Kurti: As nuk do të vonojmë dhe as nuk do të kursejmë për ta përfunduar infrastrukturën e re sportive në Zhegër

Gjilan – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, kanë inspektuar sot vazhdimin e punimeve në palestrën e sporteve në Zhegër, një projekt ky që po realizohet në bashkëfinancim me qeverinë.

Kryeministri Kurti, pasi është njoftuar me ecurinë e punimeve, ka thënë se sot jemi këtu së bashku me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe ministrin Hajrullah Çeku, që t`i përgëzojmë punëtorët dhe kompaninë për këtë fillim apo ri-fillim të punës në këtë infrastrukturë shumë të rëndësishme sportive për Zhegrën e për Gjilanin.

Ai ka premtuar se ky projekt i nisur kaherë dhe i lëmë në gjysmë, tani që po rifillon, do të kryhet me sukses, për çka ka njoftuar se janë ndarë edhe fondet e nevojshme dhe pardje është nënshkruar edhe kontrata.

‘Do të ndajmë fonde që një punë e nisur moti dhe e lënë përgjysmë, ku operatori ekonomik është tërhequr, rast ky i rrallë dhe mbase edhe i vetëm, ta përmbyllim suksesshëm, sepse jo vetëm historisë dhe ekonomisë sonë, por edhe kulturës sonë, Zhegra i ka dhënë shumë”, ka nënvizuar Kurti.

Prandaj, ka vijuar ai, ne e kemi për obligim të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpijmë edhe sportin përpara, po gjithashtu edhe aktivitetin shoqëror të këtij vendi, në përgjithësi.
Duke e nënvizuar rëndësinë e sportit, si kulturë të popullsisë dhe si shëndet, kreu i Qeverisë ka thënë se kjo ka nevojë edhe për infrastrukturë të re.

‘Meqenëse sporti nuk është vetëm për sportistët, por është për të gjithë sportdashësit e ne e dimë, sidomos nga koha jonë, se sporti është edhe shëndet, andaj kemi interes që sportin ta bëjmë edhe kulturë të popullsisë dhe kjo infrastrukturë e re, për të cilën ne nuk do të vonojmë e kursejmë, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim’, ka thënë Kurti.

Përndryshe, kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se vlera e këtij projekti është 1.2 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda vitit 2022, për t`iu dhënë mundësi sportistëve dhe sportdashësve të këtij lokaliteti të madh të Grykës së Karadakut që aktivitetet sportive t`i zhvillojë e t`i ndjekë në një objekt bashkëkohor.

Palestra ka kapacitet prej 800 ulëseve dhe i plotëson nevojat e këtij lokaliteti, i cili ka edhe një klub hendbolli që garon në Superligën e Kosovës./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS