KKVITI

Kurti dhe Vuçiq miratojnë Deklaratën për të Zhdukurit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Në Bruksel po mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, njofton REL.

Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.

Reklama

Në takim po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi derisa Vuçiqin e shoqëron Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Hidromorava

Takimi është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

Nga ana tjetër pritjet amerikane janë për një takim konstruktiv dhe që sjell përparim në bisedime, posaçërisht për formimin e Asociacionit.
Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Para takimit të përbashkët, Albin Kurti, u takua me Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në komunikatën nga Zyra e Kryeministrit thuhet se ishte një takim miqësor e produktiv, të cilin kryeministri Kurti e filloi duke e falënderuar z. Escobar për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e votimit në fazën e parë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke e cilësuar atë të arritur meritore të Republikës së Kosovës.

U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit, thuhet në komunikatë.​ /Telegrafi/