.

Çfarë duhet të bëjnë Rama dhe Berisha?

Me detyrat publike e politike që mbartin dhe me hapësirat vendimmarrëse apo legjislative që kanë forcat politike që ata drejtojnë do duhej të bënin kujdes në çdo vendim të tyrin, që prej shitjes së pasurive publike e deri te politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë. Duam apo nuk duam roli i Shqipërisë është vendimtar për gjithë çka ndodh me Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Por, mbi të gjitha, në raport me Kosovën është e udhës që qëndrimet e forcave politike në Republikën e Shqipërisë të definohen sipas vizionit të tyre politik e kombëtar e jo të jenë thjesht mbështetës të koniukturës aktuale qeveritare në Prishtinë. Kjo e fundit më shumë tregon për indiferencë sesa për maturi.