Eko Higjiena

Kurban Bajrami

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj- Me qasjen e dhunshme ndaj qytetarëve që protestojnë, Bajram Rexhepi është kthyer në kurban të një qeverisjeje, mendësia e të cilës thotë se të gjithë kundërshtarët duhet luftuar pamëshirshëm deri në asgjësim.

Është e dhimbshme kur, qoftë edhe në televizor, sheh pamje si ato të para pak ditëve, teksa policët godasin, shkelin e përgjakin qytetarë që dalin të protestojnë. Nuk është hiç me rëndësi sa shumë janë apo për cilën forcë politike kanë votuar.

E drejta për t’u mbledhur është e garantuar me kushtetutë. “Ne kemi luftuar për të pasur të drejtën për të protestuar lirshëm”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi. Pastaj përmendi anarkinë, përdhosjen e institucioneve, dhunën…

Tash, më shumë se 13 vjet pas luftës, protestat po shtypen me dhunë. Ministri Bajram Rexhepi e ka kthyer në mision zhdepjen dru të të gjithë atyre që guxojnë të ngrenë zërin kundër Qeverisë.

Kirurgu nga Mitrovica kishte hequr uniformën e mjekut për t’u kthyer në një politikan të moderuar, por tash ka veshur uniformën e policit për t’iu dhënë dajak atyre që çojnë krye dhe nuk pajtohen me gjithçka çfarë bën pushteti.

Sa herë që proteston Lëvizja Vetëvendosje, pushteti i personifikuar nga Bajram Rexhepi nuk kursen policinë për të shfaqur dhunë të shfrenuar. Kemi parë shpesh skena rrëqethëse të ndërhyrjes brutale të policëve. Së fundi ato u përsëritën në mënyrën më të vrazhdë të mundshme – policët duke shqelmuar qytetarët e tyre – në emër të shtetit.

A është Vetëvendosja e keqja më e madhe për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës? Unë nuk e besoj. Duket se pushteti mendon ndryshe. Edhe Bajram Rexhepi. Dhe nuk përton të jep leksione dhune. Nuk përton që qytetarët t’i bëjë kurbanë të shfryrjes së epsheve policore e politike, e veten kurban të një qeverisjeje, mendësia e të cilës thotë se të gjithë kundërshtarët duhet luftuar pamëshirshëm, deri në asgjësim. Ose deri në “vetëfundosje”.

Athua çfarë do të ndodhte po që se kundër kësaj qeverie do të ngriheshin në protesta qindra-mijëra njerëz, si për shembull në Greqi, duke kërkuar standard më të mirë, duke kërkuar rrymë 24 orë, bukë, punë? Si do të reagonte Rexhepi po që se qindra-mijëra njerëz do t’ia mbushnin sheshin e kryeqytetit, duke kërkuar që nga Parlamenti të nxirren ata që janë bërë deputetë duke vjedhë vota?

Sa lehtë është të rrihen e shqelmohen njerëzit midis Prishtine, e sa e vështirë, fort e vështirë, e pamundur madje të ndërhyhet në veri të vendit. Në pjesën nga e cila Rexhepi vjen, por për të cilën nuk dëshiron të flasë. Atje ku autoriteti i tij është zero.

KKVITI

Dikujt mund t’i duket klishe kjo tërheqja e paraleles me Veriun, por ky është realiteti. Këtë më së miri e di Rexhepi që ka qenë kryetar i gjysmës së komunës së Mitrovicës. Gjysmën tjetër e qeveris një tjetër shtet dhe atje mban policë që e kanë shef Ivica Dacicin, atë me të cilin javën e kaluar u takua shefi i Rexhepit – kryeministri ynë.

Nuk ka gjë të keqe që ata u takuan, por më mirë do të ishte që Prishtina të kushtëzonte takimin, të paktën, me tërheqjen e atyre forcave nga Veriu.

Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë edhe kundër atij takimi, siç kanë të drejtë edhe të rrinë e të këqyrin seri. Por, shteti ligjor nuk ndërtohet mbi dhunën e përdorur ndaj qytetarëve, e as ndaj kundërshtarëve politikë të një partie. Qofshin ata edhe anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Fuqia e shtetit nuk matet me goditje policësh e përgjakje protesuesish. Qytetarët askush nuk mund t’i bëjë kurbanë të njëfarë stabiliteti që duhet mbajtur me çdo kusht, madje edhe duke përdorur policinë si të ishte private, partiake, e jo shtetërore.

Pas skandaleve në Polici dhe pafuqisë për të vepruar së pari atje ku do të ishte dashur, Rexhepit i ka mbetur Vetëvendosja dhe disa qindra qytetarë të tregojë dorën e fortë të shtetit, autoritetin prej Kryepolici dhe arrogancën. Me arsyetimin se ata po duan ta marrin pushtetin me dhunë, ndonëse një gjë e tillë duket krejt e pamundshme, pushteti po përpiqet të mbjell frikë tek qytetarët, të cilët do të duhej të ndiheshin të lirë të thonë atë që e mendojnë dhe të veprojnë ashtu siç e ndjejnë.

Për Lëvizjen Vetëvendosje dhe qasjen e saj kam shumë rezerva. Por, në këtë rast nuk është hiç me rëndësi nëse viktimat e dhunës së para pak ditëve i takojnë ose jo këtij subjekti politik. Ata së pari janë qytetarë.

Ne pamë deputetë dhe qytetarë të përgjakur, teksa tërhiqeshin zvarrë si të ishin dele. Dele për kurban.

Si mjek, Bajram Rexhepi mund të jetë humanist. Kur mbante postin e të parit të Qeverisë, ishte politikani më i pëlqyer në vend. Tash është shndërruar në fytyrën më të urrejtur të kësaj qeverie.

Shoqërisë kosovare nuk i duhen shtypja e dhuna, por zhvillimi ekonomik, demokracia e liria. Nëse Rexhepi mendon ndryshe, atëherë e ka gabim. Dhuna gjeneron dhunë.