Kur ndahen prej nesh njerëzit e mirë rrjedhin lotët e dhemb shpirti

Vdekjet e familjarëve, shokëve dhe miqve çdoherë sjellin dhembje e pikëllim. Me gjithë trazimet shpirtërore, edhe në kohë lufte nëpër breshëri plumbash e mot me acar, me të dashurve tanë ua dhamë lamtumirën e fundit. Dhembjen e ndamë bashkërisht me lutjet që shpirti i tyre të prehet në paqe.

Madje në nderim të tyre u organizuan të pame, dreka e darka, sidomos për ata që bënin rrugë të gjatë për të na ngushëlluar.

Mortaja ende enigmë që e përfshiu botën në fillim të marsit të vitit të kaluar,e që po vazhdon edhe në këtë fillim viti na ka mbyllur në kafaz.

Çdo ditë marrim lajme të trishta mbi vdekjet e papritura të të afërmve tanë, pedagogëve, shokëve të gjeneratës, kolegëve të punës, fqinjëve e miqve, me të cilët ndamë çaste gëzimi e dhembje.

Në pamundësi për t’ua hedhur një grusht dhé e një tufë lulesh mbi varret e tyre ziejmë në vete.

Më 15 nëntor 2020, pandemia, e njohur si mortaja e zezë, ia mori jetën gruas bujare dhe arsimdashëse Nexhmije Kushevica – Shala. Kjo grua e vyeshme dhe nënë e jashtëzakonshme meritonte çdo respekt.

Edhe pse me pak hapësirë banimi kur aplikoheshin orët policore nga regjimi diktatorial i Serbisë, nënë Nexhmija na strehonte në banesën e saj.

Veç strehimit ajo na përgatiste edhe ushqime që kurrë nuk harrohen. Ajo në pastërti dhe njohje të kuzhinës shoqe e kishte vetëm vetveten.

E gjithë lagjja e njihte për pastërti e precizitet. Blloku i banesave ku ajo jetonte ishte ndryshe nga blloqet e tjera.

Me qetësi e durim të paparë shumë herë i pastronte edhe shkallët e pallatit ku jetonte.
Prandaj dhembja dhe pikëllimi për njerëzit e mirë si zonja Nexhmije, jo vetëm janë shprehje fisnikërie dhe respekti, por edhe të pashmangshëm.

Sot,na pikëlloi pa masë edhe vdekja e papritur e njeriut të urtë e të ndershëm Nazmi Ragip Ejupi, nga Vendenisi i Besianës.

Nazmiu si njëri ndër kuadrot e hershme të Kosovës,me përkushtim e ndershmëri deri në vitin 1990, kur u ndoq me dhunë nga vendi i tij i punës, prej regjimit gjakatar të Millosheviqit, e kreu detyrën e nëpunësit, në Departamentin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Ata që e njohën nga afër asnjëherë nuk i harrojnë përpjekjet e tij në shërbim të tyre.
Nazmiu edhe pas përfundimit të luftës nga dëshira për të jetuar ndershëm dhe larg të të korruptuarve dhe nepotistëve, së bashku me gruan dhe fëmijët iu kthyen punës në bujqësi.

Në serat e tyre të ngjashme me ato të vendeve të Perëndimit, ata kultivuan të gjitha llojet e perimeve.

Meqenëse ai kishte trashëguar nga babai i tij Ragipi, dy-tre hektarë toke të klasit të parë mbante edhe katër- pesë lopë, qumështore të racës më të mirë.

Ai dhe familja e tij nga kjo punë jetuan derisa djemtë Arbëri dhe Atdheu, migruan sikurse shumë të rinj në Angli, gjegjësisht Gjermani.

Nazmiu edhe pas migrimit të djemve të tij, duke dashur të jetojë nga djersa e vet, vetëm e reduktoi punën në kopsht, por, në asnjë mënyrë, nuk hoqi dorë nga vazhdimi i kësaj pune, traditë e të parëve të tij.

Përveç punës së palodhshme dallohej edhe në iniciativa që kishin të bënin me shkollën dhe kulturën shqiptare.

Më 1993, ai kontribuoi si me mjete ashtu edhe më punë vullnetare në ndërtimin e objektit të shkollës fillore në lagjen Sekiraçë, aneks i asaj “Kongresi i Manastirit” në Vendenis (ish-Gllamnik) të Besianës.

Nazmiun nga të tjerët e dallonte gatishmëria e përhershme për të qenë pranë njerëzve në nevojë.

Fatkeqësitë e të tjerëve i konsideronte sikur të ishin të tij. Më 14 mars të vitit 1994, mua, autorit të këtyre rreshtave, të keqtrajtuar mizorisht nga policia serbe, derisa po kryeja funksionin e kryetarit të LDK-së,nëndega në Vendenis, dhe atë të anëtarit të kryesisë së KMDLNJ-së, dega në Besianë, Nazmi Ejupi dhe Sabri Aziz Ejupi, nën mbikëqyrjen e Dr.Selman Hoxhës, më patën dhënë ndihmën e parë shpëtimtare, duke më dërguar me urgjencë në Prishtinë, në ordinancën private të prof.dr. Abdylatif Fusha.

Njerëzit si Nazmiu e meritojnë lotin e dhimbjen, dhe përkujtimin deri në bashkimin me ta.
Nazmi, kushëriri im i paharruar, që u rrita me këshillat dhe bukën tënde, në pamundësi për të qenë në ceremoninë e varrimit tënd, nga thellësia e shpirtit lus Zotin e Gjithëfuqishëm që të shpërblejë me parajsë! /arif ejupi/rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS