UBT

Kurti: Është e vështirë të procedoj me Asociacionin kur Serbia s’po e nënshkruan dhe s’po e respekton marrëveshjen

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin prestigjioz amerikan Bloomberg, ka thënë se e ka të vështirë të procedojë me themelimin e Asociacionit.

Gjatë intervistës, Kurti theksoi se Serbia ka shpërfillur marrëveshjen e vitit të kaluar dhe ka injoruar aneksin e zbatimit të nënshkruar në Ohër.

“Në këto rrethana, për mua bëhet jashtëzakonisht e vështirë të vazhdoj më tej në një proces ku pala tjetër nuk e përfill marrëveshjen dhe madje shkon aq larg saqë dërgon një letër në të cilën deklaron se nuk e respekton më atë,” shprehu ai.

Themelimi i Asociacionit konsiderohet si një çësje e urgjent nga bashkësia ndërkombëtare, e cila thekson nevojën që Kosova të ndërmarrë hapat ligjërisht obligative për ta bërë realitet.

Eco Higjiena

Në anën tjetër, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, vetëm një javë më parë, ka bërë thirrje që qeveria kosovare të pranojë draft-statutin e prezantuar nga Bashkimi Evropian dhe t’i lejojë kështu rrugën kalimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne mendojmë se kjo qeveri duhet ta adoptojë draft-statutin e sugjeruar në një formë me të cilën pajtohet Gjykata, për të mundësuar që ajo të kryejë një kontroll të legalitetit përmes një rishikimi kushtetues, çka është një hap kyç në këtë procedurë,” deklaroi ambasadori Hovenier nër RTV21, transmeton Telegrafi.

Të gjitha institucionet e Serbisë në Kosovë – nga komunat deri te shkollat e spitalet – do të duhej të përfshiheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që pritet të themelohet.

Kjo është paraparë në një draft-statut të këtij asociacioni, të hartuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe të pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.