ARKATANA

Kur flet mjerimi

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nuhi Ismajli – Pushtetarët gjilanas, jo vetëm në rastin e reagimit ndaj shkrimit tim, po përgjithësisht, në reagimet e tyre të deritashme, kanë treguar mungesë totale të kulturës së komunikimit dhe po të mos ishte pak a shumë ndihma e gazetarëve, nuk do të kishte shkrime në botë më qesharake sesa ato të tyret.

Kështu, në vend të një stili, i cili do të ishte më tepër stil administrativ, stil i një komunikate zyrtare, mbushur me fakte konkrete që argumenton ndonjë gjë të kundërt, ndonjë pohim të paqëndrueshëm, ata mbështetje bëjnë emotivitetin dhe gjithë diskursin që nënkupton ai, thuajse fjala është për një grindje shumë personale, e jo një çështje institucionale. Kështu veprojnë pushtetarët gjilanas kur iu kundërvihen pohimeve të ndonjë partie politike e ndonjë pjesëtari të tyre; kështu veprojnë kur iu përgjigjen vërejtjeve të ndonjë qytetari, të cilat nuk kanë asnjë ngjyrë politike.

Fjalori bazë i pushtetarëve gjilanas është fjalori jozyrtar, fjalori personal dhe fjalori fyes. Shkrimi i tyre, i sajuar me ndihmën e gazetarëve, është i zbrazët për nga argumentet, i zhveshur krejtësisht nga përgjegjësia institucionale dhe nga ndërgjegjja njerëzore. Është mjerimi vetë!

Me të njëjtën gjuhë ata i përgjigjen edhe çdo argumenti dhe çdo shqetësimi qytetar, i cili, një pushtet serioz, do ta shqetësonte, do të bënte t’i pranonte vërejtjet, madje, një pushtet serioz, do të bënte edhe ta falënderonte qytetarin për vërejtjet dhe do të bënte t’i mobilizonte të gjitha forcat për t’i mënjanuar të metat eventuale.

Pushtetarët aktualë gjilanas janë kështu shembulli i një komunikimi të papërshtatshëm, shembulli i një komunikimi të mjerë me qytetarët.

Edhe ndaj shkrimit tim, dy pushtetarët gjilanas, Nuhi Nuhiu e Shefik Surdulli, me ndihmën e gazetarëve, dolën me të njëjtin nivel të ulët të komunikimit të pushtetarëve gjilanas me publikun, si të ishin duke luftuar kundër një subjekti të rrezikshëm që do t’ua marrë pushtetin!

Prandaj, si për të më diskredituar para elektoratit (elektoratit që nuk e kam), në vend të kundër argumenteve, m’i gjuajtën disa epitet, disa sharje, gënjeshtra e, mbase, edhe disa paralajmërime, për mosdëgjueshmëri qytetare.

P. sh. më quajtën “gjeniu plak”, që, thënë sinqerisht, nuk ma prishi qejfin aspak, sepse a ka më respekt e nder sesa kur të thuhet gjeniu plak, aq më tepër kur unë nuk jam bash plak, madje në krahasim me ata që e thanë këtë unë dukem dukshëm i ri (për provë, le të shikohen njëherë në pasqyrë!). Ani, kur ta marrësh parasysh, kush më quajti plak: kufoma e gjallë – Nuhi Nuhiu dhe plaku i përhershëm – Shefik Surdulli!

Më thanë (citoj): “Nuhi Ismajli ka humb orientimin dhe nuk din çfarë fletë”!!! Posi! Ky është komunikimi i pushtetit “popullor” me popullin. Dhe, ky pushtet nuk e di se nuk e kam humbur aspak orientimin, se qe dyzet vjet jam vetëm në profesionin tim, që është profesioni më human (e jo si politika,…, me nder me thënë!); se qe dyzet vjet po e studioj tipin tuaj dhe nuk po ua gjej dot çiftin; se unë po merrem me atë që rëndom merret çdo qytetar i kësaj bote – me shqetësimin për jetën njerëzore dhe me kërkesën për përsosjen e saj. (Veç, ah, po! Është e vërtetë, fatkeqësisht, është e vërtetë, se pushteti “popullor” gjilanas na ka çorientuar krejt!).

Sa për pohimin se nuk po dimë ç’po flasim, për t’iu dëshmuar se jemi plotësisht të vetëdijshëm për çfarë flasim, po ua përsërisim prapë, se po flasim për të këqijat e këtij pushteti, të cilat janë bërë një barrë e rëndë për popullin dhe një pengesë e madhe për të ardhmen. E, për fakte, i kemi përmendur në shkrimet tona e mund të shtojmë edhe shumë të tjera.

Dy zyrtarët gjilanas, Nuhi Nuhiu e Shefik Surdulli, më quajtën qytetar i padisiplinuar, domethënë, sipas qejfit të pushtetarëve gjilanas, i përshtatshëm për dënim, sepse po ua them haptazi të vërtetën për të këqijat.

Thanë, e çfarë nuk thanë kundër meje dy zyrtarët gjilanas: Nuhi Nuhiu e Shefik Surdulli?! Ata thanë p. sh. se unë nuk i njihkam arritjet në arsim, ani se jam unë në terrenin e arsimit e jo ata; ani se unë e shikoj arsimin nga aspekti profesional e jo ata; ani se në shkrimet e mia kam përmendur çështje konkrete e nuk jam marrë me vlerësime të përgjithshme e abstrakte. Zyrtarët komunalë, Nuhi Nuhiu e Shefik Surdulli, nuk kanë parasysh se unë gjatë punës sime, problemet e theksuara, si dhe ato të patheksuarat, i vërej dhe i përjetoj për çdo ditë të punës sime në arsim.

Zyrtarët komunalë gjilanas, Nuhi Nuhiu e Shefik Surdulli, në shkrimin e tyre thonë se arritjet këtu, janë aq të mëdha sa shihen edhe nga qielli. Vërtet, nga qielli ne nuk mund të themi se çfarë shihet këtu, por, sa për këtu, në tokë, vërtet, pushteti gjilanas na e ka bërë terr e nuk po shohim gjë, dhe na ka çorientuar aq sa është e mundshme të vazhdojë gjatë e të mos mund të orientohemi.

Nëse nuk është kështu, zyrtarët komunalë, Nuhi Nuhiu, Shefik Surdulli e të tjerë, le ta thonë me argumente.

ARKATANA

P. sh. në shkrimin tonë, kemi vënë në dukje konkretisht disa probleme në arsim. Le të provohet konkretisht, me shembuj, se nuk është ashtu. Pohimi se ka arritje në fushën e arsimit, pa iu përgjigjur shembujve të mi konkretë, nuk është përgjigje.

Në shkrimin tim kam përmendur disa probleme konkrete të fushës së kulturës këtu. Le të gjendet shembulli i kundërt me shembullin tim, ndryshe nuk është përgjigje. Pohimi i përgjithshëm, se ka përparime në kulturë, nuk thotë asgjë, pasi nuk ka argument. Vetëm një argument i kundërt me argumentin tim mund të jetë përgjigje.

Në shkrimin tim kam përmendur problemin e maltretimit të të punësuarve nga Drejtorati i Ekonomisë dhe nevojën që ky drejtorat, si dhe drejtoratet tjera, të mos jetë në atë gjendje si është, po të modernizohet dhe t’iu shërbejë qytetarëve me mundësitë që tani i ka bota moderne.
Është fakt se gjatë prillit dhe majit të këtij viti, me mijëra të punësuar u detyruan t’i nxirrnin vërtetimet, si dëshmi për pagesën e tatimit. Mijëra të punësuar gjilanas u maltretuan, siç u maltretuan edhe punëtorët e sporteleve. Vetë ia mësyva tri herë për të marrë vërtetimin e kërkuar. Herën e parë më thanë se nuk figuron fare në evidencën e Drejtoratit të Ekonomisë, prandaj nuk mund të marrësh vërtetim fare! Në pyetjen time: Si të veproj? – m’u tha se duhej të sillja kontrata, vërtetime gjyqesh…

Edhe pse nuk isha fare në evidencën e atyre që duhej të paguanin, u detyrova të shkoja në Shërbimin Kadastral të marrë dokumentin që nuk posedoj pronë, pastaj një dokument tjetër që dëshmon se ende nuk paguaj tatim për pronën ku banjo dhe, kështu, ia mësyva sportelit për herë të dytë. Mora forcë dhe prita nja një orë e ca pas grumbullit të qytetarëve që po merrnin vërtetimet. Dikur na u tha: “Shkoni. Ejani nesër. Koha e punës përfundoi.” (!!!). Herën e tretë shkova për të marrë vërtetimin para se të punoja diç tjetër. Më duhej forca fizike dhe durimi për të pritur derisa ta merrja vërtetimin e kërkuar. Dhe, prita derisa ia grumbull i madh qytetarësh, që ishte para meje, kreu punë. Vërtetimin ia dorëzova sekretarit të organizatës ku punoj, por tani, drejtori i Drejtoratit të Ekonomisë, Nuhi Nuhiu, publikisht thotë (citoj): Nuhi Ismajli “… nuk ka ardhur të merr vërtetimin, sepse është qytetar i padisiplinuar që nuk respekton as njoftimin e lëre më të ishte urdhëresë, prandaj as s’e ke marre vërtetimin, por na habit fakti ku i pa radhët duke pritë në sportele kur nuk ishte në drejtorinë për Buxhet e financa!?” !!!

A është e vërtetë kjo çka po lexojmë e po na shohin sytë?! A është e mundur që vërtetimi im të zhduket qëllimisht, që të thuhet se, vërtet, unë nuk e paskam dorëzuar vërtetimin e kërkuar?! Ma thotë mendja se, këtu, me një pushtet të tillë, mund të ndodh edhe kjo. Mund të thuhet, madje, siç thotë Nuhi Nuhiu, “Nuhi Ismajli është një qytetar i padisiplinuar, i cili nuk i kryen obligimet ndaj shtetit” !!! Mund të thotë edhe kështu, veç nuk mund ta argumentojë kurrë këtë, sepse qytetari N. Ismajli nuk ia ka shtetit borxh asnjë cent. Se qytetari, N. Ismajli, është qytetar më i disiplinuar se pushtetarët gjilanas. Se qytetari, N. Ismajli, pse kritikon të metat reale të pushtetmbajtësve jomeritorë, nuk mund të quhet i padisiplinuar.

Por, t’i kthehemi çështjes së vërejtjes sime ndaj Drejtoratit të Ekonomisë dhe drejtorit të saj, Nuhi Nuhiut, i cili thotë në reagimin e tij “se Nuhi Ismajli, ka hy në një fushë ku nuk ka “haber” së pari për çështje të buxhetit, se si ndërtohet ai, ndërsa bënë krahasime të paskrupullta mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ku ka shtet në botë që zhvillohet pa taksa e tatime, ka pyetur Ismajli, Drejtori Nuhiu, i cili ka thënë se, sa i përket vërtetimeve për tatimin në pronë, nuk kanë qenë special po vërtetim i rëndomtë ku shkruhet se “I ka të kryer obligimet pjesërisht dhe tërësisht”…se kishte një njoftim dhe jo urdhëresë etj.

Sipas drejtorit të Drejtoratit të Ekonomisë, Nuhi Nuhiut, ne kemi bërë keq pse e kemi krahasuar veprimin e tij, që maltretoi punëtorët, me veprimin e ministrit serb të Ekonomisë. Unë nuk kam bërë krahasim. Është Drejtorati i Ekonomisë së komunës sonë që është bërë i krahasueshëm me veprimet e ministrit serb të Ekonomisë, sepse pikërisht në kohën kur ministri serb i Ekonomisë kërkon ngrirjen e rrogave, Drejtorati i Ekonomisë këtu kushtëzon pagat e punëtorëve me sjelljen e vërtetimeve për kryerjen e obligimeve tatimore. Kjo është ajo sjellja e vrazhdë e këtij pushteti ndaj qytetarëve, të cilën unë e kam kritikuar dhe jo se unë nuk di si mbushet ose se jam kundër mbushjes së buxhetit të shtetit. Në shkrimin tim kam thënë: nuk mbrojmë ata që nuk kryejnë obligimet ndaj shtetit.

Drejtori i Drejtoratit për Ekonomi, Nuhi Nuhiu, thotë se ka pasur njoftim e jo urdhër për sjelljen e vërtetimeve për kryerjen e obligimeve tatimore dhe se është kërkuar jo vërtetim special, po një vërtetim i thjeshtë.

A mund të thuhet se nuk ka qenë urdhër dhe kushtëzim, kur qytetarit i thuhet: në rast se nuk sillet vërtetimi, të ndalet paga!?

A ka qenë vërtetim i thjeshtë ai që nxorën qytetarët për të dëshmuar kryerjen e obligimeve materiale ndaj shtetit?! Pse, si qenkan vërtetimet speciale?! A kërkojnë vërtetimet speciale, që qytetarët të mundohet më shumë sesa për ato vërtetime të cilat u detyruan t’i siguronin?!

Edhe një gjë që habit tejmase në këtë mes është pohimi i drejtorit të Drejtoratit të Ekonomisë se nuk mund të ketë komunikim brendainstitucional ose këmbim të dhënash brenda institucioneve, si dhe pohimi i tij se unë nuk e ditkam si bëhet e si mund të bëhet komunikimi brendainstitucional.

Në fakt, pak ka rëndësi e di unë apo nuk e di si bëhet komunikimi brendainstitucional ose këmbimi i informatave brenda institucioneve (pse, në këtë rast, për mosdijen time nuk e pësojnë qytetarët), por është për brengosje kur një drejtor nga drejtoratet komunale, në shek. XXI, pohon se nuk mund të ketë këmbim të të dhënave brenda institucioneve! Kjo domethënë se pushtetarët tanë, që e kanë për detyrë t’iu shërbejnë qytetarëve, jo vetëm nuk kanë punuar gjë që të sigurojnë komunikimin brendainstitucional, mundësinë e këmbimit të të dhënave midis institucione (as brenda institucioneve të një komuneje!), po as nuk e ka idenë se një gjë e tillë mund të bëhet e se, për lehtësimin e jetës së qytetarëve, duhet të bëhet. Pse nuk paska mundësi që Drejtorati për Ekonomi të japë dhe të marrë të dhëna nga institucionet tjera?! E, po, në cilën epokë po jetojmë?! Pse po na e zini për të madhe që po iu kritikojmë?!

E të tjera. E tjera.

Pushtetarët e Gjilanit duhet ta kenë parasysh se unë nuk jam anëtar i ndonjë partie, as lakmuesi i pushtetit. Pra, as shkrimet e mia nuk shprehin ambicie për pushtet. Shkaku i vetëm pse shkruaj është një motiv i brendshëm njerëzor, një shqetësimi qytetar për atë ç’bën pushteti këtu (në kurriz të qytetarëve) dhe kërkesa që të kemi një pushtet, i cili, më parë se t’i kënaqë individët me pozita, në radhë të parë, të ketë parasysh rregullimin e jetës së qytetarëve.