RCCOLA

Kurti: FSK-ja, e gatshme t’i mbështesë autoritetet civile në përballje me pandeminë COVID-19

/ 4 minuta lexim

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Financave dhe i Transfereve në detyrë, Besnik Bislimi, vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në Prishtinë.

Ai u prit nga ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Enver Dugolli dhe nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Në fillim Quni falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën dhe e njoftoi në pika të përgjithshme për nivelin e gatishmërisë operuese dhe për veprimet e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në mbështetjen e autoriteteve qendrore dhe lokale civile në përballimin e situatës së krijuar pas pandemisë së COVID-19.

Gjithashtu Quni e njoftoi me objektivat afatshkurtra dhe afatgjata të Ministrisë së Mbrojtjes, me fokus në rrugën përpara të realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së në kuadër të procesit të tranzicionit të saj.

Duke shprehur mirëkuptimin e plotë në fokusin aktual të Qeverisë pas situatës emergjente nga COVID-19, ai theksoi nevojën e mbështetjes qeveritare në përmbushjen e këtyre objektivave të dimensionit të interesit shtetëror për të arritur në stadin e formësimit të plotë të forcave tona për përmbushjen e misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e territorit dhe pjesëmarrjes në operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse.

Quni gjithashtu theksoi rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së dhe të partnerëve tjerë në të arriturat e deritashme dhe për projektet për të ardhmen, duke mundësuar që FSK-ja të jetë forcë profesioniste, bashkëkohore dhe e ndërveprueshme me standardet e vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s.

Në anën tjetër, komandanti i FSK-së e njoftoi Kurtin me të dhëna konkrete për objektivat operuese të FSK-së, për programet dhe për projektet kryesore të planifikuara për periudhën vjetore dhe afatmesme, që determinojnë stadin e zhvillimit dhe të operacionalizmit të plotë të aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të planifikuara me mbështetjen e aleatit tone kryesor, SHBA-së dhe partnerët tjerë sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.

Hidromorava

Me qëllim të përmbushjes së këtyre objektivave operuese, gjeneral Rama kërkoi nga kryeministri Kurti dhe nga ministri Bislimi mbështetjen financiare qeveritare dhe lehtësimin nga barrierat procedurale administrative për procedimin me kohë të projekteve të veçanta të mbrojtjes.

Nga ana e tij Kurti shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, për angazhimin dhe për kontributin e veçantë në përballjen aktuale me COVID-19, si dhe shprehu zotimin për përkrahjen e plotë në të gjitha aspektet dhe drejtimet e FSK-së në realizimin sa më të sukseshëm të procesit të tranzicionit, si një ndër objektivat edhe të programit qeveritar të vendit.

Mbështetje të plotë për të gjitha projektet e planifikuara të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në proces dhe për të ardhmen, siguroi edhe ministri i Financave dhe i Transfereve, Besnik Bislimi, i cili gjithashtu premtoi që do të angazhohet me prioritet të lartë për lehtësimin dhe për eliminimin e të gjitha barrierave procedurale administrative për projektet përkatëse.

Vizita e Kurtit vazhdoi në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, respektivisht në Qendrën Operative të FSK-së, ku u prit nga ana e shefit të stafit të SHP FSK-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj me bashkëpunëtorë.

Me këtë rast gjeneral Dreshaj prezantoi në pika të shkurtra punën dhe procedurat standarde të aplikuara të qendrës përkatëse, veprimet e deritashme të Forcës për detyrë si dhe kurset e veprimit të përgatitura për të ardhmen.

Pas takimeve kryeministri Kurti dhe ministri Quni me delegacionet e tyre drekuan në kuzhinën e Kazermës së FSK-së, duke respektuar masat e përcaktuara për parandalimin e COVID-19.