Kurora e Misit, ja ndryshoi jetën

Para 10 vitesh Agnesa Vuthaj ishte zgjedhur Miss Kosova dhe duket se kjo zgjedhje e saj bëri që bukuroshes kosovare t’ja ndryshojë kahet e jetës. Si dhe qysh, Miss Kosova 2003, Agnesa Vuthaj flet për Express.
Express: Keni fituar kurorën e misit para 10 viteve. Mandej jeni marrë me organizime konkursesh bukurie. Ku e shihni veten pas 10 viteve te ardhshme?
Vuthaj: Këto 10 vite konsideroj që kanë qenë plot me eksperienca të reja, sa të bukura aq edhe sfiduese, të cilat kanë ndihmuar shumë në formimin e personalitetit tim dhe zhvillimin e karrierës sime. Besoj që ky 10 vjetor ka qenë një periudhë e rëndësishme, e realizimit të shumë projekteve të synuara nder vite, por në një plan afatgjatë mund të them që është fillimi i mbarë i projekteve, të cilat i shoh të vazhdojnë e të zhvillohen edhe në dekadat e ardhshme. Organizimi i spektaklit Miss Kosova dhe përfaqësimi i Kosovës në konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare, ka qenë një nder sfidat më të mëdha për mua, por kur kthehem pas në 2006, ku edhe filloi organizimi i Miss Kosovës nga “Agnesa Vuthaj Association”, kompani të cilën e kisha themeluar një vit më pare, dhe ne si Kosovë kishim vetëm një mundësi përfaqësimi në një konkurs të njohur pak ndërkombëtarë, tani në 2013 përfaqësohemi në konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare, ndonëse gjithmonë kemi vështirësi të mëdha me vizat dhe njohjet, besoj që 10 vjetori i ardhshëm do të vije duke u lehtësuar, duke shpresuar që shteti ynë do të zhvillohet dhe mundësitë për të punuar dhe për të përfaqësuar Kosovën ndërkombëtarisht do të jenë më të lehta çdo vit. Përndryshe, krahas spektaklit Miss Kosova, unë kam edhe projekte të tjera të cilat besoj t’i realizoj në vitet e ardhshme.
Express: A keni menduar ndonjëherë, p.sh, të bëni ndonjë revistë bukurie në Kosovë, ashtu sikurse bëjnë disa mise në perëndim apo të hapni një linjë mode?
Vuthaj: Revista është një ëndërr e imja, por që një herë për një herë ka mbetur peng për shkak të prioriteteve të tjera. Ndërkaq shumë shpejt në kryeqytet do të hapet një butik i emëruar “Agnesa Vuthaj Fashion”, ku do të ofrohen veshje unikate, elegante dhe më shumë klasë, të përditshme dhe për mbrëmje, përzgjedhur nga unë. Po ashtu edhe një linjë fustanesh, dizajnuar dhe realizuar enkas për markën “Agnesa Vuthaj”.
Express: Nëse nuk do të ishit shpallur Mis a mendoni se tashmë do të ishit e fejuar apo martuar?
Vuthaj: Unë e them gjithmonë, që titulli Miss Kosova ka qenë një fat i madh për mua dhe tani jetoj një jetë aq të bukur, saqë kur isha fëmijë vetëm mund ta ëndërroja. Por nëse do zgjedhja të mos isha pjesë botes së të bukurës, mbase fati do më shpërblente me një martesë të lumtur, me një bashkëshortë të denjë e me fëmijë të shëndoshe. Por unë besoj që në jetë do t’i kem të gjitha lumturitë për të cilat lutem dhe që çdo gjë e bukur në jete vjen në momentin e duhur. Unë jam shumë mirënjohëse për gjithçka kam dhe kam durim të pres për ato që dua t’i kem.
Express: Keni thënë se po kënaqeni si beqare. Derisa mendoni se do të zgjas beqaria e juaj?
Vuthaj: Unë e dua shumë jetën dhe e shijoj çdo moment të saj, edhe kur jam e stërngarkuar me punë, edhe kur jam vetëm, gjithashtu kur jam me familje, miq, në udhëtime, apo duke parë një film a lexuar një libër. Beqaria ime mendoj që do të zgjas, derisa të takoj personin më të cilin jeta do të bëhej dyfish më e bukur sesa vetëm.
Express: Cila do të jetë puna që do të merreni deri në fund të këtij viti, ndonjë spektakël?
Vuthaj: Këto dietë jam e angazhuar në përgatitjet e Miss Kosovës dhe Miss Shqipërisë për Miss Earth, të cilat do të udhëtojnë në fundjavë për në Filipine. Është viti i parë që mbaj edhe licencën për përfaqësimin e Shqipërisë në Miss Earth dhe ka qenë një angazhim i dyfishtë për mua. Ndërkaq në fund të muajit do të hapet Butiku “Agnesa Vuthaj Fashion” dhe mund të pranoj që është një fundvit i stërngarkuar për mua, por i veçantë dhe shumë i bukur, sepse më pëlqen shumë puna që bej.