UBT

Kurti bëri shëtitje politike në Gjilan, interesin e qytetarëve e la në rend të dytë duke e nxjerrë interesin e partisë së tij në plan të parë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, z. Lutfi Haziri, ka mbajtur konferencë me gazetarë ku ka thënë se kryeministri Kurti gjatë vizitës së djeshme ka lënë interesin e qytetarëve në rend të dytë dhe duke e nxjerr interesin e partisë së tij në rend të parë.

Haziri ka thënë se së pari, kryeministri Kurti ka harruar t’i tregojë familjes së Agon Musliut, i cili vdiq në kohën e qeverisjes së tij, se ku kanë mbetur hetimet për këtë rast tronditës dhe ku është përgjegjësia e tij si kryeministër. Duke injoruar familjen e Agonit dhe të të rinjve të Gjilanit, ne dje e pamë shëtitjen politike, në kohën kur kanë stagnuar hiç më pak se 24 projekte sistemore.

Ai, në kundërshtim me ligjin dhe planin detal urban, ka përuruar parkun “Banja”, i cili u degradua skajshmërisht si projekt, duke i përjashtuar personat me aftësi të kufizuar.

Në kundërshtim me ligjin, vazhdon të proklamohet edhe për stadiumin e qytetit, i cili në fazën e parë është përfunduar. Ndalja e punimeve duke ia atribuar projektin një qeverisje dhe duke dashur të sillet një projekt i ri, e ka dyfishuar koston nga 7.1 milionë në 15 milionë.

Kryeministri erdhi në Gjilan me një pako të re financiare, duke e lidhur qarkoren e re pa i kompensuar qytetarët për qarkorën e vjetër, duke mos treguar se çka do të ndodhë për pjesën e dytë të autostradës prej Bresalcit në Konçul.

RCCOLA

Stanishorka, nga 1.2 milionë euro, është nënshkruar në 2.5 milionë euro. Është rritur qind për qind kosto, e nuk janë paraparë ndërtimi i kolektorëve që çojnë në impiant.

Projektin e impiantit, nga 18 muaj sa do të duhej të përfundojë, këtë projekt e kanë shtyrë për hiç më pak se në vitin 2028.

Skandali më i madh që ka ndodhur në Komunë është ai i kamionëve dhe ende nuk ka zbardhur Komuna asgjë se si mund të blihen kamionët në Gjermani pa një ofertë të hapur publike. Pagesa prej 38 mijë euro si transaksion ndërkombëtar është skandal që duhet të zbardhet.

Në anën tjetër, LDK po mundohet të krijojë stabilitet dhe rregullshmëri në Asamblenë Komunale, duke qenë partia më e madhe politike në Gjilan.

Manipulimeve, mashtrimeve e kamuflimeve po u vije fundi sepse Gjilani dhe Kosova meriton më shumë dhe më mirë!, tha Lutfi Haziri. /rajonipress/