Kur krimi gjykohet nga kriminelët!
Nga Enis Veliu – Arrestimi i kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, dhe i prokurores së Mitrovicës, Vahide Badivuku, së fundi edhe më shumë e ka dëmtuar sistemin ligjor në Kosovë.
I pari (Mekaj) është arrestuar nën dyshimin si i përfshirë në fajde. Ndërkaq, e dyta (Badivuku) dyshohet të këtë marrë ryshfet. Rasti i parë dhe i dyti përfundimisht të krijon përshtypjen se krimi po gjykohet nga vetë kriminelët, të akomoduar në Gjykata e Prokurori.
Këta të fundit, (gjykatësit e korruptuar, e prokurorët politikë), po ua humbin shpresat njerëzve të ndërgjegjshëm për të jetuar në shtetin gjithnjë e më shumë të kapur nga krimi i organizuar e korrupsioni.
Qeveritarët e korruptuar (ata që vodhën, si dhe po vjedhin arkën e shtetit) po vazhdojnë me avaz të njëjtë. Të padëgjueshmit e pushtetit, po përballen me procese të montuara gjyqësore. Ndërkaq, kriminelët e hajdutët gjenden të lirë. Disa nga ta janë të dënuar me vite të tëra në burg, por këtu (në burg) ata gjenden vetëm kur ata shprehin dëshirë vetë për ta bërë një gjë të tillë. Të tillët mund t’i hasësh në rrugë, kafene, madje në një ambient edhe me zyrtarë të lartë të shtetit.
Për disa raste, fillimi i hetimeve, arrestimi, ngritja e aktakuzës dhe në fund shpallja e pafajësisë janë bërë norma të reja në drejtësisë kosovare.
Po ashtu, dhënia e 20 për qind të vlerës së tenderit, thuajse është bërë tarifë zyrtare si kusht kryesor kur operatorët privatë tentojnë të marrin punë publike.
Dyshohet se brenda një viti qindra miliona euro para publike përfundojnë në xhepa të zyrtarëve të korruptuar, por çuditërisht deri më tash asnjë “peshk” i madh nuk ka përfunduar në burg, si i dënuar për dëmet që i ka bërë arkës së shtetit. Dhënia e ryshfetit është bërë po ashtu normë edhe në këmbim të lirimit të personave të dënuar për vrasje, apo edhe vjedhje të shtetit.
Arrestimi i fundit i kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, si i dyshuar në përfshirje në fajde, përfundimisht ka vulosur krimin brenda organit më të lartë vendimmarrës në drejtësinë kosovare.
Vendimet e këtij kanë lënë, apo edhe kanë nxjerrë nga burg persona me rrezikshmëri të madhe për opinionin. Kryesisht vrasës me, apo pa paramendim. I rëndë për sistemin e brishtë të drejtësisë ishte edhe arrestimi i prokurores së Mitrovicës Vahide Badivuku, tek e cila brenda një shporte të mbushur me domate iu gjetën disa mijëra euro, të marra si ryshfet për lirimin e disa veturave të shtrenjta që janë konfiskuar pas disa arrestimeve për fajde që kanë ndodhur në rajonin e Mitrovicës.
Badivuku u ndal në pikën kufitare në Mendare, derisa ishte duke udhëtuar drejt një shteti perëndimor, ku dhe ka një pjesë të familjes së saj. Sistemi i korruptuar i drejtësisë, përfundimisht ka dëmtuar dhe po dëmton në masë të madhe integrimin e shtetin tonë në gjirin e familjes së madhe evropiane. Nëse krahasojmë me vitet paraprake në drejtësi ndryshoi vetëm objekti.
U mbyllën gjykatat e objektet e prokurorisë në qendror të Prishtinës, e të gjithë kaluan në pallatin e drejtësisë në fshatin Hajvali të Prishtinës.
Ndërkaq, “lojtarët” mbeten të njëjtë. I njëjtë madje mbeti edhe vetë ministri, i cili shquhet për shumë punë dhe pak fjalë.


