UBT

Kurti i shkruan Netanyahut, e pranon ftesën për ta vizituar Izraelin, nuk e përmend ambasadën

/ 2 minuta lexim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka kthyer letrën kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili disa ditë më parë e uroi për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këtë letër, Kurti shkroi edhe për ftesën e Netanyahu-t për ta vizituar Izraelin.

Në letër, Kurti thotë se e mirëpret faktin që marrëdhëniet mes dy popujve janë shndërruar në raporte diplomatike mes dy shteteve. “E shoh këtë si një mundësi për ta themeluar dhe fuqizuar bashkëpunimin tonë politik, ekonomik dhe kulturor”, thuhet në letrën dërguar kryeministrit izraelit, shkruan Gazeta Express.

“Kombi ynë ka qenë historikisht respektues ndaj komunitetit çifut. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do ta kem kënaqësinë që t’i adresoj çështjet relevante të komunitetit çifut dhe trashëgimisë së tij në vendin tonë”, thuhet më tej në letër.

KKGJILAN

Kurti e falënderoi Netanyahu-n për ftesën që ta vizitojë Izraelin, duke premtuar se do ta bëjë këtë, por pa e saktësuar kohën. “Faleminderit që më ftuat për ta vizituar vendin tuaj miqësor, gjë që do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dyja palët”, thuhet në letrën e Kurtit.

Muajin e kaluar, Netanyahu e ftoi Kurtin që ta vizitojë Izraelin për ta inauguruar ambasadën e Kosovës në Jerusalem, sipas Marrëveshjes së Uashingtonit.

Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje duket se nuk është e bindur që ta respektojë menjëherë këtë pikë të marrëveshjes, pasi ka thënë se do ta shqyrtojë çështjen e vendndodhjes së ambasadës në Izrael.