Fundamenti

Kurteshi i indinjuar me deklaratën e Mustafës për Jabllanoviqin – kërkon shkarkim të menjëhershëm të këtij të fundit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa në rrjetin social Facebook, përmes të cilit ai ka thënë se deklarata e Avokatit të Popullit lidhur me deklarimet e ministrit Aleksandar Jabllanoviq është ‘cilësim politik’. Avokati i Popullit, përmes një reagimi dërguar mediave, ia përkujton kryeministrit se Ligji për Avokatin e Popullit, neni 16, pika 1.3, parasheh që një ndër përgjegjësitë e Avokatit të Popullit është “të bëjë të njohura të drejtat e njeriut dhe përpjekjet për të luftuar të gjitha format e diskriminimit përmes ngritjes së vetëdijesimit, posaçërisht përmes informimit dhe edukimit edhe me anë të mediave”.

“Fjala “egërsirë” ka qenë pjesë e fushatave shoveniste dhe urrejtëse të aparatit të Millosheviqit ndaj një grupi të caktuar etnik. Kur Avokati i Popullit dënon publikisht përdorimin e kësaj fjale, tani të thënë nga një anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk po merret me “cilësime të deklaratave politike”, por pikërisht po kryen detyrën e tij “për të luftuar të gjitha format e diskriminimit […] me anë të mediave” dhe po përmbush premtimet dhe betimin e tij para qytetarëve dhe para ligjit”, thuhet në këtë reagim, raporton Koha.net.

Më tej thuhet se “është tepër ironik fakti që kryeministri Mustafa pretendon të udhëzojë Avokatin e Popullit në përmbushjen e detyrave të tij, kur vetë z. Mustafa ose nuk do, ose nuk di, ose nuk guxon të përmbushë detyrimet dhe përgjegjësitë e tij, si kreu i Qeverisë”.

“Mosmarrja e masave ndaj ministrit Jabllanoviq është një shembull i këtij dështimi. Përndryshe, Avokati i Popullit, në punën e tij profesionale, nuk pranon asnjë ndërhyrje nga askush, qoftë ai edhe kryeministri Mustafa. Përpjekja e Kryeministrit Mustafa që reagimet ndaj deklaratave të ministrit Jabllanoviq t’i orientojë në një debat mbi “pjesëmarrjen në qeveri të serbëve që janë lindur apo atyre që jetojnë në Kosovë”, është devijim i qëllimshëm, tendencioz, po aq sa është edhe cinik”, thuhet më tej në reagimin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit thotë se asnjëherë nuk e ka mohuar të drejtën e serbëve të Kosovës t’i shërbejnë popullit. Përkundrazi, Avokati i Popullit thotë se, jo vetëm e mirëpret pjesëmarrjen e çdo komuniteti, përfshirë komunitetin serb, në Qeveri dhe secilin segment të jetës në Kosovë, por edhe tërheq vërejtjen kur kjo nuk bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Eco Higjiena

Por, për Avokatin e Popullit është e patolerueshme që një anëtar i Qeverisë, i cilitdo komunitet qoftë, shumicë apo pakicë, të mos e pranojë Republikën e Kosovës, si shtet sovran dhe të pavarur. “Asnjë popull demokratik në botë nuk do të pranonte të përfaqësohej nga dikush që mohon ekzistencën e shtetit të cilit pretendohet se duhet t’i shërbejë. Populli i Republikës së Kosovës nuk është dhe nuk duhet të jetë i ndryshëm në këtë drejtim”, theksohet më tej në reagim.

Avokati i Popullit shton se “në sqarimin e tij lidhur me atë që kishte thënë, ministri Jabllanoviq jo vetëm që s’ka kërkuar falje për gjuhën urrejtëse që ka përdorur, por ka shkuar edhe më larg”.

“Ai ka përsëritur edhe një herë shprehjen diskriminuese dhe fyese “egërsirë”. Për më tepër, ka vënë barrën e fajit tek NATO për të gjithë viktimat dhe personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke u përpjekur që qëllimshëm të mohojë faktet objektive, të pranuara ligjërisht dhe botërisht rreth krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga shteti serb”, thuhet më tej në komunikatë.

Në fund, Avokati i Popullit kërkon nga kryeministri i Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të parapara me Kushtetutë dhe ligj, “të shkarkojë menjëherë z. Jabllanoviq nga çdo pozitë në institucionet e Republikës së Kosovës, për shkak të përdorimit të gjuhës urrejtëse ndaj një grupi të caktuar njerëzish, si dhe për shkak të mohimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

© KOHA.net