Kurteshi: Krimi i organizuar është vet shteti dhe pushteti
Sami Kurteshi, Avokat i Popullit, ka shpërthyer në akuza për shumicën e institucioneve duke treguar për ankesat që vijnë në zyrën e tij.Këto akuza, Kurteshi i ka bërë në emisionin “Puls” të KTV’së, i cili ka theksuar se çdo vit ka rritje të ankesave për institucionet e Kosovës që shkelin të drejtat e njeriut për nga 10%.
Ai ka thënë se në vitin 2014 kanë qenë 2220 ankesa tek Avokati i Popullit nga qytetarët për shkeljet që u janë bërë nëpër institucione publike.
“Këtu kemi të bëjmë me institucione, funksione e individë që janë mbi ligjin që nuk respektojnë asnjë vendim, asnjë normë kushtetuese. Në këto 15 vjet kemi arritur të krijojmë një shtet dhe shoqëri të padrejtë”, ka thënë Kurteshi.
“6 vite që e ushtroj pozitën e Avokatit të Popullit nuk ka funksionon shtetëror, përfshirë gjykatat, prokuroritë, ministrit që nuk ka ardhur të ankohen ndaj institucioneve publike. Madje edhe vet gjykatësit nuk i besojnë gjykatave”, ka theksuar më tej Kurteshi.
Avokati i Popullit ka thënë se krimi i organizuar ekziston brenda institucioneve të Kosovës, pjesë së cilave janë politika, policia, Shërbimi Korrektues, Gjykata Supreme, Gjykata Kushtetuese, Universiteti i Prishtinës dhe institucionet tjera.
“Këtë fenomen as EULEX’i nuk ka pasur guxim ta luftojë… askush nuk guxon. Ne, edhe pse nuk jemi diktaturë e hapur, jemi duke shkuar drejt diktaturës. Atomizimi i shoqërisë është diktaturë duke mosbesu në institucione e në individ. Duhet ta pranojmë se qytetarët nuk besojnë më në institucione. Qytetarët nuk besojnë në asnjërën nga tri shtyllat e shtetit, jemi keq në çdo fushë, shëndetësi, privatizim, haraq, arsim, polici, ministri… Ma gjeni një fushë ku është në rregull”, theksoi Kurteshi.
Kurteshi tha se rasti më eklatant është degradimi i Gjykatës Kushtetuese ku është bërë falsifikim për shkak të vendosjes së emrit të gjyqtarit Carolan pa qenë pjesëmarrës në kuorum.
“Politika apo krimi i organizuar ka qenë e involvuar në zvarritjen e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit i cili ka qenë proces krejtësisht teknik, administrativ. Këtu Gjykata Kushtetuese është involvuar, pra duhet kërkuar krimin e organizuar edhe në këtë gjykatë. Ky krimi ka përfshirë çdo instancë nuk është jashtë krimit të organizuar as Gjykata Supreme, as Këshillit Gjyqësor, asnjë instancë. Sot nuk ka njeri që shkon në Gjykatë sepse askush nuk beson në Gjykatë… veç zori”, është shprehur Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.
“Në Kosovë po të kishim krim të organizuar të vetëm dy partive politike, çdo dit do të kishim luftë, por meqenëse nuk kemi kësi vrasje mes veti, këtu ekziston vetëm një krim i organizuar e ai është shteti, pra tri pushtetet”, theksoi Kurteshi.
Kurteshi ka thënë se investime të huaja në Kosovë nuk do të ketë sa të kemi krim të organizuar në shtet.
“Unë e kam dëgjuar në emisionin tuaj rastin e zaptimit të pasurisë që shteti ja ka shitur dhe e ka lënë atë në mëshirën e fatit ose të vriten dhe e kërcënon. Andaj askush nuk vjen që të investojë. Ka marrë fund kjo punë se të pushtetshmit e kanë marrë ligjin në dorë”, ka potencuar Avokati i Popullit.
Kurteshi, në emisionin “Puls” ka thënë se lëndët që institucioni që ai drejton kanë të bëjnë me zvarritje të lëndëve në gjykata dhe kanë të bëjnë pikërisht me pronat.
Ky, sipas tij, është problem kryesor pasi, siç tha ai, “gjykatat janë direkt të involvuara me krimin e organizuar për pronat në Kosovë”.
Kurteshi tha se Gjykata Speciale është pasojë e dështimit të gjykatave kosovare pasi ato kanë dështuar në lëndë të thjeshta.
“Sa i përket Shërbimi Korrektues, kemi pas rast kur ky shërbim nuk ka qenë në gjendje t’i mbajë brenda njerëzit e pushtetshëm. As kjo hallkë nuk është jashtë krimit të organizuar. Burgjet tona nuk mund t’i mbajnë njerëzit e pushtetshëm, andaj e kemi tash Gjykatën Speciale”, theksoi Kurteshi.
Sami Kurteshi ka akuzuar direkt kryetarin e Gjykatës Kushtetuese se mban dy vende pune, por edhe ligjëruesit e fakultetit juridik, pasi që, siç tha ai, “mua më vijnë në provim me shkrim juristë që nuk e njohin alfabetin ndërsa i mbajnë nga dy vende pune”.
“Duhet guxim qytetar, asgjë më shumë. Duhet ngrit zërin, përndryshe kemi dështuar të krijojmë shtetin ligjor. Ky është aj mosguximi jonë t’i themi stop”, ka përfunduar Avokati i Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi.
http://koha.net/?id=27&l=56990


