Kurteshi vizitë në Bashkësinë Islame

Gjilan – Me rastin e Fitër Bajramit, një delegacion i përbërë nga dhjetëra pjesëmarrës nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan.
Ismajl Kurteshi në fjalën e tij, uroi të gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë dhe të gjithë agjëruesit. “Ky muaj ka qenë muaj i solidaritetit, harmonisë dhe ngritjes shpirtërore. Gjatë këtij muaji, kemi marrë pjesë thuajse në të gjitha takimet e organizuara nga Bashkësia Islame dhe nga të tjerët. Këto festa na bashkojnë dhe afrojnë me njëri-tjetrin. Kjo festë e Bajramit është mesazh i mirë për fenë dhe kombin, ngase vetëm na bashkon dhe rritë besimin e ndërsjellë” – u shpreh Kurteshi.
Ndërsa kreu i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Sulejman Osmani, pasi falënderoi Kurteshin dhe Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për respektin dhe vizitat e shpeshta në institucionin që ai e drejton tha se Festa e Bajramit është festë që na bashkon dhe na gëzon. “Ne realizuam faljen në qendër të qytetit, ngase kjo ka qenë edhe një praktikë e pejgamberit alejhi selam që për Bajram të falet në hapësirë të hapur, sepse Bajrami ofron dhe bashkon të gjithë njerëzit dhe është hera e dytë që po e realizojmë në ambient të hapur në Gjilan, prandaj ka qenë një ditë madhështore dhe e lumtur” tha Osmani./rajonipress/