RCCOLA

Kurti i thotë Thaçit: Shko!

/ 4 minuta lexim

Tani nuk është çështja se a mund ta rrëzojmë këtë Qeveri, por a duam ta rrëzojmë atë. Vetëvendosje e ka ndarë mendjen dhe e ka të qartë qysh moti, se kjo Qeveri duhet të shkojë, në mënyrë që Kosova të përparojë. Kështu tha lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në fjalimin e tij në mbledhjen e VI-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku foli për gjendjen ekonomike dhe politike në vend.

Kurti u bëri thirrje edhe njëherë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që ta mbështesin nismën e Vetëvendosjes për rrëzimin e kësaj qeverie, e cila sipas tij po i kushton shtrenjtë Kosovës, ekonomikisht, politikisht dhe moralisht.

“Ne të lëvizjes Vetëvendosje u bëjmë thirrje edhe njëherë të gjithë deputeteve të Kuvendit të Kosovës, që ta mbështesin nismën tonë, përherë aktuale për rrëzimin e kësaj qeverie. Nismë kjo të cilën ne duam ta riaktualizojmë dhe duhet ta riaktualizojmë. Deputetet e opozitës dhe pozitës e dinë se kjo Qeveri po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës politikisht, ekonomikisht e moralisht. Një ditë më shumë me këtë Qeveri është një ditë më pak për Kosovën. Secili deputet që e dëgjon mendjen dhe zemrën e vet nuk është për këtë Qeveri. Këtë zë të brendshëm dhe privat të deputeteve ta bëjmë zë publik, që ta nxjerrim jashtë këtë qeveri”, tha Kurti.

Ai po ashtu foli edhe për qëndrimin e VV-së sa i përket zgjedhjes së presidentëve përmes SMS-ve dhe zarfeve, duke pohuar se pavarësisht përshtypjeve që mund t’i ketë pasur dikush, qëllimi i marrëveshjes së tre kryetarëve partiakë në prill të vitit të kaluar, sipas ti, ishte emri i presidentes në zarf dhe jo reforma zgjedhore e kushtetuese. Ai tha se emri i presidentes ishte letra në zarf, kurse reformat ishin letra e zarfit, pra ambalazhi.

“Nuk mund të merresh vesh me ata që e organizuan vjedhjen e votave për reformë zgjedhore. Votat u vodhën me plan, sepse plaçka është interesi i hajnave. Ligji u shkel me paramendim, sepse shkelësit e ligjit u mobilizuan për të vjedhur. Një ligj i ri nuk i eliminon hajnat e vjetër, por i amniston ata dhe aq më pak një ligj i ri në marrëveshje me këta hajnat e vjetër. Data e vërtetë e kësaj marrëveshje nuk ishte 6 prilli i vitit 2011, por një prilli i cilit do vit”, tha ai.

Uji Dea

Kurti po ashtu theksoi se nga votimi i së enjtes në parlament u dëshmua se 20 ulëset e rezervuara për minoritetet e hedhin përtokë edhe çfarëdo demokracie minimale dhe se Plani i Ahtisarit si një solucion brutal kundër demokracisë, praktikisht është vënë dhe në shërbim të privatizimit brutal të Kosovës.

Ai po ashtu foli edhe për deputetët, të cilët, siç tha ai, po ndërgjegjësohen, duke dalë prej koalicionit qeverisës, i cili sipas tij, Kosovës po i sjellë veçse ditë të zeza, të mjerimit social dhe atij politik.

Kurti po ashtu pohoi se ata i akuzojnë duke shpifur dhe sulmojnë duke gënjyer, por se regjimi dhe njerëzit e tij, siç tha ai, nuk kanë armë e mënyra të së vërtetës, pasi që shpifja e gënjeshtra janë krejt çfarë kanë dhe krejt çfarë ata janë. Sipas tij, njerëzit e regjimit nuk janë vetëm njerëz të gënjyer që shpifin, por edhe njerëz të shpifur që gënjejnë. E megjithatë, ai tha se VV nuk i urren ata personalisht, por politikën e tyre, politikën e vazhdueshme të negociatave me Serbinë, që kanë ndërprerë shtetndërtimin e Kosovës dhe politikën e privatizimit të egër, e cili ka pamundësuar zhvillimin ekonomik.

Ai u shpreh i bindur që Kosova mundet dhe meriton më tepër, veçse nevojitet një model dhe një program tjetër qeverisës, që bazohet në shtetin zhvillimor, i cili është shtet i së drejtës dhe shtet social, çfarë është dhe alternativa e VV-së. Kurti po ashtu tha se e vërteta dhe e drejta, janë në anën e tyre dhe se ata janë në rrugë të drejtë, pasi që programi politik i VV-së, është më i miri dhe më i duhuri për popullin dhe vendin tonë./kosovapress/