Eko Higjiena

Kur i forti ta luan syrin, e harron demarkacionin dhe kufirin

/ 11 minuta lexim
KKVITI

Nga Behxhet Sh. SHALA-BAJGORA – Nuk kam besuar e as nuk besoj atë çfarë thotë pozita e as opozita për këtë proces, por më ka interesuar përballja e argumenteve midis komisionit shtetëror që po identifikohet me pozitën dhe komisionit të ekspertëve që po identifikohet me opozitën ndonëse kanë deklaruar se janë të pavarur.

Debat për lustrim apo debat për ekzekutim:
Salla alternative e Kuvendit të Kosovës apo salla për tërheqje strategjike të pozitës pas sulmeve të LV në sallën kryesore u bë një arenë gladiatorësh që luftonin për një çështje që ka rëndësi strategjike dhe jetike për çdo vend dhe shtet që nënkupton edhe Kosovën, pasi Kosova e ka statusin e gjysmështetit dhe gjysmëvendit. Problemi i shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi u shndërrua në luftë të hapur politike dhe shërbeu si xhoker për vazhdimin e luftës së vjetër, tash me armë të tjera, përkatësisht me demarkacion. Sikur dikur që e bëri Klauzevici.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës u formua një komision shtetëror i përbërë nga një mjeshtër kadastre, një drejtor policie, një arkivist i shndërruar në diplomat, një profesor i gjeografisë dhe një vegetë që u është hedhur të gjitha gjellëve (ligjeve) në Kosovë, që nga viti 1999 e deri në infinit! Realisht, asnjëri nga ta nuk kishte përvojë për shenjëzimin e kufijve andaj shkuan pas inercionet duke përcjellë propozimet dhe vullnetin e palës malaziase sikur edhe duke zbatuar urdhrat politikë të rrenacakes së Brukselit dhe shefit të saj, ish-kryeministrit të Kosovës tash Shkëlqesia e Tij, President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Në vend të një komisioni profesional, u shndërrua në një instrument të politikës, për shkak të mosdijes dhe mungesës së profesionalizmit apo interesit, mbetet të kuptohet më vonë, nuk dua të paragjykoj sepse në këtë përbërje ka njerëz të mirë e që nuk mjafton të marrin vendime të drejta, aq më parë që ata nuk kanë qenë vendimmarrës. Debati ishte fushë mejdani sikur fusha e Hajkobillës pas të fshirave të para të grurit kur organizoheshin gara paraolimpike.

Realisht aty kishte individë që nuk e kishin vendin, prandaj u shndërrua në një kakofoni zërash ku kishte fyerje, denigrime, etiketime, kërcënime e, më së paku, debat shkencor. Pati individë që donin ta pastronin të kaluarën me tirada patriotike, ta pastrojnë të sotmen duke e promovuar veten sikur edhe duke hapur rrugë për karriera politike për të ardhmen. Në situatë të sikletshme ishte kryesuesi i debatit shkencor, por ia doli që këtë debat ta përfundojë, pa probleme të mëdha.

Probleme kishte edhe administrata e Kuvendit sepse kurrë në kuvend nuk ka pasur pjesëmarrës më heterogjenë. Kryetari i Kuvendit kësaj radhe shpëtoi lehtë pasi barra kryesori i takoi zëvendësit dhe bashkëpartiakut të tij, i cili kishte kondicion të mjaftueshëm fizik dhe psikik të përballet me debatuesit që shpesh harronin se ku ishin dhe pse kishin ardhur këtu. Disa prej tyre, me emra dhe mbiemra të shquar thjesht ia kishin hequr temës dhe kapeshin për bishti të temës duke e promovuar veten dhe duke folur për “lisa dhe fshisa”, në cilësinë e “ekspertëve”. Unë i kisha dhe ende kam dyshime se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është i rregullt dhe se Kosova do të ndahet mirë me këtë demarkacion.

Nuk kam besuar e as nuk besoj atë çfarë thotë pozita e as opozita për këtë proces, por më ka interesuar përballja e argumenteve midis komisionit shtetëror që po identifikohet me pozitën dhe komisionit të ekspertëve që po identifikohet me opozitën ndonëse kanë deklaruar se janë të pavarur. Pas përballjes së argumenteve, rezultati përfundimtar, sipas meje, e që nuk nënkupton se kam të drejtë ishte 8 me 2 në favor të ekipit të ekspertëve. Komisioni shtetëror nuk ofroi fakte bindëse sidomos pse në harta ishin dy vija kufitare dhe ndjehej inferiore përballë ekspertëve që ishin përgatitur mjaft mirë dhe dominuan në debat. Nuk jam njohës i çështjes së kufijve mirëpo pas këtij debati jam shumë i sigurt se është krijuar një situatë ndryshe dhe se do të duhej të bëhen përmirësime për ato pika të kufirit ku, me fakte është vërtetuar kundërshtimi i ekspertëve si i drejtë dhe profesional.

Në këtë debat shkencor politikanët nuk e kanë pasur vendin fare sepse ata, të pozitës dhe një pjesë e opozitës e kanë krijuar dhe forcuar këtë problem. Sikur edhe as disa “shkencëtarë” që i kishin hipur dhisë nga para. Dega e Shtëpisë për të Moshuar e quajtur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që në shtetet normale konsiderohet si ajka e kombit kurse te ne nuk është as hirra e kombit, nuk pati ndonjë punim shkencor përveçse kryeplaku i saj pati një paraqitje personale në stilin, as mish e as peshk duke u kapur pas pushtetit dhe duke i fyer ish studentët me stilin se “ku u bëtë ju ekspertë për kufij…”! Çdo profesor, arsimtar apo mësues mburret me sukseset e nxënësve apo studentëve të vet kurse kryeamkademiku që kishte ardhur edhe i pakrehur dhe paqethur në këtë debat shkencor mburrej me fyerjet që ua bënte ish studentëve të tij.

Mendonte ky akademik politik se pas tij koha duhet të ndalet dhe shkenca duhet ta përcjell bioritmin e këtij politikani akademik të dështuar dhe se studentët e tij gjithmonë duhet të sillen sikur të ishin në provim para tij. Merreni me mend, kur në këtë debat dhe për këtë çështje aq të rëndësishme për vendin dhe kombin Akademia nuk ka qëndrim, çfarë mund të bëjmë ne të tjerët, pa tituj shkencorë, me shkolla të mesme, me shkolla fillore apo me shkolla të banovinës apo mbretërisë serbo-kroato-sllovene.

Uji Dea

Mos të harroj se aty kishte individë me grada të larta shkencore, nga koha e ish Jugosllavisë, koha e Serbisë, koha e UNMIK-ut dhe koha e ringjalljes intelektuale përmes kërpudhave të kolegjeve dhe universiteteve private të pasluftës dhe Universitetit Publik të pa emër të Prishtinës. Debati ishte i vonuar dhe ç’kuptim fare ka debati kur pozicionet e palëve mbesin të njëjta, nuk merren fare parasysh konkluzionet e debatit dhe me shpejtësi të dritës procedohet ligji për demarkacion. Është një situatë tepër e rëndë ku mund të kemi përshkallëzim dhe rrezikim të sigurisë në vend sepse, pas demarkacionit e kemi asociacionin e komunave serbe…!

Urdhër i prerë për ekzekutim të vendimit:
Ambasadori amerikan në Prishtinë, sipas rendit të ditës ishte paraparë të ishte njëri nga folësit por ai erdhi shumë më vonë. Unë nuk e kam të qartë pse në këto takime ku diskutohet për çështje të brendshme të një shteti apo vendi, ambasadorët e huaj duhet të jenë edhe lojtarë kryesorë sikur edhe referë kryesorë.

Ambasadori amerikan në këtë tubim shkencorë nuk e la asnjë mundësi për vazhdim të dialogut duke e cilësuar opozitën dhe ekspertët si mashtrues dhe përfitues të situatës sikur që e qortoi qeverinë për zhagitje dhe vonesë 11 mujore të votimit të marrëveshjes për demarkacion. Pas kësaj u krijua një situatë tjetër dhe debati mori kahe tjetër apo, më mirë të them hyri në një rrugë njëkahëshe, rruga e domosdoshmërisë së votimit të demarkacionit, sa më parë të jetë e mundur dhe pa asnjë ndryshim. Ambasadori amerikan me këtë rast dhe me këtë pozicionim u bë anëtari i gjashtë i komisionit shtetëror për demarkacion. Pas qortimit të qeverisë së Kosovës për vonesë, ishte një vendim që qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme të njëjtën ditë, në ora 19.00 me të vetmen pikë, procedimi i demarkacionit për votim në Kuvendin e Kosovës.

Realisht, mendoja se qeveria e Kosovës, pas qortimit të ambasadorit amerikan, do ta mbajë mbledhjen e qeverisë në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës. Përveç kryeministrit, aty ishte njëri zëvendëskryeministër dhe disa ministra sikur edhe këshilltari kryesor prandaj kishte kuorum të nevojshëm për mbledhje. Nuk e di pse por mbledhje u caktua për ditën në vijim dhe ishte përmbushje e kërkesës së ambasadorit amerikan.

Tash mbetet të caktohet seancë e jashtëzakonshme ku do të VOTOHET demarkacioni i kufirit me Malin e Zi në formën dhe përmbajtjen e caktuar nga komisioni shtetëror, tash i përforcuar edhe me një ambasador të fuqishëm. Është e pështirë dhe neveritës fakti se kundërshtimi i demarkacionit interpretohet dhe identifikohet me antiamerikanizëm e që është në kundërshtim të plotë me vlerat elementare të demokracisë për lirinë e shprehjes dhe mendimit ndryshe. Unë jam kundër këtij demarkacioni, që nënkupton se nuk jam antiamerikan sikur që ka edhe shumë të tillë si unë. Në anën tjetër, nuk dua të zvarritem para askujt vetëm të mos cilësohem si antiamerikan sepse, është krejt e natyrshme që interesin e vendit tim dhe kombit tim e vë para interesave tjera dhe kurrë nuk pretendoj e as që dua të bëhem më amerikan se vet amerikanët. Injorantët politikë po e keqpërdorin këtë duke eliminuar kundërshtarët politikë dhe ata që kanë mendim ndryshe nga këta politikanë. Sikur që është poshtëruese dhe jokurrizore të bëhesh proamerikan dhe madje më amerikan se vet amerikanët duke u zvarritur si jargë dhe amebë jokurrizore dhe duke punuar në dëm të kombit dhe shtetit tënd!

Të padinjitetshmin nuk e do as miku e as armiku sikur edhe as djalli e as engjëlli. Me qëndrim të padinjitetshëm dhe jokurrizor nuk fitohet respekti e as nuk bëhet shteti. Për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk mund të kenë të drejtë edhe komisioni shtetëror, edhe ekipi i ekspertëve. Dikush duhet të jep përgjegjësi, ose për cenim të integritetit territorial të Kosovës për çka po akuzohet komisioni shtetëror nga ekspertët, ose ekipi i ekspertëve për mashtrim dhe manipulim për çka po akuzohet nga qeveria e Kosovës, komisioni shtetëror dhe ambasadori amerikan. U folën fjalë të rënda për falsifikim të dokumenteve dhe vendimeve. Ky dyshim e bënë përgjegjësinë edhe më të madhe. Dikush po thotë se deputetët nuk do ta votojnë demarkacionin sepse ka zëra të zhurmshëm kundër këtij votimi.

Jam i sigurt se pikërisht ata që po bëjnë më së shumti zhurmë, të parët do ta votojnë këtë demarkacion dhe do të vazhdojnë publikisht ta akuzojnë Esat Pashë Toptanin për tradhti kombëtare dhe Ahmet Zogun pse ia fali Shën Naumin Jugosllavisë. Patrioti mbetet gjithmonë patriot vetëm nëse ka qëndrime të forta para medieve dhe nëse ia kërcet ndonjë kënge patriotike. Këto paraqitje janë publike kurse votimi mbetet i fshehtë.

Deputetët tanë nuk mund të fajësohen për ligësi, por përkundrazi, ligësinë e kanë vetëm si shprehje virtuale dhe votimi për demarkacionin do e bëjnë vetëm për miqtë ndërkombëtarë dhe për inat të armiqve vendorë siç i konsiderojnë kundërshtarët politikë! Përgjegjësia për votim është individuale, kurse pasojat do të jenë të përgjithshme. Mendoni mirë para se të votoni. .. Votimi nuk është çështje politike por shprehje e lirë e vullnetit, në rastin konkret për një çështje të shndërruar në problem të natyrës ekzistenciale për kombin dhe vendin. Uroj ta kem gabim!/epoka e re/