Kurti e Vuçiq përballë njëri-tjetrit në Bruksel, a do të ketë pajtim sot për marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do të jenë përball njëri-tjetrit në Bruksel, ku do të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes dy vendeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas informacioneve të para Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00.
Ndërsa, në orën 16:15, Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve, Borrell pritet të mbajë deklaratë për shtyp.
Krejt çfarë është thënë në agjendën e 27 shkurtit, është se fokusi i takimi do të jetë mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën.
Letra e Macron, Scholz dhe Meloni për Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian.
Në komunikatën e lëshuar nga ZKM-ja thuhet se në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.
“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Ata në letrën e tyre kanë përmendur edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në konkluzionet e tij të datës 9 mars, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës t’i përmbahen, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet që u angazhuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asocacionin e Komunave me Shumicë serbe”, thuhet në letrën e përbashkët të Macron, Scholz dhe Meloni.
Kujtojmë se Kurti në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar propozimi evropian është bazë të mirë, ndërsa në mesin e karakteristikave që përmendi ishte se propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes së dy Gjermanive, se përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës e se marrëveshjet e arritura deri më tani duhej të zbatoheshin.
Ai gjithashtu ka lënë të nënkuptohet se do e pranojë këtë propozim pasi sipas tij Kosova do të hynte në një konfrontim me shtetet perëndimore dhe se do përballet me pasoja siç janë ndëshkimet diplomatike etj.
Qëndrimi i Serbisë për takimin e sotëm në Bruksel dhe propozimin evropian
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të dielën se bisedimet për normalizimin mes Serbisë dhe Kosovës do të jenë shumë të vështira.
Vuçiq në një bisedë telefonike me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, diskutoi për bisedimet, të cilat do të zhvillohen të hënën në Bruksel nën kujdesin e Bashkimit Evropian.
Sipas deklaratës, Vuçiq tha se pret një takim shumë të vështirë, por vuri në dukje se Serbia është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ai shtoi se ai është i gatshëm të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiq tha se takimi i së hënës do të jetë një hap pozitiv drejt arritjes së këtij qëllimi. /Telegrafi/