Mobi Casa

Kurti: Kosova ka nevojë për Republikën e tretë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Kosovës i duhet Republika e tretë në mënyrë që ajo të fitoje kundrejt të këqijave të këtij pushteti dhe këtyre politikanëve. Kurti ka kritikuar edhe partitë tjera duke thënë se marrëveshja mes Thaçit dhe Daçicit jo vetëm që e lidh Serbinë dhe Kosovën, por ajo po i lidh subjektet politike në Kosovë.

Kurti këto komenti i bëri gjatë mbledhjes së IX të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ku ka drejtuar një vargë akuzash për pushtetin aktual e për partitë në pozitë dhe opozitë, që sipas tij, ato tashmë nuk po e përjashtojnë njëra tjetrën, pasi nuk e kanë përjashtuar as dialogun me Serbinë.

“Me 2 korrik 1990 delegatët e atëhershëm të Kosovës e shpallen Kosovën republikë, ku në tekstin e asaj deklarate janë dy nocione themelore dhe ndërtuese, vetëvendosja politike dhe demokracia autentike. Kështu kuptimi i asaj republike të vitit 1990 na del të jetë rezistenca që u organizua pas andej në formë të protestave e demonstratave e padëgjueshmërisë qytetare. Le ta quajmë republikën e 2 korrikut si republikë të parë të Kosovës që ishte për rezistencë”, deklaroi Kurti.

Me tej Kurti tha se me 17 shkurt 2008, atëherë kur ajo që ka lindur i mbushi 18 vjet, Kosova u shpall shtet i pavarur sërish si republikë. Ai tha se me këtë rast në Kosovën e pavarur u rrit numri i njohjeve nga jashtë, por këtu brenda pësuan rënie edhe mirëqenia edhe demokracia, edhe integriteti territorial edhe demokracia qytetare. E sipas tij, e gjithë kjo për shkak të qeverisjes së mbrapsht e cila ishte më pak keq atëherë kur nuk kishte politikë fare se sa atëherë kur kishte.

Sipas Kurtit, 17 shkurti 2008 doli se nuk i ndërpreu aspak dy procese me të dëmshme pas luftës, negociatat e padrejta me Serbinë dhe privatizimi i egër dhe abuziv.

“Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për Republikën e tretë të Kosovës. Vetëm një Republikë e tretë na shpëton Republikën. Kjo Republikë e tretë duhet të jetë republikë që kujdesët për paqen stabilitetin dhe sigurinë por ato i sheh si pasoja të natyrshme të demokracisë zhvillimit dhe drejtësisë. Duke i pasur për qëllim vetëm se paqen stabilitetin dhe sigurinë as nuk po arrijmë ato plotësisht me të vërtetë por do t’i humbin dromcat që na kanë mbetur. Republika e tretë synon demokraci për shoqërinë dhe institucionet zhvillim për shtetin dhe ekonomi, drejtësi për qytetarët dhe njerëzit. Paqja stabiliteti dhe siguria lindin pastaj mes nesh. Sepse fundja paqja pa demokraci stabiliteti pa zhvillim dhe siguria pa drejtësi janë shtypje e shfrytëzim janë robëri e varfëri”, ka thënë me tutje Kurti.

Eco Higjiena

Me këtë rast, kreu i VV-së tha se subjekti politik në Kosovë që ka vizion për republikën e tretë është Vetëvendosja, e cila programin e vet politik e ka avancuar në alternativë qeverisëse.

Sipas tij, në këtë alternativë janë elaburuar gjerë e gjatë shteti republikan dhe sundimi i së drejtës, politika fiskale, sistemi pensional dhe sigurimi shëndetësore, arsimi dhe shkenca, industria dhe bujqësia, sektori privat dhe sektori i biznesit, mbrojtja dhe siguria për qytetarët, politika e jashtme dhe reciprociteti, integrimi evropian dhe mërgata, pushteti lokal dhe planifikimi hapësinor, kultura dhe trashëgimia kulturore, rinia dhe sporti.

Kurti ka kritikuar ashpër edhe partitë tjera, duke thënë se tri subjektet e tjera nuk e përjashtojnë koalicionin mes vete sepse ato realisht janë në koalicion. Sipas Kurtit, Marrëveshja mes Thaçit dhe Daçicit jo vetëm që e lidh Serbinë dhe Kosovën, por ajo po i lidh këto subjekte në Kosovë.

“Paradoksalisht kur janë bërë 5 vjet të pavarësisë, pasardhësi i Millosheviqit jo vetëm që po arrin ta varësoj Kosovën nga Serbia, por ai po e realizon edhe varësinë midis vet subjekteve politike. Marrëveshja e zhurmshme me Serbinë gjithmonë po kthehet në marrëveshje të heshtur mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së. Sa më shumë këto subjekte tjera bëhen bashkë aq më shumë shtohen sulmet mbi VV-në, sepse pa VV-në nuk do të shihej qartë se sa të njëjta janë këto subjekte. Këto subjekte nuk po e përjashtojnë Serbinë, nuk e përjashtojnë njëra tjetrën por duan ta përjashtojnë VV-në. Për partinë në pushtet dhe regjimin e tij tash po shihet problem VV-ja e jo Serbia, me Serbinë po merren vesh sa herë po donë, e ne po i pengojmë, sa mirë që është kështu”, ka thënë Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se në Kosovë qytetarët po vdesin nga rriqrat dhe po mbushen kampet e shteteve tjera me kosovar, prandaj edhe duhet që Kosova të ndryshoje.

Pas fjalës së Kurtit, Këshilli i Përgjithshëm ka mbajtur takimin me dyer të mbyllura për media për të diskutuar për çështjet tjera. /kosovapress/