Fundamenti

Kurteshi e Ahmeti vizitojnë “ASK Food”-in

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Ismajl Kurteshi, kandidat për kryetar të komunës së Gjilanit i shoqëruar nga kandidati për Prishtinën, Shpend Ahmetin dhe disa aktivistë të tjerë, kanë vizituar kompaninë “ASK Food”, e cila merret me produkte vendore nga pemëtaria dhe perimtaria, ndër kompanitë më të suksesshme të eksportimit të prodhimeve vendore.

Takimin e hapën pronarët dhe menaxherët e “ASK Food”-it, duke falënderuar për vizitën dhe më pas duke njoftuar për sukseset e “ASK Food”-it dhe sfidat e biznesit të tyre në komunë e nivel vendi. Vëllezërit drejtues, kanë treguar për kualitetin e lartë të produkteve si ajvari dhe produktet e tjera të prodhimtarisë bujqësore, njoftuar se si prodhimi i tyre është i drejtuar mjaft shumë drejt eksportit. “Për produktet tona vijnë nga të gjitha anët, por ne kemi depërtuar edhe në rrjetet e marketeve të mëdha të Evropës e SHBA-së. Kemi marrë shumë komplimente për cilësinë e produkteve tona. Të huajve u bën shumë përshtypje produktet si ajvari, sepse ata e shohin si variant të veçantë duke tërhequr paralele me sosë domate që vjen nga domatet, ndërsa ajvari vjen nga specat. Duam të themi se ne mund të shquhemi vetëm me prodhime vendore, origjinale dhe bujqësia e industria e lehtë ushqimore, janë të vetmet shpresa për vende të reja të punës, për rritje të eksportit dhe zhvillim ekonomik të vendit tone” – janë shprehur pronarët e kompanisë, duke informuar drejtuesit e VV!-s edhe për kuriozitetin që e kanë të huajt për ambalazhin e paketimeve të produkteve, sepse të gjitha bëhen përmes punës së dorës, dhe jo asaj automatike e mekanike. Apo siç u shpreh njëri prej tyre, “të gjitha punët thuajse në Ballkan janë “by hand” dhe kjo ka edhe ato anët e mira, pasi shpreh natyrshmërinë.

Ismajl Kurteshi që në fillim falënderoi për mikpritjen e përzemërt në takim dhe shpalosi disa nga qëndrimet e Lëvizjes VV! dhe të programit të tij qeverisës lokal, të cilat do të jenë në favor të prodhimeve vendore. “Prioriteti ynë mbetet prodhimi vendor dhe do ta ndihmojnë atë në të gjitha mënyrat. Investimet tona janë të orientuara më së shumti në sektorin e bujqësisë dhe jemi të interesuar që t’i ndihmojmë prodhimeve vendore. Ju jeni pikërisht argumenti jonë i gjallë dhe i prekshëm i vizionit tonë për zhvillimin ekonomik, sepse vetëm në “ASK Food” ka mbi 100 të punësuar, siç e thatë, dhe numri i punëtorëve sezonalë rritet po ashtu vazhdimisht” – u shpreh Kurteshi.

Mobi Casa

Ai premtoi se do të bashkëpunojë thellë me të gjitha kompanitë e prodhimeve vendore, e veçmas “ASK Food”-in, e cila ka arritur suksese të larta në lansimin e produkteve vendore jashtë vendit. Po ashtu, Kurteshi ka shprehur shqetësimin e tij se si rruga për në “ASK Food” është jashtëzakonisht e dëmtuar dhe me qeverisjen e tij nuk do të ndodhte kjo që të mos përkrahet biznesi në qasjen më të mirë në infrastrukturë rrugore, kanalizim, ujë.

Shpend Ahmeti, kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës dhe njëherazi ekspert i ekonomisë, ka thënë se rruga juaj duhet ndjekur nga të gjithë dhe ne jemi krenarë me sukseset tuaja. “Ne me tjetër gjë nuk mund të depërtojmë në tregjet vendore e të huaja. Sektori i bujqësisë është sektori më prioritar në politikat tona programore dhe qeverisëse. Ky sektor siguron punësim të qëndrueshëm, zhvillim dhe përmirëson jetën e qytetarëve. Prandaj, do ta keni mbështetjen tonë të vazhdueshme” – është shprehur Ahmeti.

Gjatë takimit janë servuar disa lloje të produkteve të “ASK Food” si ajvari dhe shija e këtyre produkteve është vlerësuar jashtëzakonisht e lartë. Kurteshi e Ahmeti kanë thënë se komuna do të ndihmojë bujqit dhe qendra grumbulluese në ndërtim e sipër nga ASK Food, do t’ia sigurojë tregun prodhuesve vendorë dhe kjo do të rrisë motivimin e bujqve për t’u marrë me bujqësi dhe të pemëtarëve me pemëtari thuhet në njoftimin e VV dega në Gjilan./rajonipress/