Eko Higjiena

Kurti kërkon drejtësi për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

/ 3 minuta lexim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sërish që të dënohen personat nga forcat e policisë së Serbisë që kanë shkaktuar dhunë seksuale në Kosovë, gjatë luftës së fundit.

Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt ne e rikujtojmë se deri tani askush nuk është dënuar për dhunimin e mijëra grave dhe burrave në Kosovë nga forcat e Serbisë në gjatë viteve 1998-1999. Drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Twitter, transmeton Telegrafi.

Ndryshe në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, kryeministri Kurti, së bashku me deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vasfije Krasniqi, vizitoi sot Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.

Fundamenti

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti u njoftua nga afër për punën e këtij komisioni, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve, familjeve të tyre, dhe për gjithë shoqërinë.

“Ne nuk mund ta imagjinojmë tmerrin që kanë përjetuar personat që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës, pasuar me ndrydhjen e pasluftës. Janë viktimizuar sërish nga stigma dhe mos intervenimi institucional për të trajtuar këtë krim të kryer gjatë luftës në Kosovë, këtë armë lufte të përdorur nga okupatori”, tha kryeministri Kurti.

Sipas tij, kombinimi i përgjegjësisë institucionale dhe vetëdijësimit shoqëror mund të sjellë rezultatet që duam, për të tejkaluar sfidat për realizimin e mandatit të këtij komisioni dhe nxitjen e aplikimit për realizimin e së drejtës së tyre të garantuar me ligj.

Kurti ritheksoi domosdoshmërinë e thirrjes së vazhdueshme për personat e mbijetuar, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, dhe që këto thirrje të arrijnë kudo që të mbijetuarat/it mund të jenë. /Telegrafi/