Mobi Casa

Kurti: GJND-ja i dha vulën përfundimtare asaj që e dinin gjithë kohën mbështetësit e drejtësisë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 22 korrikun e vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në një postim në Twitter, Kurti këtë e ka quajtur vulë përfundimtare që iu dha shtetësisë së Kosovës.

“Në këtë ditë të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – gjykata më e lartë e OKB-së – vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë një vulë përfundimtare asaj që ata që mbështesin të drejtat e njeriut dhe drejtësinë e dinin gjatë gjithë kohës”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vendimi i GJND-së mbetet thirrje që shtetet ta njohin realitetin e pakthyeshëm të Kosovës.

UBT

“13 vjet më vonë, ky opinion historik mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”, ka shkruar ajo në Twitter.

Ndryshe, këtë të shtunë janë bërë 13 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe katër kundër, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. /Telegrafi/