RCCOLA

Kurteshi: Ende nuk e dimë se çka ka përfituar Gjilani nga privatizimi

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kjo qeverisje komunale në shkuarje, do të mbahet në mend, përveç tjerash, edhe si qeveri e privatizimit të çdo gjëje që ka arritur ta privatizojë. Kjo qeverisje ka privatizuar ose ka tentuar të privatizojë rrugë, sheshe, institucione arsimore, objekte publike, ndërmarrje publike, hapësira publike, tregje, shërbime komunale, shërbime administrative ka thënë Ismajl Kurteshi.

Ismajl Kurteshi kryetar i VV në një takim me medie ka thënë se privatizimet përmes dhënies në koncesion, Partneritetit Publiko-Privat ose tenderëve, është bërë pa transparencë të duhur, pa respektim adekuat të procedurave dhe pa arsyetime të nevojshme për tjetërsimin e pronave komunale.”Pas të gjitha këtyre privatizimeve, asnjëherë nuk është njoftuar opinioni se cilat janë efektet e këtyre transaksioneve. Opinioni nuk e din çka konkretisht ka fituar komuna nga këto privatizime” mendon Kurteshi.

RCCOLA

Kurteshi thotë se ato që dihen janë se Komuna dy vitet e fundit paguan dhjetëra-mijëra euro qera për Drejtorin e Gjeodezisë dhe Çerdhen e Fëmijëve “Ardhmëria I” dhe se këto institucione punojnë në kushte të vështira, numri i punëtorëve në “Eko-Higjienë” është zvogëluar, dy shërbyesit civilë që e kanë ndihmuar procesin e dhënies në koncesion të “Higjieno-Teknikës” janë avancuar në drejtor, çmimi i shërbimeve të privatizuara teknike është shumëfish më i lartë, por cilësia e shërbimeve nuk është përmirësuar. 161.000 eurot e dhëna për privatizimin e shërbimeve administrative, përveç se janë antiligjore nuk kanë ndikuar në shkurtimin e radhëve të qytetarëve që presin për ndonjë dokument; Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ia ka tërhequr vërejtjen komunës për shkelje të ligjit dhe mosrespektim të procedurave gjatë procesit privatizimit.

Megjithë këto dëme dhe pasoja për interesin publik, Kryetari i Komunës po vazhdon me privatizim, siç është rasti i përpjekjes së privatizimit të Tregut të Gjelbër. “Ne i kemi dërguar një letër kryesuesit të Kuvendit Komunal, të gjithë shefave të grupeve të këshilltarëve dhe këshilltarëve komunalë në përgjithësi, për ta kundërshtuar çdo miratim të mundshëm të privatizimit të Tregut të Gjelbër, sa herë që do të vjen për diskutim dhe miratim në Kuvend Komunal të Gjilanit. Ne shpresojmë që secili nga këshilltarët do ta kundërshtojë këtë proces të dëmshëm për qytetin e Gjilanit” mendon Kurteshi./rajonipress/