RCCOLA

Kur poeti nuk vdes dhe jeton i “gjallë” …!

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Poetët nuk vdesin! Jo! . Ata lindin për të mos vdekur! Pse jo? Nuk vdesin, sepse natyra i ka falë të jetojnë gjatë, gjatë… Kur njeriu jeton në mendjen e popullit, ata nuk vdesin, por vetëm ndërrojnë jetën “tjetër” të tyre.

A mund ta marri me mend se kjo ngjan? Kjo “gjë” nuk është vetëm fjalë e dokrra, por e vërtetë. Poetët, si Naimi ynë i madh, Samiu, Fishta, V. Pasha, Asdreni, Gurakuqi, Gavril D. i Riu, Jeronim De Rada, Santori, Pushkini, Jesenini, Lermantovi, Gëte, V. Hygo, F. Petrarka, Dante Aligieri e shumë e shumë të tjerë, ata nuk kanë vdekur, por jetojnë me veprat e tyre në çdo letërsi të atij populli që i takon.

Këta krijues: poetë, shkrimtarë, dramaturgë, novelistë, romansierë e të tjerë, janë të shenjtë si dëshmorët e kombit. E bëra një digresion, për faktin, se, kur shumë herë këta poetë e shkrimtarë i përmendim për të mirë dhe i citojmë veprat e tyre, sikur ata vetëm fizikisht kanë ikur nga bota e të gjallëve dhe jetojnë si të pavdekshëm. Por, nga një herë, poetët na “ikin”para kohe. I merr vdekja e pamëshirshme.

Kjo të tmerron dhe ndjen dhimbje për poetin, krijuesin e mirë të artit. Kështu ngjau me poetin Fehmi Korçën, poet gjilanas. Ai dje ndërroi jetë. Ndërroi jetën, për të mos vdekur kurrë. Iku me hije, por vepra i mbeti për ta përkujtuar “zërin” e fjalën e tij të bukur të artit. Iku para kohe poeti gjilanas, Fehmi Korça në moshën e re, 44-vjeçare.

Një vdekje që dhemb dhe është për dhimbje. Ai sapo hyri në artin e letërsisë dhe e filloi krijimtarinë e tij letrare ta qëndisi si dallëndyshja folenë… E filloi dhe, këto nisje të tij të para ishin sa të këndshme, aq tërheqëse dhe interesante. Ishin nisje fort të bukura poetike. Ishin perla të artit letrar.

Të përkujton poetin Migjenin, i cili iku para kohe dhe e mori sëmundja në Torre Peliçe të Italisë; para kohe na iku edhe Hevzi Nela, një poet nga Kukësi, i cili vdiq nga regjimi enverian, por iku para kohe edhe Ali Podrimja, Beqir Musliu e shumë të tjerë. Fehmi Korça është i lindur më 25 gusht 1969 në fshatin Gëmincë, Malësia e Gallapit, komuna e Kamenicës.

Hidromorava

Shkollën fillore dhe të mesmen e ka mbaruar në Gjilan. Si ish-student i Fakultetit Filologjikë – dega Gjuhë dhe letërsi shqipe u largua nga vendlindja, më vitin 1991 dhe emigroi në Gjermani ku ai po jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijë. Në Gjermani përpos kursit të gjuhës gjermane, ai do të vazhdojë edhe studimet.

Qysh i ri, Fehmi Korça u mor me shkrime që nga bankat e shkollës fillore. Më vitin 1996 shkroi dramën “Plisi në shtizë”, ku u luajte nga një grup të amatorëve dhe ishte regjisor i dramës, e cila u shfaq në disa qytete të Gjermanisë. Në vitin 2011, në Tiranë, botoi vëllimin poetik “Nuk jam larg”.Vdekja e befasishme dhe tinzake poetit të ri ia ndërpreu hovin e krijimtarisë së tij poetike.

Poeti Fehmi Korqa vlerësohet nga poetët më të angazhuar të brezit të ri. Si ish-student i Fakultetit Filologjikë dega Gjuhë dhe letërsi shqipe u largua nga vendlindja më vitin 1991 dhe emigroi në Gjermani ku ai po jetonte me bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Kurbeti, kjo plagë e rëndë, e detyroi të ndahet nga familja dhe të gjendet larg atdhetu, larg familjes dhe larg Kosovës… Atje punoi për kafshatën e gojës. Kjo bukë e hidhur, për shqiptarët mbetet dhimbja më e madhe kombëtare. “Atdhetarët shqiptarë të përndjekur nga dhuna e hekurt pushtuese, qenë detyruar të braktisin trojet e tyre dhe të strehohen nëpër vende të ndryshme të Europës, por asnjëherë nuk e kanë reshtur punën për ngritjen e vetëdijes kombëtare.

Ata edhe me pushkë edhe me penë kanë luftuar për të mirën e mëmëdheut. Jetë e hidhur në mërgim, atje ku njeriu dergjet me mallin për atdhe. Shumë njerëz kanë vdekur me mallin e atdheut, në kohën kur kryevrasësi serb nuk i linte as të vdekur të i bënin varr në tokat e tyre. Jetës nuk i dihet, ajo është si hije, sot për nesër. Kjo është dhimbje, e cila nuk do të na lirojë kujtesën e pikëllimit për te.

Fehmi Korça ishte mik i madh, i dashur, i urtër e poet i madh i artit letrar. E, ju familjarë, jemi të bindur se ju do të bëheni të fortë, sepse, kjo dhimbje është edhe jona. Prandaj, dhimbjet do t’i ndajmë dhe përballojmë së bashku në këto momente të rënda. I nderuar dhe i kujtuar për jetë do të mbetet emri i veprimtarit dhe poetit Fehmi Korça, në mërgatën shqiptare dhe kudo në trojet tona shqiptare”. I qoftë dheu i lehtë!/Tefik Selimi/rajonipress/