Kursimet në Trust arrijnë vlera rekorde të fitimit

Kryetari i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Ymer Havolli, ka treguar se vlera e aksionit sot është më e larta e arritur ndonjëherë që nga fillimi i operimit të këtij institucioni në gusht 2002. Kjo madje e ka kaluar edhe nivelin e vitit 2007.
“Sidoqoftë, për shkak të krizës financiare, gjatë fundit të vitit 2008 dhe fillimit të vitit 2009 çmimi i aksionit shënoi rënie të konsiderueshme. Por me kalimin e krizës, ky çmim u rikuperua. Sot kur ne kemi arritur vlerën prej mbi 1 miliardë euro të mjeteve në menaxhim, jemi të lumtur se tregjet ndërkombëtare janë në favor të kontribuuesve në Kosovë dhe për çdo euro që qytetarët kontribuojnë, sot vlera e saj është 1 euro e 27 cent”, ka thënë Havaolli.
Kryetari Havolli, ka treguar gjithashtu se për të evituar rëniet e theksuara sikur ato të vitit 2008-2009, gjatë këtyre viteve është bërë ndryshime në strategjinë e investimeve duke ulur pjesën e mjeteve të investuara në aksione.
“Gjithmonë në tregje të aksioneve ekzistojnë rreziqet e ndryshme, por investimet e FKPK-së janë afatgjata”, ka thënë Havolli.