Hidromorava

Kur prijnë injorantët!

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Nuhi Ismajli – E keqja më e madhe për qytetarin gjilanas, këtyre viteve të fundit, ka qenë jeta nën pushtetin e injorantëve. Injorantë të paparë, dalë pikërisht nga llumi i shoqërisë, me ndihmën e partisë kryesore në pushtet, zunë vende udhëheqëse, për të dëshmuar veç marrëzi. E marrëzia e injorantëve të pushtetit gjilanas “shkëlqeu” edhe atje ku nuk do të duhej toleruar në asnjë mënyrë – në fushën e arsimit!

Prandaj, viteve të fundit, pamë e përjetuam lloj-lloj shfaqjes absurde të pushtetit gjilanas, në fushën e arsimit, ndërsa partia në pushtet heshti! Heshti ndaj absurditeteve të individëve të saj në pushtet ose megjithë absurditetet e saj të njohura, pa u skuqur aspak, publikisht, lavdërohet për arritjet e pushtetit të saj dhe kërkon votat e qytetarëve edhe në zgjedhjet e ardhshme!

Ka heshtur dhe do të heshtë edhe ndaj absurdit të radhës, në fushën e arsimit, vlerësimit të dijes së konkurrentëve për punë në arsim. Do të heshtë edhe ndaj këtij absurdi, ndonëse dihet edhe prej qytetarit më të painteresuar për këtë, se është absurde të zhvlerësosh institucionin arsimor të kualifikimit të konkurrentit dhe dokumentin e tij zyrtar!

Do të heshtë edhe ndaj këtij absurdi, ndonëse dihet edhe prej qytetarit më të painteresuar për këtë, se fjala është për lojën injorante të injorantëve me njerëzit e arsimit dhe asgjë më tepër!

Mobi Casa

Do të heshtë edhe ndaj këtij absurdi, ndonëse dihet edhe prej qytetarit më të painteresuar për këtë, se Fakulteti i Edukimit nuk e ka, as nuk mund ta luajë rolin e verifikimit të dijes së arsimtarëve, as të ish-studentëve të vet e lëre më të atyre që kanë kryer studimet në fakultetet dhe katedrat e ndryshme!; se Fakulteti i Edukimit, me disa “ekspertë të tij, po merr pjesë në injorimin e fakulteteve e katedrave të ndryshme dhe në injorimin e torturimin e konkurrentëve për punë në arsim!

Do të heshtë edhe ndaj këtij absurdi, ndonëse dihet edhe prej qytetarit më të painteresuar për këtë, se injorantëve të “udhëheqësve” të arsimit gjilanas, iu bashkohen edhe shokët e tyre injorantë të Fakultetit të Edukimit, të cilët mendojnë se është normale, pa autorizimet e vlerësimet e nevojshme, t’i testojnë dijet e konkurrentëve për punë në arsim dhe të bëhen pjesë e institucionit për punësimin e punëtorëve të arsimit! (Injorantët e Fakultetit të Edukimit, në bashkëpunim me “udhëheqësit” injorantë të arsimit gjilanas, ndër të tjera, duan të vlerësojnë edhe dijet e profesorëve të Gjuhës e të Letërsisë Shqipe, dijet e arsimtarëve të Anglishtes, dijet e doktorëve të mjekësisë!!! etj., etj., sepse, mbase, sipas tyre, Fakulteti Filologjik mund të kontestohet nga Fakulteti i Edukimit dhe “ekspertët” e tij, se p. sh. për mjekun që konkurron për punë në arsim, në vend se përgatitjen e tij profesionale, duhet ta vlerësojmë kulturën gjuhësore të tij!).

Do të heshtë edhe ndaj këtij absurdi, ndonëse dihet edhe prej qytetarit më të painteresuar për këtë, se në këtë rast, duhet të mbajë anën e institucioneve (fakulteteve dhe katedrave, ku konkurrenti ka kryer studimet) dhe konkurrentëve për punë në arsim, në mënyrë që të mos torturohen e kompromitohen pa asnjë nevojë, po që, sipas konkursit, të vlerësohen në bazë të dokumentacionit të nevojshëm, që është prova më e pakontestueshme, më humane dhe më e urtë.