Kur goditet zemra e qytetit

Gjilan – Në vitin 2002 Gjilanin e kishte goditur një tërmet i rëndë, ku kishte të vdekur e shumë të lënduar. Ishte ditë tmerri. Edhe ditën e enjte zemra e qytetit përjetoi të njëjtin fat, bile edhe më tmerrshëm i përjetuar. Britma, klithma, frikë, pasiguri vërehej kudo. Një ditë e rëndë e shndërruar në fate njerëzish.
Zemra e qytetit të Gjilanit për pak minuta u shndërrua në një skenë krimi, në një skenë ku ka mundur të ndodhte gjithçka dhe të kalonte edhe shumë më keq. Vetëm katër minuta i kanë ndarë nxënësit e shkollës “Thimi Mitko” për ta kryer ndërrimin.
Zemra e qytetit të Gjilanit u lëndua nga britmat, zërat, sirenat, njerëz të shumtë duke kërkuar secili njeriun e vet që mendohej se mund të ndodhej në atë tragjedi.
Skena të rënda përjetoi Gjilani dhe gjilanasit, por e veçantë e tërë kësaj ishte solidarizimi. Aty ku ekziston bashkë dhembja, edhe tragjedia përballohet më lehtë. Sot Gjilani duket më i qetë, por i trazuar në shpirt e në ndjenja./rajonipress/