Kurti: Jam optimist për dialogun në Bruksel sepse kemi qasje të re

Kryeministri Albin Kurti në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së në Prishtinë, ka thënë se tani është më optimist sa i përket dialogut për marrëveshje me Serbinë, pasi është një qasje e re në agjendën e Brukselit.

“Jam optimist sa i përket dialogut në Bruksel sepse atje kemi krijuar qasjen e duhur dhe të drejtë, e kjo është kroniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash dhe të bëhet dialog për dialog, por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re që nga 18 gushti i këtij viti, sepse tema e parë në zyren e z. Borell ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pra dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë marrëveshje”, ka theksuar Kurti.

Kryeministri tutje ka thënë se e ka këtë optimizëm duke pasur parasysh faktin se për dallim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe po e shndërronte këtë qasje në motivim të Serbisë për zvarritje të procesit tani njohja e ndërsjellë është në qendër të marrëveshjes.

“Sepse nëse i thoni Serbisë se pavarësia do të vjen në fund ju e inkurajoni Serbinë për ta shtyrë fundin, por tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit por është në qendër të marrëveshjes. Nuk po them se nuk do të ketë edhe pika tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë. Kjo qasje e re, pra me agjendën e re në Bruksel, ku synon të kemi një kornizë të përgjithshme për marrëveshje si tema numër një e bisedimeve më bën optimist për muajt që kemi përpara dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka nënvizuar Kurti.

Ai gjatë ekspozesë në këtë seminar ka thënë se synimi i Kosovës është të forcohet e të bëhet anëtare e NATO-s dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në promovimin e vlerave demokratike e të paqes nëpër botë.“NATO është i vetmi aleat politik dhe ushtarak që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat e avancuar demokratike të cilat si qendër gravitacioni kanë jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Në këtë mjedis bashkëkohor, të sigurisë dhe demokratike dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra po jo të harruara fashiste e hegjomoniste”, tha Kurti.

Ai ka thënë se këtë vit është rritur buxheti për mbrojtje në 102 milionë euro, teksa sipas tij synimi është që buxheti për mbrojtje së shpejti të arrihet në 2 për qind të bruto produktit vendor.

Kurti ka folur edhe për lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë, si dhe bazat ushtarake që Serbia i ka në kufi me Kosovën.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Kurti ka thënë se kjo është një çështje e vonuar për shkak të hezitimit të disa shteteve anëtare, edhe pse Kosova i ka plotësuar 95 kritere, teksa është shprehur optimist për një vendim pozitiv në të ardhmen e afërt.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Seminarin e 102-të të Rose Roth:

Të nderuar anëtarë të asamblesë parlamentare të NATO-s,

Të nderuar deputetë e përfaqësues të institucioneve,

Të nderuar ambasadorë, partnerë të respektuar,Të nderuar të pranishëm,Zonja dhe zotërinj, NATO, si një organizatë e dizajnuar për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin dhe për të parandaluar konfliktet, vazhdon të mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global. NATO është e vetmja aleancë politike dhe ushtarake që synon të ruaj arritjet e shoqërisë njerëzore, dhe të avancoj vlerat që kanë për qendër graviteti, jetën dhe zhvillimin e qenieve njerëzore.

Në ambientin e sotëm global të sigurisë, vlerat demokratike dhe shoqëria njerëzore janë duke u sfiduar seriozisht nga shpërfaqja e ideve të vjetra por jo të vdekura siç janë hegjemonizmi dhe fashizmi. Politika ekspansioniste dhe militariste e Federatës Ruse, tendenca kineze për hegjemoni ushtarake regjionale dhe hegjemoni ekonomike globale, përpjekja iraniane për ndryshim te ekuilibrit të forcave në Lindjen e mesme si dhe kërcënimi militarist i Koresë së Veriut ndaj Lindjes së largët, janë treguesit më të mirë se sa serioze dhe e brishtë është situata e sigurisë në nivel global.

Ballkani perëndimor si regjion me shumë probleme të pazgjidhura, jo vetëm që nuk është imun por është i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë. Lidershipi politik i Serbisë ka maksimizuar mundësinë që i ka dhënë ndryshimi i ambientit strategjik të sigurisë, për të shtyrë përpara interesin e saj parësor për një Serbi si homogjeni regjionale. Influenca ruse në Serbi është e ndryshme prej influencës ruse në vendet e tjera të regjionit. Serbia ka mirëpritur influencën ruse dhe po e shfrytëzon atë për të mbajtur nën kërcënim sigurinë dhe stabilitetin në këtë pjesë të Evropës. Megjithë këtë, në Bruksel ne angazhohemi për dialog konstruktiv dhe kreativ për normalizim të plotë të marrëdhënieve me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër.

Zhvillimet e fundit pas agresionit rus dhe invazionit ushtarak në Ukrainë po vërtetojnë teoritë e luftës të cilat e theksojnë qartë, se për deri sa karakteri i luftës ndryshon, sepse ndryshon doktrina, teknologjia dhe kultura ushtarake, natyra e luftës mbetet e pandryshueshme në esencë, sepse ajo nxitet nga politika, fundamentalisht njerëzore, e dominuar nga dhuna dhe më destruktive se çdo aktivitet tjetër njerëzor. Prandaj, gjithmonë do të mbetet nevoja për të ndërtuar dhe zhvilluar aleanca dhe kapacitete të mbrojtjes dhe sigurisë.

Sot më shumë se kurrë, vendet e NATO-s duhet të kontribuojnë në ruajtjen e kohezionit brenda aleancës por edhe në zgjerimin e NATO-s. Unë besoj se zgjerimi dhe kohezioni nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Ato shkojnë krah për krah.

Zgjerimi i NATO-s, në aspektin ushtarak nënkupton rritje të fuqisë së gatishmërisë luftarake, kurse në aspektin gjeo-strategjik, zgjerim të kufijve gjeografik të NATO-s. Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore ka promovimin e vlerave demokratike, angazhimin diplomatik për anëtarësim në NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s.në ushtrimin më të madh të radhës, “Defender Europe 23” që do të zhvillohet në maj dhe qershor të vitit të ardhshëm në pjesë të ndryshme të Evropës, duke përfshirë vendin tonë. Para dhe pas agresionit rus në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët e NATO-s për të kontribuar në mbështetje të luftës së drejtë të popullit të Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes dhe lidershipi ushtarak i FSK-së marrin pjesë në baza të rregullta në takimet e grupit të kontaktit për Ukrainën.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë. Ju falemnderit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS