Kur integrimi vjen përmes kuzhinës
Kuzhina shqiptare prezantohet në “Food Festival” në Glattbrugg
Kultura dhe specialitetet e kuzhinës shqiptare janë prezantuar në mënyrë të denjë nga shoqata kulturore shqiptare „Glatt-Alb“ në kuadër të festivalit të ushqimeve „Food Festival“, të organizuar nga zyra e kryetarit të qytetit fundjavën e kaluar në Opfikon-Glattbgrugg të Cyrihut.
Në mesin e 30 vendeve nga e tëra bota që prezantuan kulturën në këtë festival në Opfikon-Glatbgrugg ishte pjesëmarrëse edhe Shqipëria, e cila u prezantua me tri komponente të ushqimit tradicional shqiptar.
Këtë prezentim e kishte mundësuar shoqata „Glatt-Alb“, e cila kishte marrë ftesë nga kryetari i Komunës së Glatbruggut.
Prezantimi i specialiteteve të kuzhinës shqiptare kishte filluar të shtunën, në orën 15, ndërsa ishin harxhuar të parat, për të treguar se ishin më të shijshmet në festival.
Nënkryetari i shoqatës „Glatt-Alb“, Skender Morina, tha se prezantimi ka qenë i suksesshëm në festivalin e ushqimit „Food Festival“.
„Suksesi ka qenë i shumanshëm, ngase për herë të parë në një aktivitet të organizuar nga autoritetet komunale ka valvitur flamuri ynë kombëtar. Kjo tregon fillimin e një partneriteti me shoqërinë zvicerane në projekte të kulturës dhe integrimit“, ka thënë për albinfo.ch Skender Morina.
Qëllimi i festivalit ishte prezantimi i kulturave dhe i kuzhinave të të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në këto rrethe.
„Si të mos jetë sukses kur për herë të parë kultura dhe kuzhina shqiptare prezantohet nga një shoqatë shqiptare, siç është „Glatt-Alb““, tha për albinfo.ch Skender Morina.
Stenda ku ofroheshin specialitete shqiptare ishte e stolisur me flamuj kombëtarë dhe antikuitete nga kultura shqiptare.
„Veshja kombëtare dhe aroma e ushqimeve e ka bërë edhe më madhështore stendën tonë, e cila kishte më së shumti vizitorë“, thotë Morina.
Sipas tij, kjo tregon se shqiptarët nuk janë në sy të keq në mesin e zviceranëve. Por, ai mendon se megjithatë shqiptarët duhen të jenë më aktivë në projekte dhe aktivitete të organizuara nga autoritetet lokale të qytetit.
Shoqata shqiptare „Glatt-Alb“ të hyrat e këtij aktiviteti do t’ia dedikojë librit shqip në bibliotekën e qytetit.
Shoqata kulturore shqiptare „Glatt-Alb“ është themeluar dhjetorin e vitit të kaluar, ndërsa synon organizimin e komunitetit shqiptar në Glattbrugg.
„Glatt-Alb“ është e koncentruar në Glattbrugg në organizimin e komunitetit karshi vendit pritës dhe atij të prejardhjes, por drejtuesit e shoqatës nuk e përjashtojnë mundësinë që në të ardhmen të tejkalojnë kufijtë e Glattbruggut dhe të angazhohen për ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar në tërë kantonin e Cyrihut.
„Integrim nuk do të thotë vetëm të integrohesh në shoqërinë e vendit pritës, por edhe të ruash identitetin dhe kulturën prej nga ke ardhur“, tha nënkryetari tjetër i „Glatt-Alb“, Ibrahim Zairi.
Zairi tha se po bëjnë përpjekje të bëjnë më shumë për rreth 1500 shqiptarë që jetojnë në Glattbrugg.
Aktualisht „Glatt-Alb“ ka rreth 70 anëtarë, 1/3 e tyre janë femra.
„Glatt-Alb“ udhëhiqet nga Sebehate Zulfiji dhe është strikte kur bëhet fjalë për kriterin e përfshirjes së anëtareve femra.
„Festa e Nënës“, turniri në futboll të vogël të organizuar nga klubi futbollistik i qytetit, pjesëmarrja treditore në festën e qytetit „Fest 118“, “Mbrëmje informative për prindër dhe të rinj” dhe „Pikniku shqiptar“ janë disa nga projektet që i ka realizuar deri tani shoqata kulturore shqiptare “Glatt-Alb“ në Opfikon-Glatbgrugg të Cyrihut.(albinfo.ch)