UBT

Kurti e Bislimi e synojnë pushtetin në Preshevë e Bujanoc, këshilltarët e tyre në garë për kryetarë

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Lugina e Preshevës është në fushatë zgjedhore. Në Preshevë dhe Bujanoc votohet këtë të diel. Këshilltarët e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi garojnë për t’u bërë kryetarë.

Në Preshevë dhe Bujanoc, shqiptarët do të votojnë më 2 qershor për t’i zgjedhur kryetarët e rinj të këtyre dy komunave ku e përbëjnë shumicën e popullsisë.

Kryeministri i Kosovës do të angazhohet edhe në garën zgjedhore atje. Albin Kurti nesër do të marrë pjesë në një tubim elektoral që do ta mbajë në Prishtinë Partia për Veprim Demokratik. Ky është subjekti politik i preferuar i tij në Luginë.

PVD-ja e udhëhequr prej deputetit shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, do ta mbajë tubimin në orën 18:00 në amfiteatrin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, për t’i ftuar qytetarët e Luginës të cilët jetojnë në Kosovë, që të shkojnë dhe të votojnë për këtë parti të dielën. Emri i shefit të Qeverisë së Kosovës është vendosur i pari në posterin paralajmërues.

Image
Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është kandidate e PVD-së për kryetare të Preshevës, ndërkaq Ragmi Mustafi, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, kandidon për kryetar të Bujanocit.

“Me mendje dhe zemër”, është slogani elektoral i PVD-së – i njëjti që dikur ishte slogan i Lëvizjes Vetëvendosje.

Për garën në Bujanoc, PVD-ja dhe dy parti tjera shqiptare – Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion paszgjedhor. Kryetari i PD-së – kryetari aktual i komunës, Nagip Arifi dhe ai i LPD-së, Shqiprim Musliu kandidojnë gjithashtu për ta marrë drejtimin e komunës.

Në krahun tjetër, Arbër Pajaziti është kandidat për kryetar të Bujanocit nga Alternativa për Ndryshim. Ai, së bashku me Driton Rexhepin nga Lëvizja për Bujanocin dhe Adem Hasanin e Unionit Demokratik Shqiptar, u dakorduan për të garuar me një listë të përbashkët.

Në Preshevë, një krizë politike shpërtheu sërish pasi Kuvendi u shpërnda meqenëse partitë në pushtet nuk arrinin të krijonin kuorum për mbajtjen e seancave. Për rrjedhojë, tash komuna udhëhiqet nga një organ i përkohshëm. Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, është kryetar i Autoritetit të Përkohshëm në Preshevë me vendim të Qeverisë së Serbisë. Ligji në Beograd parasheh që në raste të tilla përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në Kuvendin e shpërndarë të zgjidhen në atë organ “duke pasur parasysh përbërjen politike dhe kombëtare”. Në atë trup drejtues bën pjesë edhe Branko Trajkoviq nga Partia Progresive Serbe (SNS).

Kryetari i fundit i Preshevës, Shqiprim Arifi e akuzoi Beogradin për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të komunës. Përveç kësaj, ai i drejtoi gishtin edhe kah përfaqësuesit politikë shqiptarë në Preshevë, që sipas tij ishin bërë “mjet” i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq “për ta zbatuar agjendën e tij antishqiptare”. Kundërshtarët e tij i quajtën “demagogji dhe sajesa” këto pretendime.

Arifi është një kritik i madh i kryeministrit të Kosovës për të cilin thotë se “dëshiron ta udhëheq politikën e Preshevës”. Ai e ka akuzuar Albin Kurtin edhe për lidhje korruptive me përfaqësues të Partisë për Veprim Demokratik.

Këtë herë, Shqiprim Arifi nuk do të rikandidojë për kryetar të Preshevës. Nga Alternativa për Ndryshim do të jetë Visar Memeti ai i cili do ta sfidojë Ardita Sinanin e PVD-së.

Në këtë garë është edhe Ragmi Mustafa, kryetari i PDSH-së që po e udhëheq përkohësisht komunën.

Kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu, është gjithashtu kandidat për kryetar të Preshevës.

Mobi Casa

Ndërsa kandidatët tjerë po i vënë problemet lokale në qendër të fushatës së tyre elektorale, kandidatja e PVD-së për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, e ka shfrytëzuar faktin që është edhe këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të premtuar fonde nga Kosova për bujqësinë atje. Ndërsa vizitoi Raincën, një fshat që merret kryesisht me bujqësi dhe blegtori, ajo tha se “me grantet e mbështetura nga fondi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, mund të bëhet shumë në këtë sferë”.

Po kështu, edhe kandidati i PVD-së për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, po e shfrytëzon faktin që është këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, për të premtuar “më shumë fonde për bujqit e blegtorët në Bujanoc”, duke përmendur “programin e bujqësisë nga Qeveria e Kosovës me mbështetje prej 1 milion euro për bujqit e Luginës”. Ai në fushatë përsërit se qëllimi është për, siç thotë “më shumë Kosovë në Bujanoc”.

Sami Salihu, kundërkandidati i Ardita Sinanit nga Lëvizja për Reforma thotë se ajo po provon “ta shpëtojë veten duke u fshehur prapa të tjerëve”.

“Ragmiu me pushtetin e dhuruar nga Daçiqi si dhe Ardita me popullaritetin e Albin Kurtit”, ka shkruar ai në një postim në Facebook në fillim të këtij muaji.

Në vitet e fundit, Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit dhe Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit kanë qenë në pushtet në Preshevë.

Kuvendi Komunal i Preshevës i ka 38 këshilltarë komunalë, 36 nga të cilët ishin nga partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë, si dhe dy serbë, njëri nga Partia Përparimtare Serbe e Aleksandar Vuçiqit dhe një tjetër nga Partia Socialiste Serbe e Ivica Daçiqit.

Kuvendi Komunal i Bujanocit i ka 41 këshilltarë komunalë. Përfaqësuesit e shqiptarëve kishin numrin më të madh të ulëseve – 28, ndërsa 13 këshilltarë ishin nga radhët e serbëve.

S’është hera e parë që Kurti interferon në Luginë

Më 11 prill të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte angazhuar pa sukses që ta shpëtonte nga rrëzimi kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani. Atë ditë, shefi i Qeverisë i kishte mbledhur në zyrën e tij përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Atyre u kërkonte unitet politik, duke e cilësuar shkarkimin e tash këshilltares së tij si pjesë të shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve atje përmes acarimit me njëri-tjetrin.

“Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm”, shprehej kryeministri në atë takim, duke theksuar se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve “nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohës”.

Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi dhe kryetari i Lëvizjes për Reforma, Sami Salihu s’i kishin shkuar Kurtit në takim. Ata të dy ishin bashkuar në Kuvendin Komunal të Preshevës për t’i bërë përgatitjet e fundit për rrëzimin e Ardita Sinanit nga karrigia e kryetares, gjë që edhe ndodhi.

Kjo shënoi pikën e krisjes së madhe të marrëdhënieve ndërmjet kryetarit të atëhershëm Preshevës me kryeministrin e Kosovës.

Më vonë atë vit, Albin Kurti e emëroi Ardita Sinanin këshilltare të tij, e zëvendësi i tij, Besnik Bislimi zgjodhi një bashkëpartiak të saj për ta bërë këshilltar të tij – Ragmi Mustafin. /Express