Kurti do të bënte koalicion me PDK-në, por…

Koalicioni i mundshëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës është i mundshëm por që kjo të ndodh, udhëheqësit e partisë në pushtet, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me parullën “Familja, Prona, Shteti”, duhet të hiqen. Kurse, LDK pamundësoi fitoren e Bllokut, duke u bashkuar me PDK-në për motive të ulëta. Kështu tha në një intervistë për KosovaPress, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
Lideri i VV-së thotë se viti 2015 do të jetë vit i veprimeve, si në Kuvend ashtu edhe në rrugë sepse qytetarët do të dalin kundër kësaj qeverie të krijuar për interesa të ulëta.
Duke folur për vitin 2014, Kurti thotë se pati shumë zhvillime negative e interesante, por jo edhe gjëra pozitive.
Ai tha se gjysma e parë e vitit 2014 nisi me idenë për shpërndarjen e Kuvendit, derisa pjesa e dytë e vitit, ishte më së shumti si lajm ‘qëndrueshmëria e vazhdueshme’ e koalicionit LAN në njërën anë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje në anën tjetër, bashkëpunim ky i cili u pat kurorëzuar edhe me marrëveshjen e 10 shtatorit.
“E para është Flamuri Kombëtar Shqiptar me hartën e trojeve etnike në Beograd, i cili e solli një situatë të re meqenëse tash kemi ardhur në pikën ku Qeveria e Kosovës i ka marrëdhëniet shumë më të mira me Beogradin se sa Qeveria e Shqipërisë, që është një zhvillim i ri. Në anën tjetër, ka ndodhur përshpejtimi, intensifikimi, i emigrimit të shqiptarëve nga Kosova dhe besoj që një emigrimi të tillë i ka paraprirë edhe fakti se me këto kamata të larta, të cilat janë shumëfish më të larta se interesi në depozita në bankat komerciale në Kosovë. Paraprakisht, kemi eksodin e parasë, e në një vend ku është i pandalshëm eksodi i parasë, gjithsesi kjo pasohet edhe me eksodin e njerëzve mandej”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes shprehet i pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 8 qershorit, madje thotë se s’do të jenë të kënaqur deri atëherë kur do të fitojnë shumicën dhe secilën komunë.
E kur flet për “Bllokun”, Abin Kurti thotë se krijimi i Bllokut ishte i mirëseardhur, por ata që nuk qëndruan deri në fund e pamundësuan fitoren.
“E gjithë vera e këtij viti ka qenë e organizuar në skenën politike kosovare rreth kushteve të Vetëvendosjes, që në fund u pranuan me datën 10 shtator, por problem i madh ishte që ajo deklarata ime në seancën e 9 tetorit doli të ishte edhe më e rëndësishme sesa që e kishin menduar njerëzit në përgjithësi, kur thashë se: Nëse qëndrojmë, fitojmë! Dhe ata të cilët nuk qëndruan, ata na e pamundësuan neve fitoren. Mendoj se është bërë një dëm i madh sepse është humbur një shans unik, jo me fajin e Vetëvendosje-së. Nuk është që ne kemi pas iluzione për këto parti politike. Mmirëpo, megjithatë, nuk mund të themi që nuk kemi qenë të befasuar me shpejtësinë me të cilën e prishën koalicionin LAN dhe, sërish, me shpejtësinë tjetër me të cilën filluan negociatat dhe bënë tejet shpejt marrëveshje me PDK-në”, theksoi ai.
Por, rezistimi i Bllokut, deri me 10 shtator për të mos nënshkruar një marrëveshje të parimeve, me VV-në, sipas Kurtit u bë për shkak të kushteve dhe kritereve që ata i kishin për një kurs të ri të shtetit. Për reforma demokratike në arsim, në shëndetësi, për luftim të krimit e të korrupsionit. Për dialog tjetër fare që nis me BE-në dhe zhvillohet sidomos me serbët e Kosovës, e deri te komisionet hetimore parlamentare për çështjen e dialogut të deritanishëm, rezultateve të tij, dhe privatizimeve të deritanishme dhe rezultateve të tyre janë argumentuar që është trysnia ndërkombëtare.
Kurti thotë se asnjëherë nuk ka thënë se partitë e Bllokut janë si PDK-ja, por, kanë bërë një dallim interesant në fushatë, duke thënë që udhëheqja e PDK-së e ka vendin në burg e udhëheqja e LDK-së e ka vendin në pension.
“Pra, nuk thamë ne që janë të njëjtë, është një çështje tjetër se ata u bënë bashkë dhe po njëjtësohen. Pra, natyrisht, nuk mendoj që bëhet fjalë për dallime shumë të mëdha cilësore, sigurisht që jo, mirëpo në një situatë ku shtetin e kishte kapur njëra parti, PDK-ja, jo LDK-ja, AAK-ja edhe Nisma, kjo ishte shans për t’ia ndryshuar kursin shtetit. Me datën 10 shtator, nëse e lexoni marrëveshjen, nuk ka ndryshuar Vetëvendosje!, kanë ndryshuar LDK, AAK dhe Nisma”, shton ai.
Lideri i Vetëvendosjes, shtoi se e ka ditur dhe e ka thënë që asnjërin prej liderëve të LAN-it nuk i ka dashur, dhe nuk ka qenë punë dashurie kjo, por ka qenë çështje e numrave të nevojshëm për të krijuar shumicën parlamentare.
Sipas tij, nëse ndërkombëtarët, ose ndonjë ndërkombëtar nuk e paska dashur këtë aspekt ose atë aspekt të Vetëvendosje-s, nëse ndërkombëtarët duan të vendosin se si të jetë qeveria në Kosovë, atëherë cili është kuptimi i pavarësisë së shpallur.
Kurti thotë se PDK- dhe LDK u bënë bashkë për motive të ulëta, sepse partia që ishte deri tani në pushtet, donte ta shkatërronte Bllokun me çdo kusht, duke u ndihmuar nga presidentja Jahjaga dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani.
“Bindja ime është që PDK-LDK u bënë bashkë për motive të ulëta…Postet, pozitat, tenderët, pagat, rehatim familjarësh, kushërinjsh e kështu me radhë. Pra, nuk ka diçka që është përtej vetes së tyre. Është diçka thellësisht e ngushtë, personale, nganjëherë as klanore dhe unë nuk shoh se si Kosova mund të përparojë pa e rrëzuar këtë qeveri. Nëse ne me marrëveshjen e 10 shtatorit, kemi pasur synim që të jemi pjesë e një qeverie që e vendos Kosovën në binarë të ri, tash ne e kemi për qëllim që ta rrëzojmë një qeveri e cila bazohen në marrëveshjen e 9 dhjetorit me Listën Serbe”, tha kreu i VV-së Kurti.
Por, Kurti nuk e sheh problem që edhe VV-ja të lidh koalicion me PDK-në, madje në një të afërme të afërme mund të ndodh një gjë e tillë. Por, thotë se kjo mund të ndodh vetëm atëherë kur në udhëheqjen e PDK-së, të mos jete Hashim Thaçi e Kadri Veseli, si dhe të heqin parullën “prona-familja-shteti”.
“Me PDK-në siç është tash, me këtë udhëheqje të saj, e cila udhëhiqet nga dyshja Thaçi-Veseli dhe me parullën e saj “Familja, Prona, Shteti”, pra, një parullë e djathtë konservatore e neoliberale, dhe përderisa kjo parti e ka kapur shtetin dhe është zhytur në kriminalitet, e pa u hequr të gjitha këto, sigurisht se jo, por kjo është prapë një kohë e cila nuk është aq e largët kur do të ndodhë. Unë mendoj se ka shumë brumë atdhetar në PDK, por ky brumë atdhetar është i bllokuar prej dyshes Thaçi-Veseli. Ata duhet të lirohen prej tyre. Jam i bindur se 99 për qind të anëtarësisë së PDK-së do ta nënshkruanin marrëveshjen e 10 shtatorit, për një kurs të ri të shtetit, pa pazare me Serbinë e pa privatizime të egra. 99 për qind të tyre do ta pranonin. Mirëpo, janë më pak se 99 njerëz në PDK të cilët nuk e pranojnë këtë marrëveshjen e 10 shtatorit dhe e luftojnë Vetëvendosje!-n e jo Serbinë. Ama këta 99 njerëz, ose këta më pak se 99 njerëz të udhëhequr nga këta dy, Thaçi e Veseli, këta aq shumë e kanë bllokuar PDK-në saqë unë nuk shoh potencial që ai brumë atdhetar aty, të shpëtojë nga kjo udhëheqje e korruptuar, e kriminalizuar dhe tradhtare”, theksoi Kurti.
Madje thotë mund të ndodh edhe në zgjedhjet e ardhshme, pasi PDK-ja të dal në opozitë do t’i heq qafe dyshen Thaçi-Veseli.
“Po, se PDK-ja duhet të dalë në opozitë dhe nga kjo pozitë e opozitës ajo do të mund ta heqë qafe zgjedhën që ia kanë vënë njerëzve kombëtarë dhe të majtë aty Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Derisa PDK-ja është në qeverisje nuk ka mundësi të reformohet: dyshja Thaçi-Veseli, Familja-Prona-Shteti, klani “Pronto” do të dominojnë. Kur të del PDK-ja në opozitë, e unë uroj që kjo të jetë edhe para zgjedhjeve të ardhshme, ai brumi atdhetar mund të çlirohet”, shtoi ai.
Kurti ka paralajmëruar se përveç kundërshtimeve dhe aktivizimit në Kuvend ndaj kësaj qeverie, do të ftojnë edhe qytetarët që të dalin në demonstrata kundër bashkimit të dy partive të cilat e kanë sjell vendin në këtë gjendje të papunësisë, varfërisë së skajshme, krijimit të Gjykatës Speciale, Asociacionit të komunave serbe dhe migrimit të qytetarëve të Kosovës në drejtim të perëndimit.
“Qytetarët e pakënaqur të cilët me të vërtetë janë të pakënaqur mendoj se do të dalin në rrugë sepse edhe ashtu janë në rrugë. Nuk është shtëpi ajo në të cilën nuk ke ngrohje, nuk ke energji elektrike, nuk ke bukë për fëmijët, nuk ke kushte elementare të jetesës ku përfshihet edhe higjiena e një niveli adekuat. Unë e di që qytetarët do të dalin në protesta e demonstrata dhe kjo nuk do të ndodh pse ata i kanë qejf protestat e demonstratat por për shkak se zori është bërë i padurueshëm. Esat Mekuli e ka thënë një shprehje shumë të mirë: “Të gjitha gjërat këputen në jetë duke u tëholluar, a zullumi këputet prej së trashi”, tha Kurti.
Ndërsa, rithekson se se do të votojnë kundër formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, derisa, Gjykata Speciale është e panevojshme për Kosovën përveçse e padrejtë. Sipas tij, krimet e luftës i ka bërë Serbia dhe numri i serbëve në burg për krimet në Kosovë është numër dyshifror në rastin më të mirë, kurse Gjykata e Prokuroria Speciale atje për krime të luftës i ka rreth 160 serbë në burg gjithsej për të gjitha luftërat e Jugosllavisë.
“Në një situatë të tillë, Gjykatë Speciale tash për UÇK-në, e për shqiptarët… është e qartë se cila është shënjestra e kësaj gjykate. Mendoj se është e padrejtë dhe gjithashtu është e padrejtë që këta kriminelët e paqes të amnistohet për krimet që i kanë bërë në paqe, e kam fjalën për shqiptarët në politikë që janë, dhe, në anën tjetër, të fillohet për pjesën pozitive të tyre gjatë luftës të gjykohen si kriminelë lufte. Kjo është tërësisht e padrejtë dhe, ne besojmë, e panevojshme’, thekson ai.
Derisa, sipas Kurtit, Vetëvendosja është kundër ligjit që dënon ata që marrin pjesë në luftërat jashtë vendit, pasi mendojnë se ndryshe duhet zgjidhur kjo çështje, e jo duke i dënuar njerëzit. Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje është kategorikisht kundër shkuarjes së shqiptarëve në luftën e Siri dhe në luftërat e tjera që po bëhen rrotull atje, sepse ato luftëra nuk janë për shqiptarët.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet t’i vendos të gjitha organizatat terroriste në një listë të caktuar, me çka bëhet e dënueshme dhe e ndëshkueshme çdo pjesëmarrje apo anëtarësim në forumet e tyre.
Mirëpo, Kurti, thotë se e ka përshtypjen e fuqishme për të mos thënë bindjen se Qeveria e do një ligj të tillë që ta përdorin për një lloj shteti policor këtu, që njerëzit të mund të përgjohen e kontrollohen.
Ndërsa, rolin e Jahjagës në kohën sa ishte ngërçi politik, Kurti e ka quajtur rol logjistik se si t’i sjellë në një lokal që ndoshta ka rastisur ta ketë emrin “Hamam” e aty të jenë bashkë Thaçi, Haradinaj dhe Mustafa.
Kurti thotë se Kosova duhet të jetë republikë parlamentare, por që kurrsesi nuk duhet të kenë më presidente apo presidentë që dalin nga zarfi dhe vijnë në Kuvendin e Kosovës për t’u zgjedhur në pozitën më të lartë dhe opinioni i sheh për herë të parë në jetë dhe heq të zinjtë e ullirit derisa t’ua mësojë emrin.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në vitin 2015 pret që do të ketë një vetëdijesim të përshpejtuar të qytetarëve, një veprim të fortë opozitar në Kuvendin e Republikës qoftë në komisionet hetimore parlamentare apo në seanca të jashtëzakonshme për temat që nuk janë ngritur deri më tani si dhe me organizim numrash në Kuvend për ta bllokuar 80-shin apo dy të tretat të cilët do t’u mundësonte atyre të bëjnë gjëra të mbrapshta. /KP/telegrafi/