Kurti: Kosova nuk është vetëm shtet i kapur, shteti i Kosovës po merret peng
Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, vlerëson se që prej konstituimit të Kuvendit, tash kapja e shtetit po ndahet në ujdi me Serbinë.
“Pra, jo vetëm Kadrija, por dyfish Serbia. Me strukturat paralele si mbetje e okupimit në çerekun e territorit të vendit tonë. Me partinë e saj si aksionare vendimtare për kreun e Kuvendit e të Qeverisë”, ka shkruar ndër tjerash Kurti në Facebook.
Postimi i plotë:
Ato 62 vota të cilat votuan dje kryeparlamentarin e nesër duan ta votojnë kryeministrin, janë shumicë në Kuvend. Mirëpo, veçse teknikisht janë shumicë. Në anën tjetër, tek 58 deputetët e tjerë, ka shumë më tepër vota qytetarësh të Kosovës dhe ato janë shumica shqiptare.
Që prej konstituimit të Kuvendit tash kapja e shtetit po ndahet në ujdi me Serbinë. Kosova nuk është vetëm shtet i kapur. Shteti i Kosovës po mirret peng.
Pra, jo vetëm Kadrija, por dyfish Serbia. Me strukturat paralele si mbetje e okupimit në çerekun e territorit të vendit tonë. Me partinë e saj si aksionare vendimtare për kreun e Kuvendit e të Qeverisë.
Nuk është hera e parë që shqiptarëve u duhet të përballen me krajl e me mbret. /Telegrafi/


