Fundamenti

Kurrë mos e harroni 30 prillin e vitit 1999, si u vranë 13 civil të pafajshëm në Llashticë

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Edhe pse patologët kanadezë e kishin vizituar vendin e krimit ku forcat serbe vranë dhe dogjën për së gjalli 13 civil të pafajshëm shqiptarë, ata kurrë nuk e bënë publik atë raport dhe madje nuk është dërguar as në Tribunalin e Hagës. Në Llashticë forcat serbe kanë vrarë në tri periudha civil të pafajshëm. Ushtria dhe policia në mënyrë të organizuar kanë kryer vrasje më 13, 14, 16, 22 dhe 30 prill 1999. Megjithatë Llashtica e përkujton datën 30 prill, ku në Llashticë ndodhi masakra dhe vrasja e më pas edhe djegia e 13 civilëve të pafajshëm shqiptarë.

Në këtë masakër (30 prill 1999 ) janë pushkatuar e rrafshuar me buldozer dhe djegur tërësisht : Hysen Deli Hyseni (1933), Ajshe Hysen Hyseni (1937), Fazli Hysen Hyseni (1963), Arife Fazli Hyseni(1963), Driton Fazli Hyseni (1982), Mirije Deli Hyseni(1970), Blerim Ramadan Halili (1983), Rifat Xhemajl Shabani (1919), Selami Rifat Shabani (1954), Zijavere Ejup Shabani (1962), Fisnik Selami Shabani (1996), Sylejman Ymer Ibishi (1932), Xhavit Banush Berisha (1935).

Vendi ku është kryer krimi në Llashticë është vizituar nga mjekët kanadezë menjëherë pas luftës, por raporti i tyre kurrë nuk është bërë publik thotë për rajonipress Ymer Ibishi dëshmitarë.

Ibishi thotë se janë të zhgënjyer në Tribunalin e Hagës, por edhe në institucionet e Kosovës që nuk kanë bërë sa duhet që dëshmitë e Llashticës t`i afrohen gjyqit të Hagës. “Mjekët kanadezë e kishin ekzaminuar në hollësi vendin e ngjarjes dhe ne kemi pritur shumë më shumë nga ajo ekspertizë, por nuk e kemi të qartë pse asnjë dëshmi e atij ekipi nuk u paraqit në Hagë” përkujton Ibishi.

Llashtica kurrë nuk mori përgjigje as nga Haga, as nga Luis Arbur ish kryeprokurore e Hagës, as nga policia e Prokuroria ndërkombëtare e vendore. “Fatkeqësisht asnjë dëshmitarë i Llashticës nuk ishte ftuar të dëshmojë në Hagë, përkundër premtimit nga Luis Arbur ish kryeprokurore e Tribunalit të Hagës. Ndonëse gjithçka rreth masakrës në Llashticë ishte e përpiluar duke filluar nga deklaratat e dëshmitarëve, skicat nga vendi i ngjarjes, fotografimet e vendit të krimit dhe video regjistrimet , megjithatë hetime zyrtare nga asnjë organ hetues nuk është zhvilluar deri më sot” shprehet Ibishi.

E kjo heshtje dhe kjo përbuzje e drejtësisë e ka penguar Ymer Ibishin dhe Nehat Shabanin dëshmitarë. Pos masakrës fshati Llashticë ka përjetuar edhe djegien e shtëpive, ku janë plaçkitur teknika bujqësore, janë zhdukur bagëtitë e fshatit, ishte dëmtuar shkolla fillore “Esat Berisha”, ishte djegur xhamia e fshatit, ambulanca e fshatit, biblioteka e fshatit.

Ibishi i cili e ka të vrarë prindin në kohën e luftës (Sylejman Ibishi) thotë se edhe pse kanë deponuar materiale, prova, fotografi qoftë në UNMIK, tek KFOR-i francez, OSBE-ja dhe tek të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. “Është turp për EULEX dhe për Prokurorin vendore në Gjilan që asnjëherë nuk e kanë vizituar vendin e ngjarjes. Ne e dimë që Llashtica u la në harresë nga frika e ndonjë lufte ndëretnike. Por ne nuk e kemi ndërmend të hakmerremi sepse këtë kemi mundur ta bëjmë disa herë deri tashti” shprehet i revoltuar Ibishi.

Ibishi thotë se ai dhe dëshmitarët e tjerë të kësaj masakre kërkojnë dënimin e merituar për të gjithë ata kriminel që vranë më të dashurit e tyre.

RCCOLA

Ibishi thotë se edhe patologët kanadez që kishin parë kufomat e Llashticës asnjëherë nuk e kanë dorëzuar raportin zyrtar në organet hetuese. “Është vërtet e habitshme sesi EULEX –i po flenë mbi dosjen e kriminelëve të identifikuar të Llashticës, derisa prokurorët shqiptarë vetëm po bëjnë sehir në këtë punë”.

Sipas, Ibishit hetuesit e EULEX-it kanë fakte trishtuese dhe dosje të gatshme për Llashticën.”Përgjegjës për masakrën e Llashticës është ushtria e rregullt serbe e cila ndihmohej edhe nga policia dhe paramilitarët e çmendur”. Ibishi thotë se konvojin e ushtrisë serbe e cila ishte vendosur në Llashticë e përcillte rregullisht automjeti zyrtar i policisë.

Sadik Sopi një ish polic i cili ka punuar deri në ditët e fundit ka deklaruar se me urdhër të komandantit të stacionit policor në Zhegër është marrë dhe djegur komplet dokumentacioni i masakrës së Llashticës.

Ndryshe në tërë fshatin janë djegur 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, janë plaçkitur 90 traktorë, 120 motokultivator, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion dhe 130 vetura. Gjithashtu sipas të dhënave serbët kishin plaçkitur 680 kafshë të trasha.

Në masakrën e 30 prillit kanë mbetur gjallë dhe janë plagosur: Deli Hysen Hyseni (1968), Dritë Fazli Hyseni (1984), Blerinë Fazli Hyseni ( 1994), Leonorë Deli Hyseni (1993) , Vlorë Selami Shabani (1986).

Më 13 prill 1999 janë vrarë : Ali Bejtë Selimi (1937), Enver Sylë Murseli (1949), Ymer Kadri Rashiti(1930), Lulzim Feti Musliu(1988).

Derisa më 16 prill 1999 janë vrarë : Rukije Qazim Ramushi (1927), Habibe Idriz Ramushi (1909), Nezir Hasan Ramushi (1929), Xhyzide Shaban Hasani (1918), Lirim Nehat Shabani (1999).

Kurse më 20 prill 1999 është vrarë Azem Limon Cani (1938)./rajonipress/