UBT

Kurteshi: Në Gjilan pronat e komunës po shiten paligjshëm

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ajo që filloi si Partneritet Publiko Privat po përfundon si privatizim dhe si shitje. Në këto objekte të ndërtuara në prona të komunës nga partnerët privat nuk po ofrohen e as nuk do të ofrohen në të ardhmen shërbime publike e as veprimtari publike ekonomike ka thënë Ismajl Kurteshi.

Ismajl Kurteshi dhe Avni Rudaku nga VV në një takim për medie edhe njëherë e kanë akuzuar pushtetin komunal për shkelje e keqpërdorime.

Ismajl Kurteshi ka folur për Partneritetin Publiko Privat(PPK), i cili sipas tij edhe pse në fillim filloj si partneritet publiko privat , tani po përfundon si privatizimi dhe si shitje.“Këto objekte janë bërë objekt i bizneseve nga të cilat nuk do të përfiton publiku. Në këto objekte të ndërtuara në prona të komunës nga partnerët privat nuk po ofrohen e as nuk do të ofrohen në të ardhmen shërbime publike e as veprimtari publike ekonomike” ka thënë Ismajl Kurteshi.

“Edhe pse dhënia e tokës së komunës te ish – kadastra dhe kombinati i duhanit për ndërtimin e banesave paraqet shkelje ligjore. Shitja (privatizimi) i pjesës që i takon komunës është shkelja tjetër që po e bënë me vetëdije komuna, e organet kompetente si Qeveria, Gjykata etj. po heshtin. Ne kërkojmë nga Komuna e Gjilanit që të heq dorë nga kjo formë e keqpërdorimit kurse nga të interesuarit që të mos i blejnë këto prona. Të mos shitet trualli i ish Ekonomisë së Pyjeve që gjendet në kompleksin e shkollave të mesme dhe të kalojë nga administrimi i AKP-së, në drejtorinë e arsimit, për nevojat e shkollës” ka shtuar Kurteshi.

Sipas tij AKP-ja po përgatit për shitje edhe oborrin e Ekonomisë së Pyjeve në kompleksin e shkollave të mesme. “Ajo pronë edhe sikur të ishte private do të duhej të blihej për interes të shkollave. Kërkojmë nga komuna që të angazhohet që ajo sipërfaqe trualli të kaloj në pronësi të shkollave”.

Eco Higjiena

Kurteshi tha se edhe “Eko-higjiena” është privatizuar në formë të paligjshme.”Në formë të paligjshme është themeluar edhe Ndërmarrja e Përbashkët Aksionare “Eko – higjiena” pasiqë dhënia në koncesion e një ndërmarrje publike nuk mund të ndodh pa aprovimin e një iniciative të tillë nga Qeveria, e një aprovim i tillë nuk ka ndodhur. Komuna e Gjilanit po vazhdon pa pengesë me keqqeverisje, qytetarët e Gjilanit edhe pse po heshtin po i përcjellin me kujdes këto veprime të komunës” tha Kurteshi.

Kurse Avni Rudaku nënkryetar i VV tha se pas sondazheve të fundit se Lëvizja Vetëvendosje! është subjekti më i votuar në komunën e Gjilanit, disa subjekte politike, e veçmas pushteti aktual, kanë filluar të fërkohen për vendin e parë. Këto fërkime vërtetë janë shqetësuese. “Ne e dimë edhe nga takimet tona me qytetarë, se sa e kemi besimin, ne kemi shumë qytetarë të pakënaqur që vijnë dhe bëjnë ankesa në zyret tona, ne e dimë që në zgjedhjet e fundit ishim subjekti më i përkrahur në Gjilan, ndonëse në qytet e fituam betejën, në disa fshatra pushteti e vodhi votën për ta prishur vullnetin e qytetarëve. Prandaj, së pari ne u bëjmë apel pushtetit aktual të PDK-së në Gjilan, se më mirë se të bëhej fushatë në këtë mënyrë dhe pa u hapur zyrtarisht, le të na lënë komunën në fund të këtij viti, me më pak obligime nga kontraktuesve dhe kompanive, le të mbarojnë projektet e lëna përgjysmë sa më parë, le të përgatiten për ardhjen e bashkatdhetarëve në sezonin veror, në mënyrë që të mos hapen gropat në këta muaj e të prishim komoditetin dhe sigurinë në komunikacion nën rritjen e shkallës së densitetit në komunikacion, le të merret me administratën jo efikase, ku akoma shumë njerëz presin në rrugë për një dokument ndonëse u tha se sistemi i ri u përvetësua, ndërsa njerëz në radhë shohim në mëngjes duke pritur për një dokument themelor, le të merren me Kravaricën, Bilinicën dhe rrugët e paasfaltuara në fshatra e lagje të qytetit, le të bëjnë punën si duhet në rregullimin e lumit Mirusha dhe të punojnë me qytetarët e pakënaqur me kompensimin e tokave të cilët e kanë shkruar një parullë kundër Qemajl Mustafës në afërsi të rrjedhjes së ujërave të zeza” ka thënë Rudaku.

Rudaku tha se u bëjmë thirrje PDK-së dhe pushtetit aktual në Gjilan, respektivisht, pronarit të komunës, Qemajl Mustafës, që të ndal ekskursionet për grupe të caktuara të studentëve, grave e pensionerëve, kinse për t’i mbështetur, ndërsa jo vetëm që komuna është e zhytur mbi 3 milion dhe s’ka mundësi kthimi, jo vetëm që shumë projekte kanë mbetur në gjysmë dhe të papërfunduara që nga mandati i tij i parë, por këto grupe do t’i ndihmonte duke u indinjuar për ndaljen e punimeve të Bibliotekës Regjionale të financuar me 2 milion euro nga Komisioni Evropian, ndërtimi i kësaj biblioteke do të ishte ndihma më e madhe për studentët dhe nxënësit sot, le t’i ndihmojë pensionerëve me kushte normale të kryerjes së punëve, ku në objektin ku punojnë disa pensionerë, ata e ato nuk kanë as ndriçim dhe as karrige për t’u ulur, asnjë kompjuter.

“Ne u bëjmë thirrje pushtetit në Gjilan, por edhe kryeministrit Hashim Thaçi, që të mos merret as me gënjeshtra të mëdha prej 100 milion euro investime në Gjilan, e as me gënjeshtra të vogla ku prej 100 milion euro ra në 8 milion euro në investime, sidomos pasi panë edhe nga sondazhi, se PDK-ja e ka humbur përfundimisht Gjilanin. Krejt për fund, ne nuk kemi krijuar shprehi pune asnjëherë, që të jemi aktiv vetëm pak para fushatës së zgjedhjeve lokale dhe kemi qenë e do të jemi vazhdimisht pranë nevojave të qytetarit, nga ato nevojat elementare për ujë të pijshëm, shërbime të nevojshme publike si kanalizimi, asfaltimi, ndërtimi i urave, çerdheve, e të ngjashme. Mos ta torturojmë qytetarin e mbushur zhgënjim dhe tendenca të vazhdueshme për të ikur në mërgim e që maltretohet në kufijtë e Hungarisë ku nuk respektohet asnjë e drejtë e emigrantëve qofshin edhe ilegalë; apo edhe të të paraburgosurve. Të punojmë për qytetarin dhe vetë ai e ajo do ta votojë atë të cilit i beson! Pushtetin aktual e ka parë për dy mandate se si qeverisën dhe sa i ka përmbushur premtimet! Prandaj, sondazhi i fundit tregon edhe për të satën herë, se Gjilani është i gatshëm për ndryshime, qoftë në mënyrën e qeverisjes, qoftë në ardhjen e një force të re politike, e cila nuk i ka mëkatet e kaluara dhe ka dëshmuar me disa individë që e kanë guximin dhe vullnetin për drejtësi e zhvillim të Gjilanit tha Rudaku./rajonipress/